Ja si e trukoi Skënderbeu ndeshjen me Sportingun. Baste deri në 5 milion euro!

 

 

Sekretar i Përgjithshëm i “Federbet”, Françesko Baranka, akuzon direkt klubin e Skënderbeut për atë që ka ndodhur në ndeshjen kundër Sportingut të Lisbonës, shkruan gazeta “Panorama”. Në një bisedë ekskluzive për portalin portugez “elconfidencial.com”, Baranka zbardh manipulimin, duke treguar se, pas rezultatit 4-0, janë luajtur shuma të frikshme në baste dhe se fitimi ka shkuar nga 5 deri në 10 milionë euro.

“Që nga viti 2002 ne jemi në dijeni të ndeshjeve të dyshuara për trukim, të luajtura në kompeticionet europiane. Në këto takime, në shumicën e rasteve kanë qenë të përfshira ekipet shqiptare. Kur do të kemi si përfundim një përgjigje nga autoritetet? ‘Federbet’ është duke punuar mbi disa ankesa për të gjitha ndeshjet e dyshuara si të trukuara, duke shpresuar se gjyqësori dhe federatat sportive nuk do të dështojnë”, citohet fillimisht Baranka në reagimin e djeshëm të “Federbet”.

Skënderbeu

“Një klub shqiptar është shndërruar në makth për UEFA-n. Skënderbeu denoncohet për manipulime flagrante në Ligën e Europës dhe organizmi më i lartë i futbollit do të hetojë klubin shqiptar. Të jesh tifoz i Skënderbeut në këtë moment është e vështirë, sepse pas pesë titujve radhazi, figura që po bën në Europë është jo e denjë”, shkruante dje “elconfidencial.com”, për të vijuar me detajet ekskluzive që jepte sekretari i Përgjithshëm i “Federbet”, Françesko Baranka.

“Kur ndeshja ishte 4-0 dhe duheshin edhe 30 minuta lojë, janë luajtur një sasi e madhe bastesh që Sportingu do të shënonte golin e pestë. Dhe kështu ndodhi. Papritmas trendi ndryshoi në minutën e 72-të, kur koeficienti ra drastikisht dhe nuk kaluan as tre minuta dhe Sportingu shënoi. Në fakt, ishte një ndeshje e kompromentuar që në fillim, sepse në minutën e 24-t, një prej lojtarëve shqiptarë (Salihi) doli me karton të kuq për një lojë fëmijësh, teksa preku topin me dorë. Më pas dy penallti, por deri këtu ndoshta është diçka normale në futboll. Megjithatë, lëvizja e basteve në atë ndeshje ishte në kundërshtim me gjithë logjikën. Në minuta e fundit, që shënohej një tjetër gol pas rezultatit 5- 0, u luajt një sasi e madhe bastesh. Këto janë luajtur në Azi dhe shuma që është fituar nga kjo ndeshja shkon nga 5 deri në 10 milionë euro”, sqaron Baranka për portalin investigues portugez.

Sekretar i Përgjithshëm i “Federbet” tregon edhe një precedent në ndeshjen Dinamo Zagreb-Skënderbeu 4- 1. “Ishte minuta e 78-të dhe kroatët luanin me 10 lojtarë, ndërsa rezultati ishte 3-1 për Dinamon. Goli i radhës i kroatëve shkoi çuditërisht 1.20, edhe pse ky ekip ishte me një lojtar më pak. Logjikisht koeficienti duhet të ishte 2.50. Nuk kaluan as dy minuta dhe kroatët shënuan. Pra, një ekip pa opsione, mund të fitojë më shumë me anë të basteve”, tregon Baranka.

Në fund, ai ironizon edhe suksesin e Skënderbeut, por edhe të futbollit shqiptar në tërë- si, teksa Kombëtarja u kualifikua për herë të parë në Europian. “Nuk e kuptoj se çfarë kërkon më shumë UEFA për të vepruar pas këtyre fakteve. Flitet për mrekulli shqiptare, por ekipet e këtij vendi kanë 15 vjet që manipulojnë ndeshje në baste”, ka përfunduar sekretari i Përgjithshëm i kompanisë së monitorimit të basteve.

SHKARKO APP