Jemi zyrtarisht në luftë
Që të mërkurën, jemi zyrtarisht në luftë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, zgjodhi të çojë një ministër aktual për ndjekje penale për CEZ, ditën kur Edi Rama gjendej në Pragën e CEZ dhe Ilir Meta, i akuzuari i CEZ, nisi udhëtimin e tij të gjatë jashtë shtetit, udhëtim që pritet ta përfundojë pas nja një muaji, pasi të shkelë në Bruksel, Paris, Budapest e Uashington. E gjitha kjo që nisi të ndodhë të mërkurën, ka një shpjegim të thjeshtë.
E para, gjithë lëvizjet e papastra në këtë vend janë bërë kur autorët e vërtetë apo shënjestrat e vërteta, nuk kanë qënë në Shqipëri. Rastet janë të shumta dhe s’kam ndërmend t’i përmend, por po shpjegoj se kush është autori dhe viktima në këtë rast.
Autori NUK është KLSH. Vetë i akuzuari Gjiknuri, i cili nuk është qëllimi kryesor i këtij sulmi e pohoi këtë, kur e quajti KLSH jo organ në varësi të PD, por të “mazhorancës së shkuar”. Mazhoranca e shkuar është PD plus LSI. PD është në rregull se opozitë është, por raporti LSI – KLSH meriton një shpjegim të vogël.
Sot, veç Presidentit dhe kreut të SHISH, janë edhe disa drejtues institucionesh të cilët janë në këto poste, ose jashtë mandatit, ose në fund të një mandati të marrë në kohën e PD. I tillë është shefi i Fondit të Zhvillimit, Benet Beci, apo kreu i KLSH Bujar Leskaj. Të dy këta, dihet botërisht se nëse janë akoma në këto pozicione, janë, veç meritave personale, edhe për shkak të mbështetjes që u ka dhënë Ilir Meta, partia e të cilit i ka votuar kur ishte në pushtet me Berishën. Për Bujar Leskajn, pikërisht para shkruesit të këtyre radhëve, gjatë një interviste një vit më parë në Top Story, kreu i Kuvendit pati deklaruar se “ndonëse është ende herët, nëse do të votohej sot, ai do të rivotonte Bujar Leskajn ne krye të KLSH”. Një javë më parë Edi Rama u detyrua të mbrojë Llallën, që dikur donte ta çonte në shtëpi, pasi u detyrua të hidhte poshtë hetimin ndërkombëtar, të cilën e kërkoi me ironi partneri i tij kryesor politik.
Një tjetër “protégé” i kreut të LSI dhe armik ekstrem i shpallur dikur si i tillë nga vetë Rama, mori pafajësinë. Fullani tashmë është i lirë të kërkojë edhe dëmshpërblim për fyerje publike dhe prishje të imazhit, pasi “avokati i Aldo Bares”, i cilësuar dikur nga Berisha, e shpalli të pafajshëm ish-guvernatorin e Bankës. Një provë force e ish kryeministrit skraparlli, se reforma në drejtësi nuk mund të bëhet, pa e pyetur atë dhe se ndikimi i tij është edhe aty ku nuk të shkon mendja: tek njerëzit më të afërt të Fatmir Xhafës. Ilir Meta dhe plani i tij cinik i hakmarrjes shkoi edhe më larg këtë javë, kur mes dy ceremonive të dekorimit të Kombëtares, atë të Kryeministrit dhe të Presidentit, kreu i Kuvendit zgjodhi atë të Nishanit, njeriut që ai vetë e zgjodhi president me katër votat e tij, në prill 2012.
Por beteja e Metës vetëm nisi ditën e hënë. Aktet e saj janë hartuar shumë më herët. Në netët e errëta, kur në zyrën e tij i vetmuar u bind se treshja e ministrave Tahiri, Ahmetaj, e sidomos Gjiknuri, ishte përgjegjëse për ridaljen në skenë të një prej dosjeve më të errëta të CEZ, dhe të një afere që i rrezikonte buxhetit të shtetit 135 milion euro edhe pas “vdekjes”. Kur i thonin se telefonin ja kishin vënë nën përgjim, se Ismailajn ja kishin vënë në izolim dhe Matajn nën mbrojtje. Me qëllimin për t’i mbajtur larg tij. Një izolim total ndaj një çështjeje ku ai më së paku nuk është fajtor i vetëm dhe as i vetmi “dorëgjatë”. Jo më kot, gjithë këto ditë, ka qënë Ilir Meta personalisht që ka akuzuar direkt ministrin e Energjitikës, për një aferë ku me gjasë ai ka ushtruar indirekt influencën e tij shtetërore, në favor të disa bizneseve të njerëzve të afërt me pushtetin, por jo me Ilir Metën. Por mesa duket kjo bombë tymuese e kreut të LSI, ashtu si ikja e tij e papritur pikërisht dje në Francë, kur KLSH plasi bombën Gjiknuri, kanë qenë lëvizje të llogaritura.
Kreu i KLSH, i cili veç të tjerave njihet si mik i njerëzve më të afërt të Metës, duket se tashmë ka nisur luftën për llogari të kreut të LSI. Dhe mesa duket nuk do të jetë i vetmi. Dhe beteja nuk është personale mes Metës dhe Gjiknurit. Gjiknuri është vetëm një dëm anësor, pasi synimi duket i qartë: ndryshimet në qeveri. Jo si domosdoshmëri impulsesh të reja, por si provë e forcës së tij brenda koalicionit. Forcë e vënë në dyshim nga afera e CEZ dhe ftohja e supozuar me ndërkombëtarët. Dhe të mërkurën këto dy dilema u zgjidhën njëkohësisht: me udhëtimin në Francë dhe me padinë e KLSH ndaj Gjiknurit, menjëherë pasi avioni me të cilin udhëtonte Meta, bëri “take off” nga pista e Rinasit.
Të martën në mbrëmje Sali Berisha i parapriu këtij kundërsulmi të Ilirit, kur i bëri Metës mbrojtjen finale: “Sistemi me prim eleminon kingmaker-in. Shpresoj shumë që Rama dhe Basha mos ta bëjnë këtë për të eleminuar Metën”. Ndodhi kjo, pak orë pasi i besuari kryesor i Doktorit, ktheu vizitën në qelinë e Ballist Morinës, pasi atje kishte qënë së pari i besuari kryesor i Ilirit, baba Taku. Qokat janë qoka. Edhe në kohë lufte.
Lufta pra ka filluar. Ashtu si dimë t’i bëjmë ne shqiptarët: kaotike dhe pa një analizë të qartë risku dhe dëmesh anësore. Por me një qëllim të qartë. Dhe hakmarrja e Metës duket se qëllimin e ka të tillë. Dhe mesa duket i ka të mëdha, edhe dëmet anësore.