Johan Kruyff: Topin e Artë e meritonte Kroos, jo Ronaldo!
Fjalët e tij kanë peshë, por fakti se gjithnjë ka qenë më pranë Barcelonës, e bëjnë disi të kuptueshme dhe jo aq objektive deklaratën e legjendës së futbollit botëror, Johan Cruyff, i cili rindez polemikat rreth çmimit të Topit të Artë. Ky trofe u fitua javën e kaluar, për herë të tretë në karrierë nga Cristiano Ronaldo. Legjenda e futbollit holandez e konsideron absurd vendimin për t’ia dorëzuar këtë trofe sulmuesit të Realit të Madridit, sepse thotë se ai nuk bëri asgjë me Portugalinë në Kupën e Botës. Cruyff, 67-vjeç, e ka fituar këtë çmim në vitet 1971, 1973 dhe 1974, kur luante me Ajaksin legjendar të Amsterdamit, dhe shkruante historinë me kombëtaren holandeze. Sipas tij, në mbrëmjen gala të 12 janarit duhej të vlerësohej Toni Kroos, që u shpall kampion bote me Gjermaninë. – “Në nivelet më të lartë cilësitë individuale duhet të kombinohen me arritjet si skuadër. Nga ky këndvështrim, është absurde që për të dytin vit radhazi, Topi i Artë, i jepet një lojtari që edhe pse ka shkëlqyer individualisht, nuk ka fituar maksimumin e trofeve. Në 2013, Bayerni fitoi gjithçka, por sërish në garën për Topin e Artë triumfoi Cristiano Ronaldo, edhe pse këtë çmim e meritonte Toni Kroos, apo dikush tjetër te kampionët e Bundesligës. Në 2014 Kroos ishte një lojtar kyç për kombëtaren që fitoi Kupën e Botës, por çuditërisht nuk ishte ndër tre kandidatët kryesore për fitimin e Topit e Artë. Ronaldo ishte krejtësisht anonim në Brazil 2014. Të jetë e qartë se këtë çmim të FIFA-s nuk mund ta konsideroj më serioz,” – thekson legjenda holandeze, i pari lojtar që e fitoi tre herë këtë trofe. Përveç patriotit të tij, Marco van Basten, e francezit Mishel Platini, është edhe Cristiano Ronaldo tani, që e ka fituare tre herë Topin e Artë. Dy vite më parë Leo Messi e fitoi për herë të katërt radhazi këtë trofe, duke mbetur lojtari më i vlerësuar individualisht me këtë çmim. Ronado në vitin 2014 la pas në garë për Topin e Artë Lionel Messin dhe Manuel Noyer.