Ish-ministri i Energjisë në Ukrainë arrestohet për korrupsion 100 milionë dollarë
Një ish-ministër i Energjisë në Ukrainë është ndaluar nga autoritetet ndërsa po përpiqej të largohej nga vendi me tren, bëjnë të ditur institucionet zyrtare. Ai u arrestua teksa po kalonte kufirin shtetëror, ndërsa destinacioni i tij nuk është bërë publik.
Bëhet fjalë për German Galushchenko, i cili ishte larguar nga detyra vitin e kaluar pas përfshirjes në një skandal korrupsioni që dyshohet se kap vlerën rreth 100 milionë dollarë.
Arrestimi u konfirmua nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU), në kuadër të hetimit të quajtur “Operacioni Midas”, ku është përfshirë edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAP).
Sipas hetuesve, disa zyrtarë kanë organizuar një skemë për përvetësimin e fondeve në sektorin energjetik, përfshirë operatorin bërthamor shtetëror Energoatom. Galushchenko dyshohet se merrte ryshfete nga kontraktorët në masën 10-15% të kontratave, ndërsa një pjesë e parave është transferuar jashtë vendit.
Mediat ukrainase raportojnë se ai po transportohet drejt Kievit për t’u marrë në pyetje, ndërsa rojet kufitare kishin marrë udhëzim të njoftonin menjëherë autoritetet në rast të tentativës për largim.
Skandali ka rritur presionin ndërkombëtar ndaj Ukrainës për forcimin e luftës kundër korrupsionit — një nga kushtet kryesore për integrimin në Bashkimin Evropian. Lufta dhe gjendja e jashtëzakonshme kanë pezulluar zgjedhjet në vend, por partnerët perëndimorë kërkojnë reforma më të forta institucionale.
Ukraina prej vitesh përballet me nivele të larta korrupsioni, pavarësisht funksionimit të strukturave të posaçme antikorrupsion të krijuara pas vitit 2014.
KOHA JONË SONDAZH

