Kandidatët e PD në Tiranë/ Ja të besuarit e Bashës dhe Berishës…

Lista e kandidatëve të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit ka shkaktuar jo pak reagime, debate, madje edhe akuza në drejtim të Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Më e ashpra në drejtim të Bashës është shfaqur ish-Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, e cila publikisht akuzoi kreun demokrat se lista nuk përfaqësonte PD, por ishte një listë private.

Në fakt lista ishte një surprizë referuar asaj që shumë nga emrat dhe figurat e njohura të PD-së ndër vite nuk u rikandiduan.

Por nëse analizohet lista e kandidatëve të PD-së në Tiranë, rezulton se ajo pasqyron një ndarje pothuajse 50 % me 50 % mes atyre që konsiderohen si të besuar të kreut demokrat dhe emrave të tjerë, që pavarësisht se nuk kanë atakuar, kritikuar apo kanë pasur përplasje me Bashën, nuk mund të përfshihen në grupin e të besuarve të tij.

Mjafton të analizosh 10 apo 11 emrat e parë të listës për të kuptuar ndarjen që i është bërë asaj. Lista kryesohet nga Basha, ndërsa i 7 renditet ish-Kryeministri Berisha.

Nga vendi i 2 deri tek 7 renditen 5 kandidate femra, mes të cilave edhe Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit. Kjo e fundit u kandidua nga Basha në listat e PD, por vështirë se mund të kundërshtohej të paktën publikisht nga ndonjë prej grupimeve apo klaneve në PD.

Mes kandidateve, mund të konstatohet lehtësisht se Grida Duma, Jorida Tabaku dhe Oriola Pampuri janë të besuarat e Lulzim Bashës, ndërsa Albana Vokshi konsiderohet si një nga bashkëpunëtoret e Berishës.

Në vijim lista vazhdon me Halim Kosovën, Gent Strazimirin dhe Fatmir Mediun, tre kandidatë që pa asnjë dyshim kanë qenë ndër bashkëpunëtorët e afërt të ish-Kryeministrit Berisha.

Lista vijon me Dashamir Shehin, i cili në jo pak raste është shfaqur kritik ndaj Berishës dhe ka mbështetur Bashën. Pas tij në listë vjen Gerti Bogdani, i ofruar në PD nga Lulzim Basha, ku për disa vite drejtoi edhe FRPD-në.

Pra në 12 emrat e parë të listës, nëse do të përjashtojmë nga vlerësimi Bashën, Berishën dhe Rudina Hajdarin, kreu demokrat ka përfshirë në listë 5 mbështetës apo të bësuar të tij, ndërsa 4 të tjerë kanë qenë dhe janë ndër bashkëpunëtorët e afërt t ëish-Kryeministrit.

Mbështetësit dhe besnikët e Bashës

Oriola Pampuri
Grida Duma
Jorida Tabaku
Gert Bogdani
Dashamir Shehi

Mbështetësit dhe besnikët e Berishës
Albana Vokshi
Halim Kosova
Gent Strazimiri
Fatmir Mediu  /360grade.al/

SHKARKO APP