Jaupaj: Zonat e mbrojtura, katalizatorë të zhvillimit lokal dhe turizmit
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, deklaroi sot se “Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë dorëzuar dosjen e aplikimit për përfshirjen e liqenit të Shkodrës në listën e UNESCO-s”.
Në aktivitetin “Për Ty Natyrë”, ku u diskutuan prioritetet për mjedisin dhe pyjet në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Jaupaj theksoi se “Liqeni i Shkodrës është një pasuri natyrore e Shqipërisë që do t’i bashkohet pasurive botërore të UNESCO-s”.
Ai shprehu mirënjohje ndaj Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me UNESCO-n për rezultatet e arritura gjatë këtyre viteve. “Këto rezultate na motivojnë të bëjmë më shumë, në radhë të parë për qytetarët dhe për integrimin europian”, shtoi ai.
Ministri Jaupaj nënvizoi objektivat deri në vitin 2030: “Synojmë që 100% e zonave të mbrojtura të kenë planet e tyre të menaxhimit, të finalizojmë rrjetin Natura 2000 si një kriter i qartë i nënkapitullit të natyrës me BE-në, dhe zonat e mbrojtura të shndërrohen në qendra të zhvillimit lokal, turizmit dhe inovacionit natyror”.
Ai bëri të ditur edhe nisjen e një strategjie për pyjet, që sipas tij “harmonizon shkencën, restaurimin ekologjik, digjitalizmin dhe pyllëzimin inovativ”.
“Në buxhetin e Ministrisë për Mjedisin për vitin 2026 kemi një zë të veçantë për programin e pyllëzimeve me dron, që do të zhvillohen fillimisht në Parkun Kombëtar të Dajtit, në bredhin e Hotovës në Përmet, Parkun Kombëtar Lurë dhe Malin e Dejës, duke garantuar rigjenerim të saktë dhe më të shpejtë”, njoftoi Jaupaj.
Ai shtoi se “zonat e mbrojtura, pyjet, ujërat dhe biodiversiteti përbëjnë identitetin ekologjik të Shqipërisë dhe janë aseti ynë kombëtar”. Pas 10 viteve të punës së AKZM-së dhe moratoriumit të pyjeve, i cili ka rikthyer qetësinë në mbi 1 milion ha pyje, Jaupaj theksoi se ka ardhur koha për të krijuar një model të ri që i përgjigjet sfidave dhe ambicieve të kohës.
Ministri tha gjithashtu se standardet e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës do të unifikohen në një zinxhir të qartë përgjegjësish, me struktura të organizuara dhe vizion inovativ për zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme.
“Që nga janari 2026, kjo qasje do të sigurojë menaxhim unik të pyjeve dhe zonave të mbrojtura, vendimmarrje të bazuar në të dhëna shkencore, monitorim të biodiversitetit dhe kontroll të qartë të territorit”, tha Jaupaj.
Ai përmendi gjithashtu shembuj konkretë të suksesit, duke thënë se zonat e mbrojtura mund të jenë katalizatorë të zhvillimit lokal, përfitues të të cilave janë komunitetet që jetojnë aty. Parku Kombëtar i Vjosës është një shembull i jashtëzakonshëm, pasi është pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s.
KOHA JONË SONDAZH

