
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një takim me deputetin e Bundestagut gjerman, Boris Mijatovic, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë procesi i integrimit europian të Shqipërisë, funksionimi i demokracisë dhe sfidat me të cilat përballen institucionet shqiptare.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku bëri të ditur se gjatë takimit ka ritheksuar mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike dhe opozitës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se ky proces duhet të shoqërohet me reforma konkrete dhe rezultate të prekshme për qytetarët.
Sipas saj, integrimi europian nuk duhet të mbetet vetëm një objektiv politik, por duhet të garantojë drejtësi të pavarur, institucione që japin llogari dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Postimi i plotë
U takova me deputetin e Bundestagut gjerman, Boris Mijatovic, me të cilin bisedova për integrimin europian të Shqipërisë dhe sfidat e demokracisë në vend.
Ritheksova mbështetjen e plotë të Partia Demokratike dhe opozitës për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ky proces duhet të sjellë ndryshime që qytetarët i ndiejnë: drejtësi të pavarur, institucione që japin llogari dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Ngrita shqetësimet për pengimin e rolit kontrollues të opozitës në Kuvend, pavarësinë e institucioneve dhe ndikimin e krimit të organizuar në politikë e zgjedhje. Kërkova mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për adresimin e këtyre problemeve dhe për një luftë reale kundër korrupsionit.
Shqiptarët duan Europën. Qytetarët që protestojnë kërkojnë pikërisht standardet e saj: barazi para ligjit, liri dhe përgjegjësi nga pushteti. Integrimi europian duhet t’u japë përgjigje këtyre kërkesave.
