Johan Cruyff nuk vdes kurrë! Legjenda, i emocionuar nga përkrahja e tifozëve

 

Legjenda e futbollit botëror Johan Cruyff po kalon një nga momentet më të vështira të jetës së tij, pasi pak kohë më parë mësoi se është prekur nga kanceri në mushkëri, por mbështetja që i kanë dhënë mediat, tifozët, miqtë dhe familja po e ndihmon që të luftojë sëmundjen e rëndë.

“Mbështetja e mediave më ka ngrohur zemrën dhe më ka emocionuar. Është një sinjal shumë i fuqishëm që mbështet gjithashtu gjithë të sëmurët me kancer. Futbolli dhe tifozët treguan anën më të mirë”.

Sëmundja është një kundërshtar të cilin nuk mund ta evitosh. Në fushën e lojës, ish- sulmuesi ka fituar shumë beteja duke u kthyer në një idhull për mbarë dashamirësit e futbollit në tërë botën.

“Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të pres. Di vetëm që jam i sëmurë në mushkëri por duhet ende të kaloj edhe shumë teste. Mund të them se di emrin por jo mbiemrin e sëmundjes”.

Në intervistën e parë që dha pas diagnostikimit, Cruyff nuk kursehet me një këshillë edhe për momentin negativ që po kalon futbolli holandez, teksa nuk arriti dot të kualifikohej në finalet e “Francë 2016”.

“Situata nuk është e mirë sepse në pjesën më të madhe të ndeshjeve në Holandë lojtarët nuk dinë si të kontrollojnë një ndeshje. Në fushë vrapon lojtari që ka topin dhe jo ata që e rrethojnë dhe nuk duhet të jetë kështu”.

E megjithatë, Holanda ka se me ç’krenohet.

Në fillim të viteve 70’, falë mjeshtrit Johan Cruyff, futbolli holandez dhuroi emocione të jashtëzakonshme në fushat e blerta.  Trajneri legjendar i atyre viteve Rinus Mishels i dhuroi botës “Futbollin Total”, duke sjellë revolucion në fushat e blerta, por pranoi se teoritë e tij do të kishin marrë fund pa një lojtar si Cruyff.  

Tre herë radhazi fitues i Topit të Artë, i pari që e arriti këtë shifër, dhe tre herë fitues i Ligës së Kampionëve me Ajaksin, finalist i Kupës së Botës me Holandën në Botërorin “Gjermania 1974”, në pak vite “holandezi fluturues” u shndërrua në një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjithë kohërave.

Së bashku me Pele e Maradonën, ai u vlerësua si një nga tre lojtarët më mirë të historisë.

I lindur më 25 prill 1947  në Amsterdam, në moshën 67 vjeçare Cruyff është prekur nga kanceri në mushkëri, sëmundje që e kaloi një herë kur ishte trajner Barcelonës, në 91’, ekip të cilin e ngriti shumë shpejt në nivel botërore falë filozofizë së tij të spektaklit dhe suksesit.

Me miliona tifozë anembanë botës, jo vetëm holandezë e katalanas, i kanë  dërguar mesazhe inkurajuese në këto ditë të vështira… “Johan Cruyff nuk vdes kurrë!”  

SHKARKO APP