Irritimi i Amerikës: “Të dobët që shkoni në oborrin e carit”
Udhëtimi i Angela Merkelit dhe Francois Hollande në Moskë, “në oborrin e car Putinit” nuk është gjë tjetër vecse shprehje e dobësisë së udhëheqësve të Kontinentit të Vjetër. Sepse qëllimi i vërtetë i Presidentit të Rusisë është që ta vërë perëndimin para faktit të kryer, duke shkëputur një copë të Ukrainës ashtu si bëri edhe me Rusinë.
Dhe europianët po tregojnë dobësi të theksuara. Në një Amerikë që po jep gjithnjë e më shumë sinjale të prirjes për të armatosur Ukrainën, kjo është pak a shumë analiza që është duke qarkulluar mes SHtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit. Ndryshe nga europianët, amerikanët duan që të paktën t’i përgjigjen në mënyrë simetrike veprimeve të Putinit me rebelët filorusë.
Megjithëse takimi i John Kerryt në Kiev, me udhëheqësit europianë, ishte planifikuar deri në detaje për të dhënë një imazh uniteti, prapa kuintave zemërimi i amerikanëve është më se i dukshëm. Dhe për ta përmbledhur kanë mjaftuar fjalët e një prej kryestrategëve që punon pranë Obamës në Shtëpinë e Bardhë: “Në tryezë ka tre pyetje: e para është se si të rritet kostoja ekonomike për Rusinë përmes sanksioneve. E dyta është se si t’i jepet Ukrainës mbështetja financiare e nevojshme për të mbijetuar.
Dhe e treta si të forcohen kapacitetet e Ukrainës për t’u vetëmbrojtur, gjë që është gjithashtu një mënyrë për ta bërë më tërheqës opsionin e armëpushimit për rusët dhe rebelët pro tyre”. Vetëm për pikën e dytë, ka një mirëkuptim thelbësor mes Amerikës dhe Europës. Sa i përket të parës dhe të tretës, në dy brigjet e Atlantikut ka mospërputhje të mëdha.
Duke qenë se Rusia nuk është duke i reduktuar aspak furnizimet ushtarakë për rebelët, cështja e furnizimit me armë të Ukrainës është bërë gjithnjë e më urgjente. Madje shumë ekspertë shohin edhe një presion të qëllimshëm nga ana e Moskës. Sipas analizave që ka bërë Pentagoni, por edhe NATO, ka një mungesë të madhe ekuilibri mes ndihmave ushtarake që vijnë nga lindja dhe atyre nga perëndimi.
Administrata Obama i ka premtuar 118 milionë dollarë ndihma për “stërvitje dhe pajisje ushtarake jo luftimi” për ministrinë e mbrojtjes në Kiev. Shumë pak, krahasuar me sasinë e ndihmave që ka premtuar dhe dërguar tashmë Putini. Dhe pikërisht këto gjëra po kërkon me këmbëngulje Ukraina: pushkë të precizionit të lartë, municione, granatëhedhës, raketëhedhës etj. Të gjithë shenjat janë duke treguar se ndryshe nga europianët, amerikanët janë duke ndryshuar qëndrim në lidhje me këtë temë.
Komandanti i NATO-s, Breedlove është shprehur tashmë në favor të dërgimit të armëve në Kiev. Edhe kolegu i tij në Departamentin e Mbrojtjes, Martin Dempsey ka të njëjtin pozicion. Të gjithë këto janë në frymën e një raporti të përfunduar kohët e fundit, nga një ekip ekspertësh i koordinuar prej Michele Flournoy, një prej kandidateve kryesore për të qenë Sekretare e Mbrojtjes në rast të një fitoreje të mundshme të Hillary Clintonit në zgjedhjet e ardhshme. Raporti kërkon që SHBA të tridhjetëfishojë përpjekjet dhe ndihmat ushtarake për Ukrainën, duke arritur një shifër 3 miliardë dollarë.
Pra është gjithmonë e më e qartë se hendeku në qëndrimet mes Amerikës dhe Europës është duke u rritur. Gjë që e gjen shprehjen edhe tek nervozizmi i shfaqur çdo ditë e më shumë prej zyrtarëve amerikanë, të cilët u bëjnë thirrje, qoftë dhe indirekt, udhëheqësve europianë, që të “mos shkojnë në oborrin e Carit të Kremlinit”.
bota.al (Burimet: NYT, BBC, La Repubblica)