Ju rrëfej eksodin
Nga Erjus Mezini
Emigrimin si masë ekonomike e hasim fillimisht tek fenikasit dhe grekët e lashtë. Me sa dimë nga historia e disa qytet-shteteve, emigrimi drejt Mesdheut dhe Detit të Zi ishte një masë e domosdoshme në një kohë kur popullsia rritej por jo edhe prodhimtaria. Historiani Moses Finley, mes të tjerësh, ka dhënë argumente të forta për të na treguar se në Greqinë e lashtë ekonomia kishte kufijtë e saj dhe se pabarazia e vërtetë ishte pabarazia e statusit (si ajo midis burrit dhe gruas, të lirit dhe skllavit). Si të mos mjaftonin argumentet e Finley, kemi edhe dëshmi nga historiani i lashtë Herodoti i cili na tregon se si në rastin e qytetit të Therës emigrimi ishte vendosur me short, ku dy fëmijë merreshin nga çdo familje dhe detyroheshin të mos ktheheshin më prapa. Që të mos zgjatem, shkaku i emigrimit në këto raste ishte ekonomik (uri dhe vdekje), por në një kontekst krejt ndryshe nga eksodi modern.
Gjatë Mesjetës, emigrimi ekonomik pothuajse nuk ka ekzistuar. Edhe nëse ekonomia mund të bëhej shkak lufte, emigrimi pasonte luftën; nuk kishte emigrim pa luftë. Ky model vazhdoi gjer në Reformimin e Kishës në shekujt e 16-17, kur shikojmë shumë kristianë të zënë vendin e çifutit që largohet nga përndjekja fetare. Gjatë kësaj kohe, britanikët dhe gjermanët do jenë mbase popujt që emigruan më shumë. Kur feja nuk ishte më shkak përndjekjeje, emigrimi nga tokat gjermane iu afrua shifrës zero, mirëpo nuk ndodhi e njëjta gjë me britanikët. Këta të fundit, kam mendimin, se sollën atë formë emigrimi që vazhdon të jetë norma edhe sot: emigrim i shkaktuar nga padrejtësitë ekonomike (jo nga pamundësitë) dhe nga kultura materialiste. Do të shtoja këtu se është me të vërtetë për të qeshur kur shikon Britaninë e sotme, të udhëhequr nga Dejvid Kameron, të jetë kthyer në simbolin e konservatizmit dhe të anti-emigracionit.
Siç ishte i shëmtuar emigracioni i “anti-emigrantëve” britanikë në një kohë kur disa vdisnin nga kriza e patates, kurse disa të tjerë bënin safari me balona, edhe sot emigracioni shqiptar është po aq i shëmtuar. Nuk ka neveri me të madhe se të lexosh kronika të zeza dhe halle në gazetën a-la-britanike me emrin Panorama. Neveria nuk të shkaktohet nga mercenarët e britanizmit në Tiranë, sesa nga flashet e Panorama-Plus në momentin që ti mundohesh të kuptosh hallet e tjetrit. Atje kur dikush ka vdekur për bukë ose është vrarë me thikë nga i shoqi, çup të hedh Panorama Plus një flash me vipin e radhës, dashnoren e fundit, makinën e argjendtë që shkel Tiranën, etj. Ja pra, kjo është fytyra e fatit shqiptar sot: fati ynë sot ka një fytyrë britanike.
Ndërkohë që britanikët Lufta e Dytë Botërore i shkundi aq mire, sa mundën të njohin Evropën më në fund, ne shqiptarët nuk na shkund asnjë luftë. Kemi krijuar imunitet ndaj luftës, përdhunimit, plaçkitjes, etj. Bërtasim se duam të bëhemi Evropë, mirëpo asgjë evropiane nuk kam vënë re tek mercenarët e britanizmit në Tiranë dhe Prishtinë. Fakti që Rama dhe Thaçi paguajnë britanikë apo njerëz që sjellin njohuritë britanike në Tiranë dhe Prishtinë e tregon qartë se ç'koncepte ruajnë politikanët tanë për të drejtën sociale: çdokush është ndryshe, qeveritari lodhet më shumë se punëtori, shoqëria nuk ekziston, morali është për delet, leku është zoti, etj.
Ja pra, këtë kulturë mundëm të kultivojmë në vendin që lind shpendë, bisha dhe njerëz, por nuk lind ide. Dhe jam i sigurtë se po të pyesësh shqiptarin sot se cili është vendi i tij i preferuar për t’u shporrur, do të përgjigjet: Anglia. E cili shtet tjetër mund t’ia zinte vendin Anglisë nëse ky Kameroni nuk na dilte duke lehur “mos u afroni se do kalbeni në burg”?
Kë paguan Rama për këshilla? Anglezët. Po Thaçi? Ata që studjojnë në Angli. Po studentëve shqiptarë kush ua ha paratë? Profesorët dhe të gjithëditshmit e importuar nga Anglia. Po profesorët si i shpërblejnë studentët dhe shqiptarët? Duke u mësuar anglishten dhe duke iu vrarë shqipen.
E di që lexuesi u bind tani se kam paragjykime ndaj anglezëve. Ma mohuan edhe mua njëherë vizën studimore, nuk po e fsheh faktin. Por qëllova me fat kur më doli viza për diku tjetër. Tani e kam bërë edhe unë anglishten ujë, paçka se po “i shaj” këta britanikët. Besoj se e sqarua edhe kjo punë, pra mundem të vazhdoj më tej…
Kur unë edhe të tjerët u shporrëm nga atdheu, kishim në rrezik kokën, kishim në rrezik emrin, nuk kishim informacion se ku po shkonim, ato pak thashetheme që na vinin nga Greqia dhe Italia ishin shumë herë më të mira se lajmet që na vinin nga Vlora dhe Berati, nuk kishim bukë, ishim pa shtëpi dhe, kryesorja, nuk kishim kujt t’i drejtoheshim për ndihmë sepse kushdo që na rrethonte ishte në të njëjtën gjëndje me ne dhe ikja na dukej jo vetëm shpëtim por edhe ndihmë ndaj atyre që linim prapa.
Në rastin e eksodit kosovar të këtyre javëve e kam pak të vështirë ta besoj se gjëndja është e njëjtë si në rastin e familjes time që “me vullnet” u shporr sëpari në vitin 1991 dhe sëdyti në vitin 1997. Fakti që nuk e pranoj mundësinë e të qenurit njësoj, nuk do të thotë se bie dakord me këta opinionistët kosovarë që akuzojnë njërën apo tjetrën parti. Zotërinj, jeni shumë mbrapa! Nuk e keni kapur rrjedhën e viteve, keni mbetur të ngjitur me ndarjen “ne edhe ata” dhe me logjikën “çdo gjë kontrollohet nga sipër”. Ja pra, kësi shpjegimesh na sjellin shumica e opinionistëve. Të gjithë gati për të shkrehur armët dhe për të thithur gjak. Prandaj unë vendosa sot të haem me britanikët, sepse shpjegimet e tjera më janë bërë bajate. Problemi sot ka të bëjë me shembujt, qëllimet, aspiratat, edukimin, moralin. Në këtë pikë faji është shqiptar, por jo vetëm. Fundja kjo tokë e quajtur Kosovë më shumë u udhëhoq nga të huajt në histori, sesa nga vendasit. Nuk është ky një problem? Si të mësohesh të jetosh pa “eprorin e huaj”? Kur do mësohen shqiptarët ta bëjnë këtë? Kur do mësohen të vetqeverisin mendjen dhe shpirtin e tyre dhe pastaj të tjerat? Çfarë kulture marrin shqiptarët sot? Kulturë britanike. Po britanikët si na këshillojnë? Bëni si ne, se jemi më të zgjuar… ja ku i kemi diplomat, ja edhe arritjet. Përse mbyllni sytë?
E po mirë, përgjigjet populli, meqë ju anglezët e bëni më mirë se ne, po vijmë të gjithë në Angli.
Sipas vizionit “shqiptar” post-komunist, çfarë është e huaj është e mirë; çfarë është e vendit është e keqe. Ata që krijojnë shembujt për imitim janë pjesa më e huaj e shoqërisë shqiptare, janë ata që u thonë të tjerëve kemi të drejtë se jemi të huaj, kurse ju nuk keni të drejtë të ikni. Duhet të qëndroni këtu të shikoni surratin tonë të huaj mëngjes, drekë e darkë. Ju na e jepni pushtetin, bukën, famën, lekun, por ne jemi të huaj…. nuk jemi si ju. Ne jemi suksesi, ju dështimi. Dështakë, pse ikni?
Kjo është gjuha e rëndomtë e realitetit “shqiptar” në të dy atdhetë që ndahen me kufij. Në fund opinionistët dhe politikanët mprehin dhëmbët për të thithur gjak. Të gjithë akuzojnë palën tjetër, të gjithë besojnë se gjërat rregullohen nga sipër…. kanë thirrur “menaxherë” me diploma britanike për rregullime që bëhen vetëm përciptazi. Konferencat mbahen çdo javë, këshillat ndahen nga Londra në Tiranë dhe Prishtinë, kush jep këshilla paguhet dhe dekorohet, kush do të dëgjojë këshilla paguan dhe diplomohet. Fjalë këndej, fjalë andej, letra, bojë, këshilla…. vetëm këshilla. I fusim edhe një meshë në bulevardin e Tiranës:sicut erat in principio, et nunc, et semper, et in saecula saeculorum. Amen.
Duke dashur të bëhem më i qartë për lexuesin, do të thoja se më është ngulitur në mendje kjo ideja se ajo që ka dështuar në rastin shqiptar është shqipja. Shqip flasim (ose ashtu themi se bëjmë) dhe vesh nuk merremi. Kur iknim në 1991shin, iknim nga paragjykimet, nga uria dhe nga vuajtjet. Por këta sot duket sikur po shkojnë tek paragjykimet, tek uria dhe tek vuajtjet. Informacioni sot është më i disponueshëm se kurrë, e gjen në televizor, në gazetë, në radio, në internet. Një pyetje bën në Facebook dhe të kthejnë miqtë njëzet përgjigje. Mos më thoni, ju lutem, se këta mijëra shqiptarë të rinj nuk paskan asnjëri llogari në Facebook për të pyetur se ku po shkojnë përpara se të nisen. Edhe vetë Haradinaj u vajti tek autobuzi disave për t’iu folur; në fund zuri të qante, sepse shqipen s’ia kuptonin. Uroj që lexuesit të paktën të kuptojnë shqipen time dhe me sa dimë, me sa është deklaruar, me sa thonë ligjet dhe konventat ndërkombëtare, këta kosovarë për të cilët lotoi Haradinaj do të kthehen në Kosovë brenda vitit –në mos të gjithë, shumica. Kësaj në shqip i themi: lot të derdhur kot!
Nuk jam tifoz i teorive konspirative dhe as do të hamendesoj se ç’mund të fshihet pas valës së emigrimit –po ia lë këtë detyrë atyre që janë mësuar të thithin gjak. Ajo që për mua duket ashiqare është se në Kosovë paska dështuar shqipja, ose thjesht inteligjenca qytetare. Në Kosovë paskemi mijëra njerëz që nuk ditkan të bëjnë dëshifrim të thjeshtë informacioni të stilit: po shkoj atje ku më paragjykojnë se jam shqiptar, ku më stërmundojnë se jam ilegal, ku më ofendojnë dhe më japin një shkelm vitheve në momentin që më shporrin mbrapsht. Është për të të ardhur keq kur kupton se logjika më e thjeshtë u paska fshirë nga mendja e shumë shqiptarëve. Është e dhimbshme kur një popull me dëshira kaq të mëdha prodhon mendje kaq të vogla. Ndërkohë që kur bëhet fjala për lekë disa thonë se i meritojnë më shumë se të tjerët (përderisa na paskan kontribuar dhe na u qenkan djersitur më shumë), në rastin e mendjes faji është i të gjithëve. Inteligjenca është fenomen social dhe sa më shumë mendje të vogla prodhon ky vend, aq më i vogël kontributi i të gjithëve në rritjen e iteligjencës “shqiptare”.
Jam i sigurtë se disa lexues tani do jenë duke menduar se po sillem padrejtësisht me kosovarët dhe se i kam mbyllur sytë përpara mjerimit. Të jeni të sigurtë të dashur lexues se kur kalon dikush doganën e Morinës më shumë do të vërejë mjerim në territorin shqiptar, sesa në territorin kosovar. Hera e parë që e kam kuptuar padrejtësinë që i është bërë kombit tim në shekuj ka qenë kur kam parë Kosovën. Gjelbërim, fusha, begati (si në poezitë e Naimit) në territorin kosovar, djerr, thepa, varfëri (si në poezitë e Migjenit) në territorin shqiptar. Kështu u dukën në sytë e mi të paktën. Nëse këto nuk nuk mund të merren si argumente, informacioni që kemi në disponim na thotë se këta kosovarë që ikin nuk po i shpëtojnë mjerimit, por po ia rrisin mjerimin vetes. Këtyre u është thënë se atje ku po shkojnë është mbushur me afrikanë, sirianë, irakienë, afganë dhe azilantë të tjerë, gjendja e të cilëve është shumë herë më alarmuese se gjendja e shqiptarëve dhe si, pasojë, nuk do të merret kush me këta të fundit tani që shtete të tjera janë duke u djegur nga flakët e luftës. Informacioni është i gatshëm kudo për ata që kanë sy të lexojnë dhe veshë të dëgjojnë. Megjithatë këta njerëz nuk binden dhe veten e tyre fusin në telashe të reja.
Të mos mundet njeriu të kuptojë atë që duket dhe i thuhet është një gjëzë e madhe si për situatën e tij ashtu edhe për inteligjencën e tij. Në Shqipëri dhe Kosovë këtyre njerëzve u themi çdo ditë të bëhen të huaj, pra të bëhen të suksesshëm. Mirëpo këta, me sa po kuptoj, nuk perceptonkan shqiptimet “bam” dhe “mos” që u themi fëmijëve kur frikësohemi se do biejnë me kokë përtokë apo se do digjen nga diçka e nxehtë. Thaçi dhe Rama u premtojnë shqiptarëve se do sjellin tru te ri në katedra dhe institucione, mirëpo këtu paskemi të bëjmë me njerëz që nuk kuptojnë as “bam” dhe as “mos”. Se çfarë lloj doktorësh, inxhinierësh, gjykatësish, bankierësh dhe profesorësh do të bëhen njerëzit që nuk kuptojnë “bam” dhe “mos” është një pikëpyetje e madhe për mua dhe nuk kam shpresë se e ardhmja do të jetë më e mirë se e tashmja. Për më tepër, kam këtë besimin se e tashmja po lufton ashpër që e ardhmja të mos jetë ndryshe. A tashmja e mbyt shqiptarin në jerm, në iluzione, dëshira të pafundme, në lakmira dhe një zili të madhe për t’u bërë po aq i huaj sa edhe ata që e qeverisin. E tashmja shqipen, normën, moralin dhe inteligjencën i ka hedhur në kazanin e plehrave dhe në fund plehraxhintjë na habiten kur shikojnë mbeturinat që u kanë zënë duart. Do bëhemi të gjithë të pasur, bërtasin plehraxhinjtë, sikur nuk do të jetë më nevoja që dikush të pastrojë kazanët. Është turp të pastrosh kazanin, bërtasin, pastaj pastruesit i thuhet të mos ikë, por të rrijë dhe të pastrojë kazanin.
Ore njerëz, a flisni shqip ju apo çfarë flisni? Nuk po marrim më vesh asgjë nga ato që thoni. Na duhen apo nuk na duhen pastruesit e kazanëve? Nëse na duhen përse u thoni të mos jenë pastrues kazanësh? Përse u thoni që do e bëjmë Shqipërinë Angli dhe Kosovën Amerikë? A nuk e keni kuptuar akoma që jemi kazani i botës dhe se bota ka nevojë për kazanë? Përse gënjeni kot? Thuajuni këtyre njerëzve të vërtetën. Thuajuni që faji i juaj është se nuk dini të flisni shqip, jo se nuk dini të qeverisni. Kazanin kushdo që ta “menaxhojë” kazan do të mbetet; mbledhja e plehrave është funksioni i kazanit. Nëse nuk doni që t’ju ikin qytetarët apo që të mos ju vërsulen me sfurka, thuajuni që ta kenë për nder të bëhen plehraxhinj se përsa kohë që ka ekzistuar kjo dynja pastrimi, mbledhja dhe përpunimi i plehrave kanë qenë objektiva tepër serioze. Njeriu është kafshë konsumuese dhe për sa kohë do të ketë njerëz në tokë, për aq kohë do të ketë edhe mbeturina. Këtë gjë e kanë kuptuar edhe macet (prandaj çdo mëngjes na presin përpara kazanit të plehrave) dhe po më vjen më të vërtet keq që nuk e paskan kuptuar shqiptarët. Nevoja për plehraxhinj është më e madhe se nevoja për policë, doktorë, profesorë dhe politikanë. Në shkallën e domosdoshmërisë do të thosha se plehraxhiu është më i nevojshmi nga të gjithë dhe udhëheqësi më pak i nevojshmi, kontributi i të parit është shumë herë më i rëndësishëm dhe më efektiv sesa i këtij të fundit. Ky i fundit është i panevojshëm, është trup i huaj (thjesht parazit) në shoqërinë shqiptare dhe prandaj kur flet të ngatërron dhe të degjeneron çdo fjalë e çdo shprehje shqipe. Udhëheqësit dhe zarat e tyre bastardizimin e shqipes e bëjnë qëllimisht që të mos kuptohen. Po të kuptoheshin të gjithë do dukej ashiqare se sa të panevojshëm janë. Funksioni i tyre është ngatërresa, kllapia, iluzioni dhe mashtrimi. Sllogani i tyre mashtrues: bëhuni të huaj si ne vetëm aman mos ikni, se ju duam të na pastroni plehrat. Thoni tani po deshët që shqipja nuk ka dështuar në gojët e tyre.
Do sjellin specialistë, profesorë, rektorë edhe dekanë (ashtu thonë), në vendin ku qytetari nuk kupton fjalën “bam”. Do na bëjnë anglezë zotohen këta tanët, do ju bëjmë plehraxhinj na betohen patatet e Kameronit. Ata me këshilla dhe lëkura patatesh, ne me lopata dhe me sfurka. E si të merremi vesh kështu? Dikush nuk duhet ta kapi lopatën? Nuk na e priste dot mendja vetë këtë gjë, do duhej të pagonim edhe britanikët për këshilla se si kapet lopata? E ç’i duhet diploma britanike plehraxhiut?
Nga të ikurit e fundit kosovarë, rreth gjashtë mijë janë nxënës shkollash. Informacioni që kemi në kombinim me përpunimin e thjeshtë logjik na thonë se shumica e këtyre nxënësve në shtatorin e ardhshëm do të jenë ulur sërish në bankat e shkollave të Kosovës. Vitin e ardhshëm shkollor uroj që mësuesit kosovarë këtyre nxënësve t’ua thonë çdo gjë mbrapsht. Mënyrat, normat, gjuha dhe etika që janë kultivuar midis shqiptarëve këto tre dekadat e fundit (të paktën) kanë treguar dështimin më të madh të mendjes “shqiptare”, si edhe të aftësisë komunikuese që përcjell shqipja. Përpara një shekulli shqiptarët u ndanë padrejtësisht në katër shtete nga britanikët dhe aleatët e tyre në Evropë dhe Ballkan. Sot britanikët, dhe të shporrurit e tyre përtej Atlantikut, janë kthyer në miqtë e mëdhenj të Shqipërisë dhe Kosovës. Mirëpo përvoja historike na ka mësuar se i vogli nga aleanca me të madhin më shumë humb sesa fiton. Këto shtete të mëdha ne na japin ndihma dhe armë dhe personalisht u jam tepër mirënjohës, mirëpo nuk e kuptoj përse u marrim edhe idetë. Sot këto shtete duan që ne të jemi disi të bashkuar, por idetë e tyre na kanë ndarë më shumë sesa aktet e tyre. Përpara një shekulli ne ishim katër shtete në Ballkan, mirëpo sot ne jemi bërë njëzet shtete brenda Shqipërisë. Shqipëria është shumë e vogël për t’u ndarë akoma më tepër. Shqipja jonë është shumë e kursyer për të krijuar hapësira të pafundme kuptimore. Nuk e marr vesh, me pak fjalë, se si ndodhi që ne shqiptarët u ndamë kaq shumë dhe se si ndodhi që të mos e kuptojmë të gjithë shqipen njëlloj. Nëse në rastin e pasurive ekzistojnë debate se kush punoi dhe kush trashëgoi, në rastin e kuptimeve fajin e kemi të gjithë. Mjerimi i disave dhe materializmi i disa të tjerëve na e ka ngushtuar si mendjen ashtu edhe shpirtin. Universitetet, dekoratat, diplomat dhe institucionet e tanishme duken të paafta për të pasuruar mendjen dhe shpirtin shqiptar. Njerëzve që nuk kuptojnë “bam” dhe “mos” nuk u nevojiten as diploma dhe as arratisja. Të mjeruar lindën, të mjeruar jetuan dhe të mjeruar do të vdesin. Kush beson se dekoratat, diplomat dhe katedrat do ndryshojnë Shqipërinë le të hedhin një sy nga BE-ja. Shtetet më të dështuara sot në BE janë shtetet që ndajnë më shumë diploma. Shtetet më të sukseshme janë shtetet që kanë investuar më shumë në arsimin e ulët dhe arsimin e mesëm. Kosovës dhe Shqipërisë sot u nevojiten qytetarë që të merren vesh dhe të kuptojnë fjalën dhe informacionin. Duke na treguar gjithnjë gishtin jashtë vendit, duke na treguar diplomat dhe suksesin në vend të fjalës, dhe duke na e ushqyer zemrën me dëshira materiale, elita, mediat dhe politikanët shqiptarë kanë arritur goditjen më të fortë në inteligjencën dhe shpirtin e qytetarit. Problemet më serioze në Shqipëri dhe Kosovë sot janë psiqike dhe morale. Garda e huaj që u imponohet me idetë e huaja shqiptarëve në vend se t’i zvogëlojë këto probleme, i ka zmadhuar më tepër se kurrë.