Jehona e virtyteve shqiptare
Nga Shaban Sulçe
Kur poetët e Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri, Çajupi, Jeronim De Rada, Asdreni etj në veprat e tyre letrare lartësonin virtytet dhe vlerat e shqiptarëve, me të drejtë mund të lindte pyetja nëse kjo ishte vetëm një trumbetim propagandë, që tentonte të zgjonte një popull të robëruar. Por Koha, konfirmuesi më i çmuar u dha atyre të drejtë, pasi populli shqiptar është zgjuar, ka bërë progres dhe ka bërë jehonë, pikërisht në saj të këtyre vlerave dhe virtyteve të lartësuara nga mendjet e ndritura të tij në shekullin e 19-të. Ky komb, autokton në trojet e një vendi të vogël që mezi gjendej në hartën e globit, ka ditur ti transmetojë këto vlera dhe virtyte në momente të rëndësishme botërore, duke e bërë Shqipërinë të njohur e të vlerësuar. Liria, Besa, Mikpritja, Respekti dhe Toleranca nuk janë virtyte poetike, por janë virtyte që e bën Shqipërinë të njohur, shpesh herë dhe shembull të jashtëzakonshëm për popujt e tjerë të kontinentit evropian e më gjerë.
Liria
Lufta për liri, është virtyti më i çmuar i shqiptarëve, të cilët e kanë fituar atë me gjak. Nuk ja u kanë dhuruar, por kanë sakrifikuar qindra dhe mijëra djem dhe vajza, burra e gra, për të cilët atdheu ka qenë më i shtrenjtë se çdo gjë tjetër. Shqiptarët kanë ditur ta shpalosin këtë virtyt përballë çdo pushtuesi, por në historinë e kombit shqiptar janë dy momente të rëndësishme të cilën kanë bërë jehonë botërore. Së pari lufta për liri e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili u kthye jo vetëm në një mbrojtës të Shqipërisë, por edhe në një mbrojtës të Evropës nga Perandoria Osmane. Po aq i rëndësishëm, po aq jehonë, po aq deçiziv ka qenë edhe rreshtimi i Shqipërisë në koalicionin botëror kundër nazi-fashizmit. Ishte pikërisht ky moment, i cili e rreshtoi Shqipërinë në anën e fituesve, në anën e mbrojtësve të vlerave të lirisë dhe demokracisë. Dhe për këtë ndihemi shumë krenarë…
Besa
Për shumë të huaj, koncepti BESË i shqiptarit pak i njohur, pak i kuptueshëm. Ky term ka befasuar popuj të mëdhenj të botës, ndër ta padiskutim hebrenjtë, të cilit prej këtij virtyti të shenjtë të shqiptarëve patën mbështetje të drejtpërdrejtë. Është fakt i vërtetuar se populli shqiptar jo vetëm që strehoi me mijëra hebrenj gjatë luftës së dytë botërore, por asnjë prej tyre nuk ju dorëzua ushtrisë naziste. Një dokumentar historik, i quajtur pikërisht BESA është transmetuar në Kongresin Amerikan, si dhe në sallonet elitare të politikës botërore për të vlerësuar këtë virtyt të çmuar të shqiptarëve. Dhe sigurisht për këtë, ndihemi shumë krenarë.
Mikpritja
Dera e shqiptarit gjithmonë ka qenë e hapur për mikun, por mikpritja e tij bëri jehonën e botës, kur në Krizën e Luftës së Kosovës, shqiptarët hapën dyert e shtëpive për rreth 1 milion vëllezër të tyre kosovarë. Mediat botërore u habitën nga ky fakt, ato i bën jehonë madhështore mikpritjes së shqiptarëve të varfër e të dërrmuar nga kriza e brendshme e 97-ës, por për shqiptarët kjo ishte thjesht realizimi I virtytit të trashëguar ndër shekuj e ndër histori. Dhe për këtë sigurisht që të gjithë ne, ndihemi shumë krenarë…
Respekti
Janë dy momente shumë të rëndësishme ku në saj të respektit Shqipëria dhe shqiptarët kanë hyrë në histori, si një popull me vlera të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për vizitën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.George Bush dhe vizitën e Atit të Shenjtë, Papa Françeskut. Teksa vizita të tilla në shumë vende të botës ose priten me protesta, ose me incidente, për Shqipërinë këto ditë u kthyen në një ditë feste kombëtare. Entuziazmi, mikpritja dhe respekti I shqiptarëve bën xhiron e botës në mediat ndërkombëtare, të cilët u bënë jehonë të jashtëzakonshme këtyre vizitave. Dhe për këtë, sigurisht që nuk ka shqiptarë të mos ndihet krenarë.
Toleranca
E jashtëzakonshme ajo që ndodhi të dielën në Parisin e tronditur, nga sulmi mbi gazetarët e revistës “Charlie”. Përpos solidarizimit të 2 milion e më shumë njerëzve dhe liderëve botërorë në luftën kundër terrorizmit, pak kush do ta kishte menduar që mesazhi më madhështor, më I goditur e më I gjetur për botën do të vinte nga Shqipëria. 4 Përfaqësuesit e besimeve fetare i, së bashku krah për krah, ecën përgjatë rrugëve të Parisit , duke dëshmuar se Shqipëria sot ka një virtyt që ndoshta edhe shumë vende të zhvilluara nuk e kanë. Ata dhanë mesazhin se sa e rëndësishme është toleranca fetare, harmonia mes besimeve në mes një populli, e në mes popujve. Aq madhështor ishte demonstrimi i këtij virtyti, saqë çdo shqiptarë që do të ishte atë të diel në rrugët e Parisit, nuk do të hezitonte të thërriste me krenari “Je Suis Albanaise”.