Jeni shtatzënë? Ja sa do paguheni

Procedura dhe mënyra se si mund të përfitoni nga barrëlindja. Për herë të parë ligji i njeh të drejtën e përfitimit të të ardhurave edhe një nëne që birëson një fëmijë nën 1 vjeç

Kriteret për të përfituar lejen e lindjes nuk kanë ndryshuar dhe për ta përfituar duhet të keni 12 muaj periudhë sigurimi për çdo rast leje lindje. Por pagesa që marrin gratë në rast lindjeje ka pësuar ndryshime, është pakësuar baza mbi cilën llogaritet përfitimi.

Kriteret

Kështu pagesa për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Ndërkohë që periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve. Pagesa për barrëlindje për gruan e siguruar është 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes. 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim. Pagesa për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi llogaritet sipas pikës 3, të këtij neni. Për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Birësimi

Nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna.

Kompensimi

Gruaja e siguruar, që me vendim të komisionit mjekësor kompetent ndryshon vendin e punës për arsye shtatzënie, ka të drejtë të përfitojë kompensim të ardhurash për pakësimin që pëson nga ndryshimi i vendit të punës. Ky kompensim jepet në rast se është derdhur kontribut për një kohë jo më pak se 12 muaj. Shuma e të ardhurave që do të përfitohet për kompensim është e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vendit të punës të mëparshëm dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë së 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit, nga data e lindjes të së drejtës për pagesë.

Pagesa

Kohëzgjatja maksimale e lejes së lindjes në Republikën e Shqipërisë mbetet 365 ditë dhe gjatë kësaj periudhe gruaja me leje lindje merr përfitimet në varësi të statusit të saj të punësimit. Në llogaritjen e masës së përfitimit ndryshimet ligjore kanë futur konceptin Pagë Neto si një koncept kontabël, kundrejt konceptit dhe termit që njeh e Drejta e Punës e që është Paga. Paga apo në terminologjinë kontabël Paga Bruto, është  shpërblim i të punësuarit (punëmarrësit) për punën e kontraktuar.  Nga paga bruto zbritet 9.5 për qind e pagës si pjesa e sigurimit shoqëror që i përket punëmarrësit apo të punësuarit; zbritet 1.7 e pagës si pjesa e sigurimeve shëndetësore të paguara nga punëmarrësi i punësuari; gjithashtu zbritet tatimi mbi të ardhurat nga paga, i cili ndryshon sipas vlerës së pagës. Ajo çka mbetet përbën atë që në kontabilitet njihet si Paga Neto, dhe është pjesa e pagës që i punësuari merr neto.  Paga Neto është gjithnjë më e ulët se Paga Bruto. Diferenca mes tyre, në vartësi të pagës është nga minus 11.2 për qind për pagat e patatueshme deri në minus 34.2 për qind për pagat të tatohen në masën njëzet e tre për qind. Më poshtë është përllogaritur se sa është vlera e pagës neto për fasha page bruto nga 30 deri 150 mijë lekë, sikurse diferenca në vlerë mes tyre.

Përllogaritja

Duke filluar nga 1 Janar 2015 e ardhura për gruan e punësuar do të jetë për gjashtë muajt e parë të leje lindjes: a) 80% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes. Koncepti Bazë Neto i shtuar në Ligj, ka sjellë efekte pakësuese në përfitimin e leje lindjeve pas datës 1 janar 2015 kundrejt leje lindjeve të përfituara deri në 31 dhjetor 2014. Konkretisht një grua ka pagën e deklaruar tridhjetë mijë lekë, nëse do të merrte leje lindje para datës 31 dhjetor 2014 do të përfitonte në gjashtë muajt e parë pagesën për leje lindje mujore prej 24 000 lekë; nëse ajo merr leje lindje pas datës 1 janar 2015 përfitimi mujor në gjashtë muajt e parë të leje lindjes do të jetë vetëm 21 312 lekë, (bazuar në analizën e Open -data).

SHKARKO APP