Ja si nxirren diamantet

Gjatë luftës së saj 11 vjeçare civile, Sierra Leone u bë e njohur për diamantet e përgjakura. Grupe rebele dhe qeveritare luftuan brutalisht për territorin e pasur me diamante në veri të vendit dhe financoheshin duke i shitur gurët e çmuar tek blerësit ndërkombëtarë.

Pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të konfliktit, operacionet për gërmimin e diamanteve vazhdojnë në rajonin verior të Konos, raporton BBC.

Një kompani Jug-Afrikane, “Koidu Holdings”, udhëheq një minierë të madhe që përdor makineri të sofistikuar për të depërtuar nëpërmjet shkëmbinjve kimberlite dhe të identifikojnë zonat e pasura me diamante në thellësi të tokës.

Në afërsi, minatorë artizanalë pozicionohen nëpër shtretërit e lumit, të pajisur me sita, lopata e kova.

Një prej këtyre minatorëve, Philo, ka punuar në Kono për 23 vjetët e fundit, por u largua gjatë konfliktit dhe jetoi në Guinea si refugjat. Kur lufta u qetësua dhjetorin e vitit 2000, ai u kthye në shtëpi dhe nisi gërmimin e diamanteve sërish një vit më vonë.

Shumë minatorë artizanalë pranojnë se nuk kanë gjetur diamante për muaj të tërë dhe janë jashtëzakonisht shumë të varfër, transmeton Koha.net.

Megjithatë, në një vend ku papunësia e të rinjve shkon në 70 për qind, gërmimi së paku ofron një formë mbijetese.

Shumica e burrave gërmojnë në trupe prej tre personash. Philo punon me tre miq.

Njëri prej tyre zhytet për të mbushur një kovë me baltë nga shtrati i lumit, ndërsa tjetri e mban atë në mënyrë që të mos e merr rryma.

I treti merr kovën dhe e zbrazë atë në tumë. Porsa të mbushet mjaftueshëm, nis shoshitja.

Tre burrat i shkëmbejnë rolet rregullisht, për të mos u mërdhirë shumë.

Philo ankohet për të dridhurat që i përjeton pasi del nga uji e për t’u ngrohur pi rum të lirë.

“Kjo punë është e vështirë dhe të lodh fizikisht – nëse do të kisha kualifikimin apo mundësinë që të bëja një punë tjetër, do ta bëja menjëherë”, thotë ai, transmeton Koha.net.

Zona moçalore përreth lumit është gërmuar nga minatorë artizanalë për shumë kohë. Në fund, pas tre orësh shoshitje, Philo gëzohet tej mase pasi ka gjetur një diamant të vogël.

Disa minatorë janë në gjendje të investojnë në atë që është e njohur si “roker”.

Ata përdorin një çorapë të energjisë për t’ia hequr ujin baltës. Në momentin që mbetet vetëm balta, atëherë e kanë më të lehtë të shohin ndonjë diamant vezullues.

Por Philo nuk e ka këtë luks.

“Nuk na e mban xhepi këtë lloj makinerie, na duhet t’ia dalim me vetëm një kovë, lopatë e sitë”, thotë ai, transmeton Koha.net.

Në tregun lokal, një sitë e tillë kushton rreth 3.5 funte.

Porsa Philo gjeti diamantin, ai e kreu punën më herët dhe u nis për në qytet me ekipin e tij.

“Kjo ishte një ditë shumë e mirë, nuk kemi parë diamant për pothuajse një muaj”, thotë ai i lumtur.

Gjatë rrugës për në shtëpi, ai takon vëllanë e tij më të madh jashtë një dyqani. Ata përshëndeten me njëri-tjetrin para malit shkëmbor me kimberlite që është krijuar nga shpërthimet e kryera nga “Koidu Holdings”.

Philo thotë se ai është xheloz ndaj makinerisë dhe pasurisë së tyre, posaçërisht tani që diamantet në vendin ku ai gërmon po harxhohen.

Në shtëpi, Philo pushon në dhomën e tij me xhaxhanë e tij.

Gjatë konfliktit, nëna e tij u vra nga rebelët, jashtë dhomës ku ata tani po qëndrojnë.

E tërë shtëpia e tij u dogj dhe atij iu desh ta rindërtonte atë.

Ditën pasuese, Philo niset për në qytetin Koidu për ta shitur diamantin në një zyrë në qendër të qytetit, transmeton Koha.net.

Çmimi për karat të pastër shkon në 3,200 dollarë, ndërsa shumë më pak për diamantet e pastërtisë së dobët.

Philo fiton vetëm 35 dollarë për gjetjen e tij, por është i kënaqur sepse doli të ishte shumë më shumë se që po e priste.

SHKARKO APP