Kallashi dikur shiste cigare … Historia e trishtë e valltares seksi
Të gjithë e njohin si valltare seksi, e cila me punën që bën arrin të fitojë shumë para’. Por pakkush e di sa e vështirë ishte jeta për Donjeta Kosumin (Kallashin) kur ajo ishte fëmijë.
E rritur pa nënë dhe në varfëri, ajo qysh e vogël kryente punën e të rriturve për të ndihmuar babanë të mbante familjen. Të afërmit e saj tregojnë mënyrën skajshmërisht të keqe të jetesës që bënte ajo, derisa një ditë Donjeta nisi të frekuentonte lokalet e natës. Mund t’ju duket e pabesueshme, por edhe sot, me punën që bën Kallashi kujdeset për familjen e mbetur në fshatin Burrnik të Ferizajt në Kosovë.
Po si ishte fëmijëria e saj?
Ajo mezi kalonte rrugën nga frika se mos e shtypte ndonjë makinë. Shpejtonte hapat e vegjël për t’u dalë përpara njerëzve duke u zgjatur atyre paketën me lloj- lloj cigaresh. Shumë nga ata, e shpërfillnin këtë vajzë të vogël të veshur me rroba të vjetra që nuk ia ndalnin të ftohtit e dimrit, por ajo insistonte. I duhej patjetër të shiste diçka, sepse paratë nga shitja e duhanit në mbrëmje ia dorëzonte babait të saj që po krijonte një familje mbi themelet e një shtëpie të vjetër, brenda së cilës kishte lindur edhe Donjeta Kosumi.
“U rrit pa nanë, në fukarallëk. Qysh e vogël ajo ka shitur cigare. Ka qenë tip i gjallë, s’ia ka ni për asgjë”, tregon një i afërm i saj.
Duke mos dashur të identifikohet me emër, ai tregon për jetën e vështirë që bënte Donjeta.
Ajo tërë ditën punonte në qytet dhe në mbrëmje kthehej në fshatin e saj Burrnik bashkë me pazarin e një dite të mundimshme për një fëmijë. Pas kthimit, kasolla e vjetër nuk i ofronte Donjetës ngrohtësinë e duhur. “Ajo qysh e vogël mbeti pa nanë. Diku para 15 vjetësh prindërit e saj janë nda. Kjo ka mbetë veç me babën. Më pas, babai i saj u martu dhe ka dy djem” tregon ai.
Kur moshataret e saj, kishin mendjen te kukullat, Donjeta nisej drejt qytetit për ta përsëritur tërë ditën refrenin e njëjtë dhe pothuaj para secilit që e takonte: “Doni cigare?”.
Jeta e vështirë e rriti para kohe vajzën e vetme të dy prindërve të ndarë. Qëndrimi i gjatë në qytet bëri që Donjeta të shoqërohet me lloj-lloj njerëzish, të cilët jo të gjithë do ta tërhiqnin në rrugën e drejtë. “Ajo dikur ra në një shoqëri të keqe. Filloi të mos vinte në shtëpi. Dikur u largua tërësisht”, tregon ky i afërm i Donjetës.
Për një kohë, Donjata nuk u bë e gjallë. Shkëputi kontaktet me babain, njerkën dhe dy vëllezërit.
Pas një periudhe relativisht të gjatë, Donjeta që kishte lënë edhe shkollimin, u lajmërua tek familja por tash me një identitet krejt tjetër. Kishte ndërruar pamje, sjellje, e madje edhe emrin. Tashmë ajo quhej “Kallash”, pseudonim i ardhur për adoleshenten pas një konflikti me kallashnikov mes dy bandave pikërisht për të.
Për Kallashin, tash kishte filluar një jetë e re. Vajza e rritur në varfëri u josh nga paraja, ndonëse forma për t’i fituar ato, nuk do pëlqehet nga rrethi i saj. Ajo u bë valltare e klubeve të natës. “Për një kohë, baba nuk ka folur me të. Më pas ka filluar sërish të takohet. I mirë, i keq, evlati mbetet evlat”, tregon bashkëbiseduesi i një pjesë te historisë së kësaj vajze që u bë e njohur në tërë trojet, ku ka shqiptarë më mënyrën e vallëzimit dhe jetesës.
Por kontaktet me Donjetën dhe babanë e saj u shkëputën përfundimisht në këtë pranverë. Babai i saj vdiq duke lënë prapa gruan me dy djemtë.
Pavarësisht jetës që tash bën, ndjenja për prindin është po ajo që ka qenë. Në llogarinë e saj në Facebook, Kallashi ka postuar fotografinë e babait me mbishkrimin. “Më mungon shumë. Dua të vij tek ti”.
Tash kur babai i vdiq, Kallashi kujdeset për njerkën dhe dy vëllezërit e saj. Ajo herë pas here u ndihmon atyre.
“Fëmijët më tregojnë shpesh që Donjeta vjen, u sjell para’ njerkes dhe dy vëllezërve të saj”, tregon burimi.
Ai pranoi të shpalosë këtë pjesë të historisë, duke e identifikuar Donjetën jo si një vajzë të përdalë, por më shumë si viktimë të një shoqërie të keqe dhe si pasojë e një jete të vështirë nëpër të cilën ajo ka kaluar.