Ja pse është mirë të qash
Të qash është mënyra natyrore e mbrojtjes së trupit nga hormonet e stresit, prandaj mos u përmbani herën tjetër kur e ndieni nevojën për të qarë.
Lotët janë shumë të dobishëm, sepse lehtësojnë dhimbjen, rregullojnë sistemin e imunitetit dhe reduktojnë alergjitë, ka treguar një studim i bërë në Universitetin Indiana.
Rezultatet kanë treguar që meshkujt të cilët qajnë kanë vetëbesim më të madh se ata që si meshkuj “të vërtetë” i mbajnë lotët.
Studimet e mëhershme kanë treguar që njerëzit, të cilët vuajnë nga ekzema dhe alergjitë pas qarjes kanë nivel më të ulët të markerëve të inflamacionit imunoglobinë, derisa hulumtimi japonez ka treguar që njerëzit të cilët qajnë kanë dhimbje më të vogël dhe simptoma më të vogla të artritit reumatoid se ata që durojnë.
Kështu analizat e gjakut pasi indvidi ka qarë kanë treguar që niveli i kimikateve imunologike natyrale që përkeqësojnë artritin reumatoid është më i vogël se zakonisht, ndërsa pas një viti qarje, kanë mundur më mirë ta kontrollojnë sëmundjen e vet.
Përfundimi i përbashkët i shkencëtarëve është që qarja dhe lotët rrisin nivelin e oksitocinës, hormonit të lumturisë, që njëkohësisht bllokon lirimin e kortizolit, hormonit të stresit, transmeton Koha.net. Prandaj lotët në fakt janë mbrojtje natyrore e trupit kundër hormonit të stresit sepse qarjen e përcjell aktivitet i fortë në sistemin nervor parasimpatik, i cili qetëson trupin pas ngjarjeve stresuese – lëndimeve, për shembull – dhe ngadalëson punën e zemrës.
Prandaj gjyshet kanë pasur të drejtë kur na kanë thënë që është mirë të qajmë kur ndiejmë nevojën dhe që nuk duhet t’i përmbajnë lotët, sepse dobitë që i sjellin organizmit tonë janë me të vërtetë të mëdha.
Përndryshe, rezultatet e hulumtimit po ashtu kanë treguar që femrat qajnë më shpesh se meshkujt, por meshkujt më shpesh qajnë tek ngjarjet pozitive, ndërsa femrat tek ato negative. Kjo shpjegohet me faktin që testosteroni shtyp nevojën për qarje, derisa prolaktina e forcon.