Jo  kështu…

Nga Thoma Goga

Sebep për këtë shkrim u  bë një ngjarje tërësisht  reale. Kur erdhën autokombajnat e reja nga Gjermania në fushat e Myzeqesë, ca u gëzuan, ca u inatosën, ca u çuditën. Të gëzuarit ishin ata që kërkonin zhvillimin e bujqësisë dhe shtimin e teknologjive të reja për të rritur prodhimet bujqësore. Të inatosurit nuk i zinte gjumi natën se “po bënim “krushqi” me gjerman “agan”, që na kishte vrarë, djegur e prerë…”. Nejse. Ajo kohë kishte perënduar dhe gjerman agai thonë se ishte “penduar”. Prandaj i sillte autokombajnat si një lloj dëmshpërblimi. Meqë ishin brenda garancisë, vetë gjermanët punësuan rojet, që u porositën që t’i ruanin mirë kombajnat se ishin të shtrenjta. Po gjermani si gjerman. Na e njihte kokën ne albanezëve. Kur solli këto makineri, i kishte pjellë mendja një marifet. Bashkë me autokombajnat solli edhe ca fshesa alla frënga me bisht të gjatë. Po fshesat ç’punë kishin me kombajnat? Duroni e ta merrni vesh. Kështu shtoheshin të çuditurit se këtu fshiheshin marifetet. Përmes një shqiptari që dinte “gjermançen”, u paskësh thënë se asnjë mushkonjë nuk duhet të prekë kombajnat. “Marrin infeksion”, gjoja.  Dhe rojet, që paguheshin mirë, e “hëngrën marifetin”. Gjithë natën vinin anës kombajnave duke “luftuar” me mushkonjat. Ujë në djersë bëheshin fakirët. Ato ditë, një nga rojet më pyeti pa të keq.

– Si njëri “i kënduar” që je, dua të di, çfarë e gjen kombajnën nga mushkonjat?

Unë vura buzën në gaz dhe i thashë  të vërtetën;

– Asgjë nuk e gjen llamarinën, po fshesat janë “shpikur” për t’u vënë juve në lëvizje e të mos ju zërë gjumi…

– Hë, maskarai,- shau roja,- ama kështu na qenka puna.

Po atë natë roja ja futi gjumit me “fërrez”. Po atë natë erdhi për kontroll gjerman “agai”. Meqë nuk dinte “albanezçe” dhe roja nuk dinte “gjermançe”, i nxori kartoni e verdhë… E kuptoi fakiri se ishte i paralajmëruar dhe  nuk iu nda mushkonjave deri në mëngjes. E dinte mirë se pas “të verdhës” vjen “e kuqja”…

Kjo ngjarje reale më erdhi në mend vite e vite më pas kur ndodhi një tjetër mesele, afërsisht si kjo. Sado larg në kohë, duket se kishte një lidhje mes tyre.

 Ishin katër shokë. Të katër “qejfli rakie”. Po dhe mendjehollë si “qejfli llogarie”. Meqë gratë nuk u linin asnjë kokërr leku,  kishin “shpikur” marifetin e “rrotacionit”. Me një fjalë, “ftonin” njëri-tjetrin në shtëpi e pinin raki. Në fillim gratë shanin, truanin e mallkonin. Vetëm në shtëpinë e njërit, çdo gjë shkonte vaj. Për më tepër ky ishte edhe kollovar. D.m.th, jetonte në shtëpinë e gruas. Pjatat dhe gotat mbusheshin pa fjalë, pa sharje e mallkime. Habiteshin tre shokët e tjerë. E një ditë e pyetën:

– Ore, ne në shtëpitë tona e gratë janë gati të na therin. Nga hundët na del ajo e shkretë raki. Tek ti, që je dhe “jabanxhi”, na gjen rehat shpirti.  Të gjithë na shërbejnë si ushtarë të bindur.

– E di si është puna, or’ byrazerë, – filloi rrëfimin “kollovari”. – Kur hyra në fillim si dhëndër tek kjo shtëpi, të gjithë më shihnin në kokordhokë të syrit. Kuptohet, nuk m’i dinin huqet. E ku më njihnin?! Nuk më njihte as qeni i shtëpisë që filloi të lehte nëpër këmbët e mia. Ia futa me shkelm sa kuisi e ulëriu nga dhimbja. Po ai kishte qenë qen bir qeni. M’u turr prapë. Dhe unë prapë ia futa me shkelm e i nxora kartonin e verdhë. Vjehrri, vjehrra dhe gruaja shqyen sytë. Pastaj dola për xhiro vetëm. Ja për t’u takuar juve, si do zoti sot. Kur u ktheva në darkë, prapë m’u qep ai  qeni i biri qenit me inat. Donte të merrte hak. Harroi që ishte i paralajmëruar…I futa nja dy të mira dhe i nxora kartonin e kuq. E mbërtheva dhe unë me inat. Pastaj e vërvita nga ballkoni. Vjehrri, vjehrra dhe gruaja u tulatën.

– Ore, byrazer, – u hodh njëri nga shokët, – ç’lidhje ka kjo përrallë me rakinë tonë…

– Je hajvan zotrote e nuk e kupton, – sqaroi “kollovari”. – Shërbejnë mirë se janë të gjithë me karton të verdhë…Këtu e kam edhe “të kuqin”…

Që t’i lidh këto dy meseletë e vjetra, më erdhi në mend një mesele të re, nga këto të kohëve moderne. E me këtë do t’i vë kapak. Siç dëgjojmë e lexojmë copa-copa, ky ambasadori LU që e flet mirë “albanezçen”, ka bërë shumë paralajmërime serioze për politikën dhe drejtësinë. Kësaj i thonë të nxjerrësh gjithmonë “kartonin e verdhë”. Nuk shkon kështu se “i del boja të kuqes”… Dhe unë vras mendjen; më duket se ky LU-ja nuk ka fare “të kuqe”…Po nuk pati “të kuqe”, t’i çojmë fjalë dhëndrit “kollovar”. Ky e di më mirë; si ta fus “të verdhën” e si ta nxjerrë “të kuqen”…

SHKARKO APP