Kanaçet …

 

FEJTON         

Nga Thoma Goga

Një mëngjes dola herët që të marrë autobusin e parë e të mbaroja ca “detyra shtëpie”. Kur më preu rrugën një burrë ezmer e më mustaqe. Dukej qartas se ishte rom. U kujtova se e kisha parë dhe herë tjetër.

-Si zyrtar që je, të bëj një pyetje. Ma bëj hallall se s’më del koha të vij andej nga zyra jote. Si ma ke shëndetin, atë kallaballëkun?

– Kaxha, kaxha,- ia ktheva në gjuhën e tij. – Më thuaj si e ke hallin?

– A, sa mirë që më njeh, se ma ktheve xhevapin si arixhi. Ore çavo, lejohet t’u vësh emra kalamaqve si të mëdhenjtë e botës?

– Po vër emrat e udhëheqësve tanë, pse shkon aq larg?- e ngacmova.

Ama, llaf. I vura djalit të shtatë emrin Sali e s’ma vari njeri. E kisha me gruan e tretë. Iku Bedrana. E pa që s’na dhanë asgjë, mori Saliun pa i bërë as synetllëkun. Një shoku im, në kohën e atij merhumit, i vuri emrin Mao Ce Dun. I dhanë shtëpi e katandi. Ka ardhur kohë tjetër. Ta thashë se e çova në maternitet gruan e katërt. Është gati Xhevrija po them…Humbi dhe vendin e punës. Punonte tek koshat e kryqëzimit. Atje i duan të bukura ato që mbledhin kanaçet. I kap ai plani tunnristik… Kalojnë tunnristat, prandaj i duan të lenzeçme, tamam si Xhevrija ime.

– Këtë radhë vërja emrin Edi,- i thashë,- se e fiton prapë vendin e punës.

– Ama, mendje që më dhe. Po sikur të ketë “Edi” edhe nga krahu tjetër. Apo, të më ikë dhe Xhevrija për lesh…Pastaj gjithë mëhalla u vë kalamaqve emrin Edi. Edhe çunave, edhe gacave.  Ke parë kështu, ti!? Plot mëhalla, të them. Ia ngjitën lagjes “ e di, s’e di…”.

Edhe unë nuk dija si të veproja. Tjetër hall unë, tjetër ai. E po, kot nuk thonë; halle-halle kjo dynja. Po bashkëbiseduesi im e kishte ndarë mendjen. Do e zbrazte “thesin” deri në fund.

– I thashë dhe Xhevries. Këtë herë do ta quajmë ose Ombama, ose Klinton, ose Puntin…O ç’hoqa dje kur e çova! Isha duke mbledhur kanaçe. Gati po e mbushja “fërrfërren” plot. Kur miss Xhevrija u bë keq. E shtriva mbi kanaçe dhe drejt e në spital. Shpejt e me drita të ndezura”. Ç’të bëja? Nuk pyeta as për semanforë… Isha orgjencë, ore. Lashë “fërrfërren” në një cep rruge. Xhevrija mezi ikte. Barku te goja. Me gjithë këtë kopilin më bëhen 16 kalamaq. Një skuadër futbolli me gjithë rezervat.

Ai zbraste “thesin” e tij e unë tundja kokën time. Ç’të bëja sa të vinte autobuzi.

– E që ta pata llafin, hyr në një dhomë e dil në një tjetër, nuk kishte vende. “Ç’kërkon, more zotëri,?” m’u drejtua një grua. Çfarë zotërie, moj gazhije, nuk e shikon që jam Tajari. “Qenke ftohur në tajare, ma priti ajo. Këtu çdo gjë është me pare. Hajd hidhu, ose pirdhu…Besha tu rehati, se do pastroj korridorin”, ma ktheu edhe ajo në gjuhën time. Qafsha kalamaqtë, ishte rome, po e bardhë borë. Mbase bëjnë dhe tuannlet…”Kam ardhur “me ngritje”, pastruese në spital”. Aman, i thashë, ndihmoje pak Xhevon time, se e ka për herë të tretë…”Mirë, mirë,-uli zërin ajo, -po hë për hë bëj gati ca lekë”. Aa, nane llove, vetëm kulali…Ata që dinë gjuhën time e njohin mirë “kulalinë”…Shkurt s’kam. Po të duan të mbajnë Xhevrien me gjithë atë kopilin, se akoma nuk e kam rregjinnstruar…Pastaj mua më nxorrën jashtë se vinte një i gjatë nga qeveria. Dola në oborr. Shiko për “fërrfërren”, s’ka. O pikë e zezë, thashë. Kur erdhi roja i spitalit. “Dëgjo, më tha. Ishe komplet kundavajtje. Policia ta mori karrocën; parkim i gabuar, pa targa, pa kasën “fekale”…”. Di gjë ti, ça kase është kjo? Nejse. Po kanaçet, i thashë? I kishin sennkuenstruar… Ku të vete? Apo ka ndonjë nga dora ime në bashki, mbase do merresha vesh. Më duket se edhe shoqatën tonë e kumandon një gaxhie që s’është dora jonë…Ja, kam nipin që, desh perëndia, i dha pak mendje. Bëri dhe ca shkollë. Donte të futej në listër me partinë e drejtave të robit në zgjedhjet e kaluara. E rrengjinstruan, po pordhi kali në derë të hanit… Mblodhën ca nga dora jonë e na çuan në një miting. Morëm dhe sazet. Thamë, ishallah, na japin ca para. Kur filluan të ndanin kokoshka. Kurse neve na dhanë nga një dorë fara. Siç duket, sipas kokës, edhe koqurinat … O po, letër Ombamës do i qëndis, po ç’të bëj që s’di të shkruaj…Ke qejf t’i shohësh ata të dorës tonë në Itali, Gjermani. Po atje në Brazil, ‘re çavo, më duket ka shumë nga dora jonë. Më qafsh, shkoj dot atje pa vizë? Më të dëgjuar e kam, po thonë se punojnë edhe nëpër ministrira. A, për top të thajnë, s’ua merr njeri. Ja kështu ‘re çavo, se të lodha. Prandaj këtij kopilit që pjell Xhevrija do ia vë emrin ose Ombama, ose Klinton, ose Puntin. Të paktën mos t’i thyejnë dhëmbët me derë…

Këtu bashkëfolësit tim i ra telefoni. U vrejt në fytyrë e filloi të bërtasë:

-Po s’ke turp, moj?! Gocë bëre prapë moj, putanë?! Aty të rrish deri sa të gjesh Putinin…- dhe e mbylli telefonin.

-Të të rrojë goca, po çfarë emri do i vësh?- doja ta qetësoja.

– Kanaçe, -shfreu ai. -Tek kançet e zura, mbi kanaçe e vura. Edhe djepen me kanaçe e thura.

– Të dëgjova e të respektova, – iu thashë seriozisht. –Tani më dëgjo ti. Pse m’i zbraze mua gjithë këto halle? Unë nuk kam zgjidhur hallet e mia. Ti shko atje ku zgjidhen hallet e tua.

Atë çast romi hoqi cingarin nga goja e po më shikonte me habi.

– Pse ‘re, ti nuk je ai Tonntozani?! O pika mua në tajare, me kë griva sallatë!…Më fal ‘re çavo, se u bë çordollo… 

SHKARKO APP