Islami nuk është terrorist
Nga Irfan Rama
“Islam is not terrorist”. Kjo është fjalia, kuartet fjalësh në anglishten e bukur amerikane që sosi fundin e një emisioni të stërgjatë – Happening now – live të CNN, drejtuar nga gazetari Thomas Foster për dy ceremonitë mortore të organizuara në Paris, për tre oficerët e policisë franceze të vrarë në sulmin terrorist të 7 janarit në selinë e revistës tashmë të famshme “Charlies Hebdo”. Vetëm në dy ditë tirazhi i kësaj reviste të rimbirë ka shkuar në milionin e katërt dhe njerëzit të strukur nga të ngrirtat qëndrojnë në radhë për ta blerë. Paraditen e 13 janarit 2015 Parisi dhe Jeruzalemi përcollën për në ngrehinat përjetësore njerëzit e mbrojtjes së jetëve franceze me uniformë- njëri nga tre oficerët francezë që nuk u kursye nga vëllezërit Cherif e Said Kouachi ishte i besimit mysliman- dhe hebrejtë francezë që janë të lidhur me Francën prej shekujsh që tashmë janë disi të frikësuar dhe tentojnë një pjesë të vrapojnë drejt vend origjinës. Hollande dhe Netanjahu nderuan të rënët dhe theksuan që ekstremistët dhe terroristët nuk janë islami. Ka qenë pikërisht 23 vjeçari nga Mali Lassana Bathilu që shpëtoi gjashtë hebre, ndër të cilët edhe një fëmijë pasi veproi me trimëri, guxim, gjakftohtësi e humanitet duke i futur ata në frigoriferin e supermarketit. Kjo rrëfeu se islami hyjnor në të mësuar e injektuar me kulturën kontemporane e të vjetër francezo-afrikane prodhojnë njerëz të vetvetishëm dhe të ndërgjegjshëm për vlerat, të drejtat dhe liritë njerëzore ndërkohë që injektimi i tërbimit terrorist në çfarëdo substrakti të veshur me njërën apo tjetrën fe, duke përfshirë edhe ato egërsira që e kanë nofkën kotsëkoti mysliman nuk pyesin jo më për myslimanë, të krishterë apo judaistë, por as për prindërit që i kanë lindur. A nuk e pamë në televizion në videon që po bën gjiron e botës kur një fëmijë dhjetëvjeçar gjuan pa iu dridhur qerpiku me revolver mbi dy pengje të besimit mysliman. A nuk e kemi parë një britanik me fe të vet, që vret gazetarët e mediave njëri pas tjetrit pa ju ngrirë hiçmospak gjaku në deje?! Islami si fe dhe Kurani si e shkrojtur me shtyllat e saj integruese të njerëzve që edukohen me frymën e të njëjtit Zot si judaizmi dhe krishterimi nuk është as check – nut (kundërdado) as check rail (kundërshinë) që i kundërvihen njerëzve të feve të tjera apo perëndimit, siç mundohen të predikojnë disa e që duan ta shumëfishojnë në miliona e miliona njerëz në botë, por ai është një realitet historik që në bazamentin e saj ka respektin ndaj njerëzve të feve të tjera. Mendjet e ndritura të shumë vendeve të botës edhe në këto ditë të vështira të popullit francez që nga Obama, Hollande, Merkel, Kameron e deri tek kryeministri shqiptar Edi Rama në Paris, po i mëshojnë konceptimit e idealitetit të njerëzve të përbashkët e në unitet, pa i mëshuar ndryshesave deri në “prakticitet”-siç thotë ndokush-të njerëzve të feve të ndryshme. A nuk kanë mbrojtur të krishterët vëllezërit e tyre myslimanë dhe anasjelltas myslimanët, vëllezërit e tyre të krishterë në kohë të ndryshme në trevat e Korçës sipas sulmeve nga armiqtë e përbashkët të shqiptarëve. “Islami është besim fetar monoteist i themeluar nga Profeti Muhamed në Gadishullin Arabik në shekullin e VII të e.r. e që sot është fe e përqafuar nga 1000 milion njerëz në mbarë botën. Pesë shtyllat e Islamit janë ushtrimi i besimit fetar në një mënyrë të caktuar, kryerja e ritit të faljeve (pesë falje të detyrueshme çdo ditë si dhe disa falje të padetyrueshme), dhënia ndihmë të varfërve, agjërimi gjatë muajit të Ramazanit dhe vajtja në haxhillëk në Mekë. Këto rite fetare, si dhe një kod për sjelljen në shoqëri, u dhanë nga Muhamedi si një radhë zbulesash, të kodifikuara në Kuran e të plotësuara nga bëmat dhe fjalët e Profetit”-shkruhet ndër të tjera në faqen 536 të Enciklopedisë së përgjithshme të Oksfordit. Shkruesi i këtyre radhëve duke qenë bir i një njeriu shumë të ndershëm që është falur pesë vaktet e që ka ndihmuar të varfrit deri në pafundësi në rrethin e Lezhës nëpërmjet farmacisë së tij nga viti 1930-1946, vit ky që iu shtetëzua farmacia dhe familja e tij nuk kishte bukë për të ngrënë nga që ai, Hamza Rama mendonte vetëm për t’i shërbyer me devocion njerëzve, duke qenë edhe i biri i një nëne që vinte nga Shkodra si bijë e kryehafizit të kryeqendrës së Veriut Shqiptar, jam edukuar si ata me frymën e vëllazërisë fetare, ndershmërisë, maksimizimit të marrëdhënieve shumë të mira ndërfetare, mosmbajtjes vëngër të bishtsyrit në konceptin religjioz, bisedave të hapura me sens zenitor ndaj vlerave njerëzore të njëllojta e humane të miqve, shokëve e njerëzve të panjohur të feve të tjera. Kam luftuar e luftoj për mbajtjen të bardhë të kësaj velloje të mrekullueshme të shqiptarëve, vëllazërimit ndërfetar ndërkohë që kam patur edhe raste kur dikush apo disa nga tre fetë mund të ketë shigjetuar si “padashje” për të mbllaqitur ndoshta përparësinë e njërës apo tjetrës fe. Mora shkas për të shkruar këtë opinion nga dy raste: I pari, më ndodhi në Shkodër ku një i afërm i imi rreth të shtatëdhjetave pasi e pyeta nëse të pëlqej opinioni im për ngjarjen më të fundit të terrorizmit në Paris i ngrysur më tha: “Pse e ke shkruar me etiketim në artikull terrorizmi islamik, sepse ai është terrorizëm dhe nuk është islamik se feja jonë është shumë e pastër dhe askund nuk thotë të vriten njerëz me terror. Siç bëjnë edhe njerëz të feve të tjera terrorizëm bëjnë edhe njerëz të fesë myslimane”. -“Unë e kam përmendur në ndonjë rast termin islamik, sepse kështu e shpreh bota ndonëse e kam shprehur shumë qartë që terrorizmi vjen nga njerëz që s’kanë të bëjnë fare me asnjërën fe pasi aktet terroriste janë pasojë e njerzve që nuk kanë asnjë lloj feje”, – ju përgjigja mikut tim të afërt e të dash
ur. Ndërsa në Francë në një qytet francez jeton mbesa ime, Pranvera që ka dy fëmijë, një vajzë në vitin e tretë të një shkolle profesionale dhe djali në klasën e shtatë. E bija e saj ishte ankuar tek e ëma se një franceze në klasë i kish thënë se ti je myslimane dhe terrorin myslimanët e tuaj e bënë dhe se feja myslimane është shumë e keqe, ndërkohë që vajza me origjinë shqiptare e që ka lindur në Francë i kish thënë francezes se ata që kanë bërë terrorin nuk kanë lidhje fare me ne as me fenë myslimane. Vajza franceze që kishte shkuar s’ka më mirë me vajzën me origjinë shqiptare pas ngjarjes së tmerrshme sidoqoftë kish prekur ndjenjat e shqiptaro-francezes shumë të mirë e të edukuar. Po në Shqipëri a bëhet kujdes në biseda, në televizione, në shkolla etj për ta trajtuar me maturi, realizëm e vërtetësi ngjarjen e Parisit? A duhet që analistët, gazetarët, politikanët e njerëzit e tjerë që ftohen në studio apo shkruajnë nëpër gazeta të jenë më të ftohtë, më të mendueshëm, më të lexueshëm dhe më të vërtetë në ato që thonë sepse në pikiatë, në dëgjim të tyre, janë fëmijët, adoleshentët e moshmoshës të ndryshëm. Jermimi apo roitja me mendime ose ide ngandonjëherë edhe nga megalomania, ndoshta edhe nga tendenca për t’i “shërbyer” njërit qytetërim apo tjetrit thuren broçkulla që i bëjnë jo pak dëm edukimit të breznive të reja. Papa Françesku shkoi në Sri Lanka ku 70% janë budistë, 15 % hindu, 8% të krishterë e 7 % myslimanë dhe foli para milionave njerëzve për harmoninë fetare. Pas Sri Lankës sot AI, mbërriti në Filipine me 83 milionë banorë, ku 84.1% e tyre janë të besimit katolik dhe 4.3 janë myslimanë dhe fjala e tij është harmoni fetare dhe ndihmë ndaj të varfërve. Presidenti francez Hollande shkoi sot në “Institutin e Islamit” në Paris e mbajti një fjalim ku vlerësoi fenë islame…