Jo 102 vjet shtet, 102 vjet luftë për pushtet

Nga Zef Shtjefni

E nisëm historinë e shtetit tonë me Ismail Beun, të cilin as të zbarkonte në Durrës nuk deshëm ta linim. Kemi shkruar në histori se ishin serbët, që iu sulën, por në fakt, ato ditë, serbët ishin larg Durrësit. Nuk pati nevojë për serbët, sepse kishim mjaft skalione shqiptarësh të errësirës osmane, që nuk donin as zbritjen në tokë të Ismail Qemalit, as shpalljen e pavarësisë nga Turqia, as krijimin e Qeverisë e të Shtetit shqiptar. Ndërsa, kur e shpalli mëvetësinë e Shqipërisë Ismail Bej Vlora, të gjithë pashallarët e vendit iu sulën “bakllavasë”. Donin të gjithë të hynin në Qeverinë e tij, të bëheshin ministra apo kryeministra dhe desh e shqyen për së gjalli Plakun e urtë të Vlorës, i cili ishte vite drite larg prej tyre nga kultura, inteligjenca, nga përvoja e largpamësia politike. Po të mos ishte Dom Nikoll Kaçorri dhe kleri katolik, po të mos ishte aq i zoti djali i Ismail Beut, Ai mund të mos kishte mbërritur gjallë në Vlorë, e mbase, as mund të ikte i gjallë që andej. Megjithatë, u detyrua të ikte nga Vlora pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të Qeverisë së Parë. Nuk iku as nga frika prej serbëve, as prej grekëve dhe as prej turqve. Iku prej shqiptarëve, prej sherreve, prej pengesave e hasmërive të pafund, që plasën mes tyre nga lakmia për pushtet. Flitet se dhe e helmuan në Itali, ku dhe vdiq, i shkreti Baba i Shtetit tonë. Pas dështimit të Ismail Qemalit drejtimin e vendit europianët ia besuan Princ Vidit. Menduan se shqiptarët do t’i lënë sherret mes tyre për pushtet, nëse do u dërgonin një të huaj në krye të shtetit. Mirëpo barbaria shqiptare e kohës, më në krye Toptanin e gjithë sojsorollopin e ngjashëm me të, bënë çdo përpjekje për t’ia rrënuar projektet dhe punën Princit europian në ngritjen e shtetit të shqiptarëve. Pas ikjes së Vidit dhe pas Kongresit të Lushnjes shqiptarët u përpoqën edhe një herë ta ringrenë vetë shtetin e tyre, sipas modelit europian. Mirëpo, mjaftoi vrasja e Avni Rrustemit në Vlorë që të shpërthente Revolucioni i Qershorit, i cili e shkërmoqi në pak ditë Qeverinë e Ahmet Zogut, njësoj si atë të Sali Berishës në 1997-ën. Me dhunë e me luftë u dëbua Qeveria e ligjshme dhe fituesit zgjodhën si kryeministër të ri të vendit klerikun Fan Noli, i cili ashtu siç e mori dhe e dorëzoi qeverisjen e tij të shkurtër. Pas 78 ditësh çetat e Zogut, të armatosura në Mal të Zi dhe të përforcuara në Malësitë e Shkodrës dhe Matit, rimorën me dhunë pushtetin e humbur, duke e konsoliduar traditën e ndërrimit me luftë të qeverive mes shqiptarëve. Zogu, që ta linin të qeveriste i qetë, degdisi dhe vrau të gjithë kundërshtarët politikë, ndër ta dhe patriotët e mëdhenj: Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Isa Buletinin, Luigj Gurakuqin etj. , etj. Për ta përjetësuar pushtetin e tij, u vetëshpall mbret i shqiptarëve, deri sa erdhën fashistët e Duçes në 1939 dhe e flakën tutje në emigrim. Enveri më vonë e kopjoi shumë Ahmet Zogun, jo vetëm gjatë ushtrimit me tirani të pushtetit personal, por dhe gjatë luftës, duke shkrehur një fishek nga gjermanët e dy nga ballistët. Më pas, për ta mbajtur 45 vite mbretërimin e tij komunist mbi shqiptarët vrau e preu shokët e luftës, shokët e punës e deri Kryeministrin e vet. Vari në litar e kalbi burgjeve këdo që guxonte të mendonte apo fliste ndryshe dhe gjithë njerëzit e rrezikshëm të mendjes së këtij vendi.

Po Fatos Nano dhe Sali Berisha, çfarë sistemi politik, çfarë pushteti ushtruan dhe çfarë shteti na ndërtuan në këtë çerek shekulli? Na thanë se sollën demokracinë. Por në fakt u bënë autorë të ndërtimit të një kaosi dhe anarkie të madhe, sa vështirë do ta ketë dhe Edi Rama tani, t’ia gjejë fillin. Nëse Zogu dhe Enveri luftën për pushtet e zgjidhën që në fillim me tytën e pushkës, Berisha e Nano nuk kishin mundësi të vrisnin kollaj njeri në sistemin e ri. Ama dhe ata e kultivuan aftësinë e eliminimit të kundërshtarëve dhe konkurrentëve të tyre brenda e jashtë partisë. Berisha e filloi me burgosjen e Nanos, duke e akuzuar për ca kutia ndihmash. Më pas qëroi Selamin, Brozin e sa e sa të tjerë, duke i degdisur larg në Amerikë. Më pas akoma u vra Azemi , të cilit ende sot e kësaj dite nuk i dihet pseja. Nuk dihet nëse vrasja e tij qe luftë për pushtet brenda partisë, apo luftë për pushtet për mosmarrjen me dhunë të Qeverisë. Apo ndonjë arsye tjetër?! Nanos iu duk vetja aq i fuqishëm, sa filloi të luaj si macja me miun, kur ua jepte e merrte sa herë donte Qeverinë Majkos e Metës, deri sa i ndeshi hunda në lesh me Edi Ramën. Kjo traditë e keqe e luftës për lakmi e pushtet dhe jo për të bërë shtet, po vijon edhe sot me skenarë killerash, me akuza dhe shpifje djallëzore, me mitingje kërcënuese me kauza koti etj. Edhe po ndodhi ndonjë vrasje, askush nuk duhet të çuditet, sepse këtë lloj çorbe kemi gatuar tash 25 vite. Autorët nuk e kanë hallin as të populli dhe as të forcimi i demokracisë dhe shtetit shqiptar. Ata synojnë vetëm pushtetin dhe për te i sulën me egërsi çdo pengese. Synojnë injorimin e verdiktit zgjedhor të shqiptarëve. Synojnë që të mos lejojnë Qeverinë e superligjëshme të ushtrojë mandatin. Synojnë bllokimin e Parlamentit dhe të gjitha reformave jetike, që ka nevojë vendi. Lufta politike, si sot dhe mot këtu, është një refren që përsëritet dhe nuk ka lidhje aspak me opozitarizmin normal të një vendi demokratik, por thjeshtë është një luftë e çmendur e shqiptarëve për salltanetet e pushtetit, që vijon të dëmtojë e shkatërrojë shtetin tonë europian, që ëndërrojmë të ndërtojmë prej 102 vitesh. 

SHKARKO APP