Jemi të lirë të luajmë futboll
Nga Ilir Levonja
Ca gërrvërre ''patriotësh'' kanë filluar brenda dhe jashtëbrenda Shqipërisë. Kosova dhe Shqipëria luajnë nesër, futboll. Ca gërrvërre mistrecësh. Që më shumë se halli i kombit. I përfaqësueve. Duan që t'u shkoj e tyrja. Ca inate që vetëm ata e dinë se me kë i kanë. Ca inate që të bëjnë të thërrasësh sërish serbët. T'u thuash rrini në kufi me tanke që shqiptarët të kuptojnë një herë e përgjithmonë që janë shqiptarë. Ca gërrvërre që jo flamuri blu, jo i kuq. Ky tradhtari. Këta që na vjedhin gurët e shtëpisë. Këta çuna që janë prej këtej apo prej andej. Shife si deklarohen. Shiko se çfarë tha ky. Dhe si ia ktheu ai. Dëgjo sepse nuk duan të vinë tifozët kuqezi. Ca gërrëvërre prej ithtarësh arkaik …, nga skutat më të prapambetura, më vulgaret. Ca gërrvërre të tipit të atij futbollisti shqiptar që qan atë që iku. Duke i quajtur me fat djemtë shqiptarë nga të katër anët e botës. Jashtë Shqipërisë dhe jashtë Kosovës, Maqedonisë apo Malit të zi. Si djem që nuk e eci në vendet ku janë ndaj zgjodhën Shqipërinë. Po je se kushedi se çfarë janë? Ca gërrvërre që kanë kulturën nga territoret e vilajeteve shqiptare prej Perandorisë Osmane. Dhe ti mendon se koha ka shkuar. E kaluara ka mbetur atje larg. Jo, aspak. Qoftë edhe kur një i vetëm, një… Shkon e vritet në Siri. Lufton e shan çifutët. Apo zihen mbi të drejtën e territoreve palestineze. Të thuash se edhe ILIRIA e tyre është gadishulli i fiseve nga Egjipti i lashtë. Që quhet Palestinë. Vendi i tyre, apo kombi i tyre. Dhe nuk e kanë për gjë të vriten…, në emër të vëllezërve arabë. Në emër të ndjenjës së tyre të lart karshi islamizmit. Ta dini janë ata që akoma nuk e besojnë Kombin. Akoma nuk e bëjnë dallimin. Megjithëse janë gati të shqyhen në thirrjet e ''patriotëve'' që asnjëherë nuk i janë dashur këtij dheu.
Në vitet e ekzistencës së saj e gjora Shqipëri, nuk ka pasur asnjëherë kombëtare futbolli. Si mund ta quaje të tillë brezin e djemve të artë. Nga Boriçi e deri tek Demollari. Kur ata përfaqësonin, në bazë të tekave, inatit apo direktivave të partisë shtet. Gjysmën e Kombit.
Si mund ta quaje të tillë, pra kombëtare, brezin me djemtë e artë të Kosovës, Vokrri, apo ndonjë tjetër që luanin për Federatën Jugosllave. Për Jugosllavinë e Titos. Kombëtaren e shqiptarëve. Si mund të quaje kombëtare, edhe ata shqiptarë të Maqedonisë apo Malit të zi, që përfaqësonin po Jugosllavinë. Pa përmenduar edhe ata bij emigrantësh të natyralizuar nëpër botë, në vendet ku jetonin e ndërtonin të ardhmen.
Në historinë e shqiptarëve është viti, shekulli, realiteti. Që shqiptarët kanë Kombëtaren e tyre. Deri tani janë përfaqësuar. Nuk kanë patur një të tillë. Po. Dhe u dha rezultati. Shqiptarët…. që deri dje tifozë të kombëtareve nëpër botë. Nga deti i veriut, në vendet e ulta…, deri tek Amerika e largët në jugun e globit. Tifozë ekranesh, sheshesh, bastesh, fanellash, flamujsh. Tifozë që nga dashuria për ata lojtarë te rracave të ndryshme. Ua përjetuan emrat te fëmijët e tyre. Madje pa u dridhur qerpiku për traditën. Ndaj i lini gërrëvërret. I lini sedrat e djemve. Epitetet. Marritë kolektive të ngjyrës blu apo të kuqe. Se do i bëni me turp heronjtë. Ata që ne u thërrasim Nderi i Kombit. Jemi të lirë, le të luajmë futboll.