Jo vetëm arsim profesional, por dhe model suksesi

Kjo është ajo çka mund të thuhet fare mirë për Shkollën e Mesme Profesionale në Kamëz, teksa përballesh me gjithë ecurinë e saj ndër vite, por në të njëjtën kohë edhe me mjediset dhe gjithë projektet që ajo ka mundur të vërë në zbatim brenda mjediseve të saj. Aktualisht, me 1247 nxënës që e frekuentojnë atë në sistemin e ditës, por edhe dhjetëra të tjerë në sistemin part-time, ky institucion publik flet për referimin gjithmonë e më shumë në rritje të qytetarëve drejt arsimit profesional, ndërsa kanë mundur të prekin ndër vite efektet pozitive që burojnë prej tij. Konkretisht, punësimin sapo mbarojnë studimet, si edhe pasjen e mundësisë për të ndjekur më tej studimet e larta, kryesisht në degën që ata janë profilizuar këtu. E duke dhënë në këtë mënyrë, një shembull të qartë të shtimit të interesit të popullatës ndaj vetë politikave të fundit qeverisëse mbi arsimin profesional, të cilat i kanë kushtuar një peshë mjaft të madhe frekuentimit të tij si një mundësi mjaft e mirë për të ardhmen ….

 

 

… Vizita në Shkollën e Mesme Profesionale të Kamzës ishte e beftë, sikundër e tillë rezultoi edhe përshtypja mjaft pozitive e krijuar prej saj. Teksa gjetëm në një mjedis të vetëm, të përmbledhur gjithë aspektet mësimore, si atë teorik, por edhe atë praktik, në një nivel që mund të thuhet se gëzon standardet evropiane, e kjo, edhe falë ndihmës së dhënë vitet e fundit nga pala gjermane, përmes GIZ. Mjafton të përmendim këtu vetëm faktin që laboratori i elektronikës brenda tij, është më i madhi në Ballkan dhe ka kushtuar plot 260 mijë euro. Sikundër, në mjediset e jashtme gjeje edhe një ofiçinë, e cila ishte riparuar nga vetë mësuesit e kësaj shkolle dhe vënë në shërbim pikërisht të praktikës mësimore për lëndët e shërbimeve të transportit, një degë e veçantë në këtë shkollë. Për të vijuar më tej, edhe me një parcelë të veçantë toke, në të cilën dje, nxënësit e vitit të parë të degës së bujqësisë aplikuan mbjelljen e grurit në praktikë. Një risi mjaft e veçantë kjo, po të mendosh se vendi ynë i kushton mjaft rëndësi zhvillimit bujqësor e kësisoj, specialistët e tij patjetër që do të jenë të domosdoshëm në vitet e ardhshme e kjo shkollë pritet të nxjerrë mjaft të tillë, teksa vetëm për këtë vit numëron 129 nxënës të regjistruar brenda saj pikërisht për bujqësinë. Që të gjithë, specialistë të ardhshëm në frutikulturë, hortikulturë dhe mbrojtje bimësh apo mekanizëm bujqësie… Të gjithë të presin mirë dhe kanë se çfarë të tregojnë në shkollën e tyre. Duke nisur që nga vetë drejtoresha Matoshi, një zonjë e qeshur, e cila me të drejtë rrëfen me entuziazëm rezultatet pozitive të arritura ndër vite në këtë institucion arsimor profesional që ajo drejton; zëvendësja e saj Adile Hyka, gjithashtu e përkushtuar; apo edhe përfaqësues të tjerë të stafit mësimor; që të gjithë të angazhuar për të nxjerrë profesionistë të së nesërmes në pesë degët: Teknologji Informimi dhe Komunikimi; Shërbim Social Shëndetësor; Shërbim Mjetesh Transporti; Hoteleri-Turizëm dhe Bujqësi. Deri edhe tek vetë nxënësit, të cilët i ndjekin me kujdes të gjitha modulet, për të mundur të përfitojnë kështu sa më shumë prej tyre, pasi në fund të fundit, do të jenë ata që do përfitojnë prej tyre dhe do përballen direkt me ushtrimin e profesionit nesër; sekret ky i arsimit profesional si i tillë. E mesa duket e kanë kuptuar, prandaj edhe shtohen çdo vit. Madje ka mes tyre edhe nxënës që i përkasin kategorisë PAK (me aftësi të kufizuara), të cilët mesa duket e kanë parë arsimin e mesëm profesional, pikërisht si një mundësi optimale për jetën e tyre të ardhshme, edhe pse me disa kufizime në krahasim me të tjerët. Sikundër, ka edhe nxënës si Aleks Ibraj, i cili pas ndjekjes së studimeve në këtë shkollë, tashmë studion inxhinieri informatike në universitet. Apo edhe nxënës që ofrojnë shërbim përkujdesjeje në azile, kopshte dhe çerdhe; që të gjithë të degës së shërbimit social shëndetësor. Të cilët luajnë njëkohësisht edhe në sporte të ndryshme si volejbolli, brenda mjediseve të shkollës. Por kjo shkollë ka edhe nga ata nxënës që kanë fituar një projekt me vlerë prej 3 mijë eurosh dhe me këto para kanë blerë mjete për klasat e tyre. Një veprim i ngjashëm ky edhe me atë të mësueses së gjermanishtes, Iva Gjergjani, e cila e ka akomoduar vetë mjedisin e punës ku jep mësim. Të gjitha këto, veprime që nuk i ndesh në të gjitha shkollat dhe që përcjellin mbi të gjitha për një model të qartë qytetarie, standardizimi dhe përkushtimi real për arsimin si të tillë…

 

 

FREKUENTIMI

 

Sa nxënës ka shkolla

dhe degët ku studiojnë

 

Numri aktual i nxënësve që frekuentojnë Shkollën e Mesme Profesionale në Kamëz është 1247 të tillë. Ku prej tyre, 309 rezultojnë të jenë femra, duke shfaqur kështu një raport në dukje në disfavor mes dy gjinive saqë duket sikur është më tepër shkollë mashkullore. Por megjithatë, duhet thënë se me kalimin e viteve, po fillon të forcohet elementi “femër” brenda saj, teksa ato janë më të shumta në shërbimin shëndetësor, realisht 196 të tilla. Në tërësinë e saj, shkolla ofron pesë degë studimi, ku njëra prej tyre është bujqësia dhe për herë të parë këtë vit, u hapën tre klasa në këtë degë. Realisht janë të regjistruar 91 nxënës në degët e bujqësisë, që kualifikohen në fruti-kulturë, horti-kulturë, agronomi etj. Sakaq, në vitin e parë janë të regjistruar 328 nxënës; në vitin e dytë 365 nxënës; në vitin e tretë 397 nxënës dhe në vitin e katërt, 134 nxënës. Kurse në shërbimet e transportit janë 323 nxënës, hoteleri-turizëm 135 nxënës, teknologji-informacioni 198 nxënës, në ekonomi-biznes 66 nxënës dhe administrim zyre 24 nxënës.

 

1247

Nxënës frekuentojnë aktualisht Shkollën e Mesme Profesionale në Kamëz, ku prej tyre, 309 rezultojnë të jenë femra.

SHKARKO APP