Isa Boletini, një hero “i sikletshëm” ballkanik
Nga Ben Andoni*
Pakkujt do ia kish marrë mëndja se varrosja e eshtrave të njërit prej heronjve të pavarësisë shqiptare do të kishte sjellë atë mosmarrëveshje, që ekziston sot mes katër vendeve ballkanike. ‘Protokollet’ e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë janë të katra në alert për vendvarrimin e tij, që sipas një vendimi të fundit të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe me pajtimin e familjarëve të Heroit Kombëtar, Isa Boletini dhe familjarëve të bashkëluftëtarëve te tij, do të varroset në Vlorë. Në fakt, mirëkuptimi i dy vendeve, gati ka ngjallur revoltë në publikun e Kosovës, ku më e fundit është ajo e ishpresidentit Sejdini, ishkryeministrit Haradinaj që pretendojnë se eshtrat e tij e kanë vendin në Kosovë, paçka pretendimeve të serbëve, që duket se e kanë ngatërruar të gjithë historinë e varrimit. Minoranca serbe është futur në valle me anë të përfaqësuesit të tyre Jabllanoviç, që ka thënë se heroi shqiptar nuk mund të varroset në Boletin, komuna e Zveçanit, në veri të Mitrovicës, ku gjenden edhe kullat e lindjes së tij, sepse ka bërë shumë krime ndaj serbëve!
Por, ndërsa për serbët është kriminel, për shqiptarët e Kosovës varrimi i tij në vendlindje tregon ekzistencë. Ngjarja ka sjellë edhe njëherë nëpërmend simbolikën e rrëmujës ballkanike, që ishte gati njësoj edhe në prag të Luftës së Parë Botërore, kur vendet e rajonit ishin krejt larg mirëkuptimit dhe për gjërat më të thjeshta. Rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit në veri të Kosovës ka dhe një simbolizëm tjetër, që nuk u shkon për shtat serbëve tani që bisedimet në Bruksel po e sanksionojnë veriun e Kosovës të ndarë dhe “de facto” pjesë të Serbisë, kurse “de jure” në hartë pjesë të Kosovës. Ndaj, në lojën për të zbutur këtë tension kanë ardhur zyrtarët e Shqipërisë dhe Kosovës, që me anë të një Komisioni të Përbashkët kanë vendosur varrimin e tij në Vlorë, pasi në atë vend, ku mund të varrosej në Kosovë, mbase do të ishte lehtësisht i cënueshëm. “Kulla e Isa Boletinit në Boletin të Mitrovicës i ka rezistuar të gjitha stuhive të vështira nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë. Ajo nuk është vetëm kullë. Kulla e Boletinit është simbol i luftës tonë kundër tkurrjes së trojeve tona.
Eshtrat e Isa Boletinit janë pjesë e rëndësishme e testamentit që ruan kjo kullë ndër breza dhe aty duhet të rivarrosen”, ka siguruar Ramush Haradinaj, por që në këto momente me tagrin e vet nuk mund të bëj dot më asgjë. Larg këtyre, është e habitshme sesi një personazh, që ka pasur lidhje me historinë e të katër vendeve, përmes qasjeve të ndryshme, arrin dhe “i ngatërron” kaq lehtësisht edhe pas plot 99vjetësh nga vdekja, Ballkanasit. Sikur të mos mjaftojë kjo, analisti i njohur kosovar Spahiu ka përmendur një element të Kanunit, sipas të cilit koburja që e vrau heroin dhe që gjendet në Malin e Zi, në shenjë vullneti të mirë apo në respekt të zakoneve të vendit fqinj, duhet ta kthehet. Mali i Zi është, një nga tre vendet, ku ekziston ortodoksia që e njohu Kosovën. Figura e Isa Boletinit dhe eshtrat e tij gati të harruara prej shumë vjetësh, u bënë të njohura ndërkombëtarisht falë dronit mbi stadiumin e Beogradit, kurse sot rrezikojnë të kthehen në një impuls për një pragkonflikti ndëretnik në Mitrovicë e më gjerë. Paradoksalisht, vetë heroi, në të gjallë ka pasur qasje që nga Princ Vidi, “Crna Ruka” e Malit të Zi, pavarësia shqiptare, lufta e serbëve dhe mbi të gjitha ekzistencën e popullit të vet, që sot mezi po i bën një vend në varr. Por është Ballkan dhe në të gjallë, dhe ai vetë, nuk mundi t’i shkëputej dot paradokseve tona.
*JAVA