Ishulli i Sazanit, Rama: Kurrë nuk do të shitet, qeveria do të jetë partnere
Projekti i sipërmarrësit amerikan Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump për realizimin e një projekti turistik në ishullin e Sazanit, është komentuar sonte nga kryeministri Edi Rama. I ftuar në ”Opinion”, kreu i qeverisë tha se Ishulli i Sazanit është pasuri e shtetit dhe shqiptarëve dhe kurrë nuk do të shitet. “Ishulli i Sazanit është pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar. As nuk është shitur dhe as nuk do të shitet asnjëherë. Ishulli i Sazanit është një pasuri e shtetit dhe e popullit shqiptar ku ne do të jemi partnerë. Qeveria shqiptare do të jetë partnere me kompaninë apo me grupin që do të investojë dhe negociatat e partneritetit nuk kanë mbaruar ende”, u shpreh Rama.
I pyetur nëse marrëveshja për Sazanin do të kalojë në Kuvend, Rama u përgjigj: Padiskutim. Ai shtoi se si Sazani dhe Zvërneci janë ende në projektim, duke theksuar se marrëveshja për ishullin e Sazanit nuk është përfunduar ende. “Marrëveshja nuk është kryer akoma. Nuk e kemi akoma një marrëveshje të përfunduar për Sazanin. Zvërnecin është histori private”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se për disa muaj do të jetë gati projekti i plotë që do t’i paraqitet publikut. Sipas Ramës, po bëhet një punë e madhe për ta kthyer Sazanin në një destinacion ëndrre. “Procedurat nuk do të marrin gjatë sepse shumë hapa janë bërë. Besoj për disa muaj ne do kemi masterplanin e plotë, projektin e plotë që do t’i paraqitet publikut. Ajo që është më e rëndësishmja është që mënyra si po punohet do të vendosë një standard të ri për zhvillimet në infrastrukturën e mikpritjes, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Mesdhe. Po bëhet një punë e jashtëzakonshme me arkitektë, me inxhinierë të mjedisit, me arkitektë të peizazhit. Po bëhet diçka për të bërë një destinacion ëndrre”, tha Rama
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë u pyet në lidhje me Parkun e Edenit, një instalacion artistik brenda Kryeministrisë. Ai tha ndërtimi tregon vizionin që ka qeveria për Shqipërinë dhe për t’ia shfaqur këtë me dinjitet miqve që vijnë për ta vizituar vendin. “Ka kushtuar shumë-shumë herë më pak sesa vlen dhe mbi të gjitha, këtu është dera që hapet për miqtë që na vizitojnë dhe mundësia për t’i pritur në një atmosferë dhe në kushte që tregojnë dinjitet dhe tregojnë se çfarë vizioni kemi ne për këtë vend është një vlerë e madhe e shtuar”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

