Kamëz, ja familjet që s’do paguajnë taksën e pasurisë dhe 3 tarifa shërbimi


Paketa fiskale e Bashkisë Kamëz për vitin 2016 vijon të jetë e favorshme, si për familjet ashtu edhe për biznesin. Në këtë paketë fiskale, të miratuar nga Këshilli Bashkiak në fund të vitit 2015, është ruajtur niveli i taksave dhe tarifave vendore si në vitet e mëparshme, duke mos e rënduar qytetarin dhe biznesin; në një analogji kohore pushteti qendror ka vepruar në mënyrë të kundërt këto dy vite e gjysmë qeverisje. Kështu, në paketën fiskale të Bashkisë Kamëz përjashtohen nga detyrimet vendore ndaj bashkisë, si: taksa e pasurisë, tarifa e pastrimit, e gjelbërimit dhe ndriçimit familjar. Përfitojnë nga ky vendim familjet në të cilat kryefamiljari i tyre është me statusin: invalid i punës dhe i luftës; i sëmurë paraplegjik dhe tetraplegjik ose i verbër, veteran dhe i përndjekur.

Në këtë mënyrë, kanë përfituar një numër i konsiderueshëm i familjeve më në nevojë, kjo falë qëllimit të mirë Bashkisë dhe kryebashkiakut Xhelal Mziu për të qenë sa më pranë këtyre shtresave, jo vetëm moralisht, por edhe për të kontribuar sa mundet në lehtësimin e gjendjes ekonomike së tyre. Kjo nuk ka mbetur pa u përshëndetur edhe nga ana e përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara. Përfaqësues të këtyre shoqatave janë shprehur se i janë drejtuar disa herë Bashkisë për probleme të ndryshme dhe në të gjitha rastet kanë gjetur mbështetje, siç është edhe rasti i përjashtimit nga taksat dhe tarifat vendore të shtresave të mësipërme. Ata kanë falënderuar Bashkinë, kryetarin z. Xhelal Mziu, që e morën në konsideratë dhe vlerësuan seriozisht shqetësimin dhe problematikën e tyre.

SHKARKO APP