Kandidati për Guvernator, Genti Sejko: Ja vizioni im për Bankën e Shqipërisë
Komentet e kandidatit për Guvernator Gent Sejko për çështjet kryesore, nga politika monetare, komiteti i kontrollit, problemet me kreditimin (informal, në euro, interesat) vjedhja e thesarit dhe blerja e hotel Dajtit…
I dekretuar nga Presidenti për Guvernator, Gent Sejko pritet të votohet së shpejti në krye të Bankës qëndrore. Me statusin antar i Këshillit Mbikëqyrës dhe në pritje të një votimi konsensual në Kuvend me ardhjen e opozitës, i dekretuari për Guvernator ka shpalosur disa nga idetë e tij për drejtimin e Bankës së Shqipërisë.
Politika monetare në funksion të rritjes ekonomike
Sipas Sejkos “arsyet që politika monetare nuk arrin të ketë transmisionin e duhur në ekonomi, janë se politika monetare deri tani ka qenë e orientuar vetëm nga metoda konvencionale, pra nga ulja e normës bazë të interesit. Banka e Shqipërisë e ka kryer rolin e saj në funksion të uljes së normës bazë të interesit në kohë. Në mënyrë të vazhdueshme ka qenë proaktive dhe është përpjekur ta ulë, por vetëm ulja e normës bazë të interesit nuk mund të japë efektin e duhur në transmisionin e politikës monetare”.
“Në lidhje me rolin e Bankës së Shqipërisë në drejtim të përdorimit të politikës monetare për të stimuluar sistemin bankar dhe për të qenë sa më i dhënë ndaj kredidhënies, unë do të thosha që ky është një rol deçiziv dhe kyç që Banka Qendrore e ka luajtur dhe do të vazhdojë ta luajë në mënyrë më eficiente”.
Politika monetare, sipas tij, duhet të jetë në funksion të nxitjes, rritjes së ekonomisë dhe të kreditimit të ekonomisë dhe të bankave në ekonomi. “Është rol kyç i bankës qendrore dhe banka qendrore mund ta luajë. Këtu interesat nuk janë antagoniste, por në të njëjtin kah dhe drejtim, si të bankës qendrore me qeverinë shqiptare, ashtu edhe të bankës qendrore me bankat tregtare”.
Plani masave për kreditimin joeficent
Sipas Sejkos, Banka Qendrore, ka një plan masash, por duhet ta rishikojë këtë plan masash për nxitjen e kreditimit, pasi nuk ka qenë efecient dhe nuk ka pasur nivelin e mjaftueshëm të eficiencës. “Ky plan masash për zgjidhjen e kreditimit ka qenë i orientuar kryesisht nga. Ponderimi i kredive ose kapitalit rregullator për ato banka që japin më shumë kredi lidhur me kthimin e vendosjeve, depozitimit të bankave në bankat e huaja në kredi për ekonominë dhe përfshirjen e kredive nga bilanci”. Sejko shton se Banka Qendrore krijoi disa lehtësi për indikatorët ose bankat e nivelit të dytë, në qoftë se kishin një orientim gjatë kësaj pjese. Banka qendrore duhet të ketë një kooperim sa më të mirë me Shoqatën e Bankave të Nivelit të Dytë, gjithmonë në funksion të kreditimit të ekonomisë. Sipas tij, banka qendrore në këtë mes duhet të marrë rolin e promotorit të ekonomisë.
Bankat kanë tepricë likuiditeti por nuk kreditojnë
Vetë bankat tregtare kanë tepricë likuiditeti dhe interes të kreditojnë, pasi përfitueshmëria këtu është më e lartë. Por, sipas Sejkos, problemi është te ngërçi i përgjithshëm i krijuar midis bizneseve, ekonomisë dhe bankave, te kredia e keqe dhe te rregullat e riskut të dhëna nga bankat mëmë. Nga njëra anë, bankat duan të kreditojnë, por nga ana tjetër kanë kufizime dhe rregulla risku, të cilat nuk i shkelin, pasi kontrollohen nga bankat mëmë.
Në këtë aspekt, banka qendrore ka një rol deçiziv, një rol kyç, pasi në koordinim me bankat mëmë në vendet e origjinës, njëkohësisht duke lehtësuar, duke krijuar dhe duke lëshuar rregullore dhe politika të tilla për bankat tregtare, duhet t’i japë frymëmarrje dhe të nxisë kreditimin në ekonomi, duke ndikuar dhe në rritjen e përfitueshmërisë së bankave.
Sipas Sejkos, banka qendrore duhet të jetë, në raport dhe në funksion të objektivit të saj të politikës monetare, e orientuar ndaj disa reformave strukturore, që kanë të bëjnë me zhvillimin e tregjeve sekondare: huadhënia-huamarrja e bankave me njëra-tjetrën, zhvillimi afatgjatë i tregjeve të kapitalit. “Në qoftë se do të ketë një zhvillim afatgjatë të tregjeve të kapitalit, ku kompanitë mund të listohen, mund të blejnë ose të shesin aksione me njëra-tjetrën, kjo do të krijojë një frymëmarrje më të madhe midis kompanive me njëra-tjetrën, por edhe të rritjes së parasë në qarkullim, të investimeve, të shitblerjeve dhe të dhënies frymëmarrje të ekonomisë. Banka qendrore ka një rol kyç edhe në këtë drejtim”.
Të gjitha këto së bashku janë politika kryesore që banka qendrore do t’i shfrytëzonte në drejtim të orientimit të politikave të saj monetare, pra jo vetëm në drejtim të përdorimit të normës së interesit si mënyra më e vjetër, si mënyra më standarde konvencionale, por edhe duke zhvilluar reforma strukturore, në mënyrë që t’u japë frymëmarrje bankave, të rrisë kreditimin në ekonomi dhe në funksion të qëllimit të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, por edhe rritjes së mirëqenies afatgjatë të qytetarëve shqiptarë.
Procedurat për kreditimin dhe pse ka kredi informale
Që nga momenti i aplikimit deri në momentin e miratimit të kredisë, përveç analizës financiare, është edhe bllokimi i kolateralit dhe shumë faktorë të tjerë, të cilët kërkojnë një kohë të caktuar. Sigurisht, çmimi është më i ulët. Shumë klientë preferojnë, disa klientë nuk i plotësojnë disa kritere. Dikush nuk ka kolaterale, dikush ka borxhe të pakthyera në bankat e tjera.
Me krijimin e Byrosë së Kredisë, normalisht automatikisht u bë e pamundur për të marrë kredi në rast se ke një kredi me historik të keq.
Pra, banka të skualifikon nga historiku (kështu ndodh në të gjithë botën), por nga ana tjetër në një treg informal ka edhe klientë potencialë që kanë mundësi për zhvillim biznesi, pavarësisht se kanë një histori të keqe. Pra, kjo histori është pak e përzier. Në këtë mes, Banka e Shqipërisë ka një rol shumë të rëndësishëm për të ndikuar në politikat e bankave tregtare, në mënyrë që të kemi një orientim sa më të mirë në përzgjedhjen e klientelës, për të qenë më fleksibël, për të qenë më aktivë, më vendimmarrës, më të shpejtë në kredidhënie dhe për të mos rënë peng e kornizave të rregulloreve në miratimin e kredive, sidomos për disa kritere risku të cilat janë të përcaktuara nga vendet e origjinës. Këto kritere duhet të rishikohen dhe të diskutohen nga bankat qendrore të vendeve respektive.
Indirekt këto do të ndikonin në një fleksibilitet pozitiv të orientuar nga ana e bankave, në mënyrë që kreditimi të jetë më i shpejtë. Në rast se do të kemi burokraci në kreditim, në rast se do të kemi kritere strikte, të cilat na pengojnë edhe ne në punën e përditshme, sigurisht që klientët e mirë, jo klientët borxhlinj apo të këqij, por ata potencialë për rritje ekonomike, nuk do të drejtoheshin nga bankat, por nga tregu informal.
Është roli i Bankës së Shqipërisë dhe bankave të rregullojnë tregun e tyre formal financiar, në mënyrë që të mbështesin me kredi ekonominë dhe klientët të mos orientohen ndaj tregut informal, se vërtet këta klientë nuk paraqesin dokumentacionin e nevojshëm, nuk bllokojnë kolateralin në hipotekë, plotësojnë vetëm një deklaratë noteriale, por, nga ana tjetër, norma e interesit është me dhjetëra herë më e lartë sesa norma e interesit në bankë, sepse, në qoftë se në bankë merr një kredi me një interes qoftë në euro, qoftë në lekë me 6% ose 7% në vit, në tregun informal e merr me mbi 20% në vit.
Në njëfarë mënyre, leverdishmëria është shumë më e madhe edhe për klientin t’u drejtohen bankave, por kjo vjen duke e studiuar tregun me kujdes, duke krijuar lehtësi rregullative në mënyrë që të ketë orientimin e duhur. “Ky është opinioni im, sepse kjo vjen edhe nga puna që ne hasim çdo ditë”.
Kreditë e këqija, pse hezitojnë bankat
Lidhur me kreditë e këqija, Sejko shton se është një problem sot në sistemin bankar, një problem jo vetëm për bankat, por për të gjithë ekonominë, sepse kjo bën që bankat të jenë më të ngurta dhe më hezituese në kredidhënien e mëtejshme. Kjo gjë bën që bankat të mos të hedhin në treg depozitat, por t’i vendosin me bankat e tjera të huaja në qoftë se likuiditeti është në monedhë të huaj ose në bono thesari, në qoftë se likuiditeti është në monedhën vendase.
Banka e Shqipërisë ka një rol të theksuar dhe duhen parë me shumë kujdes dhe vëmendje politikat për zgjidhjen e kreditimit. Në radhë të parë, në këtë drejtim, duhet bërë nga Banka qendrore nëpërmjet instrumenteve të saj të mbikëqyrjes, vlerësimi i cilësisë së portofolit të kredive për të qenë realisht të qartë nëse ky portofol është vërtet në këto vlera apo mund të jetë edhe më i lartë, në mënyrë që të jemi të qartë dhe të dimë shifrën reale. Mund të jetë edhe më i ulët, bankat realisht me sa di unë janë treguar tepër të kujdesshme dhe kanë bërë një vlerësim të portofolit të tyre të kredive për problemet dhe kanë parashikuar fonde rezervë provigjone, siç i quajnë për të mbuluar humbjet. Pra, ky portofol deri diku është edhe provigjonuar, pra nuk është se paraqet një rrezik potencial, është një portofol i njohur, i vlerësuar dhe i provigjonuar.
Nga ana tjetër, mund të merren disa masa, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me përmirësimin e kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë.
Lidhur me mbulimin në provigjone, por shoqata e bankave ka një çështje dhe kërkesë me bankën qendore në mënyrë që në llogaritjen e provigjoneve për mbulimin e humbjeve nga huat të zbritet vlera e kolateraleve, pra aktualisht banka qendore ka një ‘approach’ overprudent, shumë konservativ, ta themi, për arsye se nuk zbritet edhe kolateralet nga vlera e mbulimit të huaj, nga kreditë, ndërkohë që vendet e rajonit e bëjnë këtë gjë dhe kjo është diçka që duhet parë me vëmendje. Në fakt, është një masë lehtësuese për bankat për t’u dhënë atyre frymëmarrje në kreditim, thotë Sejko.
Pastrimi i bilanceve nga kreditë e këqija
Duhet parë me shumë vëmendje edhe nga pikëpamja rregullative pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë e këqija. Bankat janë të rënduara me shumë humbje dhe pastrimi i bilanceve do t’i çlironte bankat dhe do të përmirësonte indikatorët e tyre financiarë. Të gjitha këto janë elemente kryesore, të cilat duhen parë, mund të ketë edhe elemente të tjera që do të shihen hap pas hapi nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.
Lidhur me kreditimin, Sejko thotë se Banka e Shqipërisë ka një rol deciziv. Në këtë drejtim, duhet bërë një koordinim sa më i mirë i politikave të Bankës Qendrore, i politikave monetare me politikat fiskale. Duhet që banka qendrore të ndërtojë, të influencojë në banka për të ndërtuar paketa kreditimi sa më lehtësuese dhe sa më të orientuara kundrejt industrive të cilat kanë prioritet në raport me zhvillimet afatmesme dhe afatgjata të vendit. Kjo do të ndikonte që bankat të kishin një frymëmarrje, të kishin një lehtësi më të madhe, të ishin më të stimuluara për të kredituar këta sektorë të ekonomisë. Por, nga ana tjetër dhe Banka Qendrore si në rolin e saj të politikës monetare, përveç ruajtjes të stabilitetit të çmimeve, ose uljes së normës bazë të interesit, mund të shikonte mundësitë gjithmonë në konsultim me Bankën Botërore dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të krijuar lehtësira të tjera sasiore ose për të injektuar më tepër likuiditet në ekonomi.
Me këtë inflacion jemi në deflacion
Ne dimë që kemi një normë inflacioni nën nivelin bazë nën 2%, konkretisht 1,7% në nëntor. Në këto nivele ne mund ta konsideronim se jemi nivele deflacioni. Atëherë injektimi, parja e mundësisë së injektimit nga Banka Qendrore të likuiditetit në ekonomi do të bënte që të rritej oferta e parasë, të nxiteshin investimet e huaja dhe do të bënte ndoshta edhe një rritje të kërkesës. Këta janë elementët bazë që Banka e Shqipërisë do të duhej të kishte si parësore, si për trajtimin e portofolit të kredive me probleme, ashtu edhe për nxitjen e kreditimit në ekonomi.
Kreditimi informal, problem serioz
Kreda informale është një shqetësim shumë serioz. Është absolutisht e vërtetë që ka një rritje të tregut informal në huadhënien midis kompanive dhe klientëve me njëri-tjetrin. Kjo është eminente, evidente, ndodh në tregun shqiptar, ne e kemi me të dëgjuar. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë: Bankat kanë kritere risku nga bankat e tyre mëmë, të cilat janë shumë strikte dhe konservative. Klientët e gjejnë më të thjeshtë të shkojnë te huadhënia private sesa të kalojnë pjesën e procedurave të bankave të nivelit të dytë për të plotësuar kushtet për t’u bërë të disponueshme për të marrë kredi. Pra, normalisht në këto kushte shumë klientë frustrohen duke kaluar procedura dhe një kompleks faktorësh.
Arsyet e kredive të këqija
Sejko pohon se ka shumë arsye që kanë ndikuar në rritjen e kredive të këqija. Pa dashur të bëj histori një nga arsyet është trashëguar me portofolat e kredive që vijnë që para fillimit të krizës në Europë dhe më gjerë, që para vitit 2008. Gjatë periudhës së gjallërimit ekonomik bankat i kishin kriteret e riskut mjaft të lehtësuara, ishin shumë të orientuara ndaj investimeve në pasuri të patundshme dhe në disa industri të caktuara. Kryesisht në Shqipëri, ne e dimë që industria e ndërtimit ishte një nga industritë që kishte nivelin më të lartë të rritjes, të zhvillimit dhe të përfitimit nga viti në vit. Mjaft biznesmenë të mëdhenj investuan dhe bankat kredituan në këtë industri.
Sigurisht që pas vitit 2008 kjo pati ndikimin e saj negativ. Pra, jo vetëm industria e ndërtimit, por edhe të gjitha industritë e tjera të lidhura me të patën vështirësitë e tyre. Bankat u përballën menjëherë me disa vështirësi konkrete dhe nuk arritën dot të bëheshin fleksibël që të merrnin masa për ristrukturim. Në rast se bankat do të ishin të përgatitura dhe t’i kishin ristrukturuar këto kredi në kohën e duhur, do të kishin ndihmuar veten, por edhe klientët. Kështu që ky moment krijoi një ngërç të caktuar, i cili u reflektua në kohë pastaj në rritjen e portofolit të kredisë me probleme. Me kohë bankat janë përshtatur. Në momentin që bankat u përshtatën, pasi pësuan goditjen e parë në vitin 2008, pra u surprizuan nga përkeqësimi i disa industrive të caktuara, atëherë me pas vetë ekonomia pati problemet e saj.
Normalisht është një zinxhir, një ngërç që është në zinxhir midis bankave dhe ekonomisë. Shlyerja e detyrimeve nga qeveria kundrejt bankave së fundmi ka dhënë një impakt pozitiv. Ne ndjekim në mënyrë të vazhdueshme shifrat dhe ecurinë e portofolave tona, duke qenë se punojmë në sistemin bankar dhe financiar dhe ky është viti i parë që normalisht ka një rritje të kredisë në ekonomi. Ne shpresojmë që kjo rritje do të vazhdojë, pasi dhe NPL-ja dhe kredia e keqe është raport. Me fshirjen e kredive nga bilanci, me rritjen e kreditimit në ekonomi gjithmonë cilësor, pra duke dhënë kredi të tjera cilësore, edhe ky raport do të vijë duke u ulur.
Në rast se kreditë ekzistuese do të kenë përkeqësim ose nuk do të kenë frymëmarrje, atëherë ky raport do të bjerë. Në rast se do të ketë një kreditim të mëtejshëm raporti nuk do të jetë 25%, por do të jetë 20% e kështu me radhë. Me kalimin e kohës duhen parë me vëmendje format dhe metodat për fshirjen e kredive të këqija nga bilanci. E rëndësishme ështëtë kthehet optimizmi, e rëndësishme është që sistemi bankar të jetë optimist, të ketë besim dhe të vazhdojë të kreditojë me shumë kujdes në ata sektorë të ekonomisë duke përzgjedhur klientët me cilësi, jo të japë kredi pa bërë analiza.
Bankat i kanë forcuar shumë strukturat që kanë lidhje me riskun. Kjo vjen dhe nga kontrolli që ushtrojnë bankat mëmë, nga vendet e origjinës, pra nuk është vetëm nga bankat këtu. Kështu që vetë sektori bankar dhe sektori financiar është i përgatitur, është gati nga pikëpamja strukturore dhe nga pikëpamja teorike. Nga pikëpamja praktike është shumë likuid, ka tepricë likuiditeti. I gjithë çelësi është si të gjendet mënyra, si të krijohet optimizmi që këto banka t’i hedhin këto para në ekonomi. Këtu është dhe roli kyç i Bankës Qendrore.
Roli i Këshillit Mbikëqërës dhe Guvernatorit
Lidhur me rolin dhe autokracinë e funksionit të guvernatorit dhe rolin e Këshillit Mbikëqyrës, në radhë të parë rëndësi ka që gjërat të jenë të definuara dhe të përcaktuara në ligj. Këtu ka faktorë objektivë dhe subjektivë. Në rast se pjesa ligjore, ajo procedurale funksionon dhe është në funksionin e duhur, duhet të ketë një shmangie, pastaj pjesa subjektive ka të bëjë me njeriun, me njerëzit. Kjo nuk është vetëm në Bankën e Shqipërisë, por në çdo ndërmarrje, në çdo bankë. Në rast se procedurat, komitetet, hallkat dhe strukturat e menaxhimit kryejnë në mënyrë profesionale dhe me integritet rolin e tyre, atëherë do të shmangej.
Sado procedura e rregulla të ekzistojnë, hallka dhe instrumente, në rast se do të kishim struktura të papërshtatshme ose njerëz të papërshtatshëm, do të ishte e pamundur të shmangnim autokracinë”.
Komitet e kontrollit brenda Këshillit Mbikëqyrës
Roli i Këshillit Mbikëqyrës është shumë i rëndësishëm, thotë Sejko. Në rastin aktual krijimi i një komiteti kontrolli brenda Këshillit Mbikëqyrës ka funksion për të kontrolluar më mirë dobësitë në hallkat dhe sistemet e kontrollit të brendshëm, por edhe për të ushtruar kontroll, sepse vetë pjesa e sistemit të kontrollit të brendshëm është vetë menaxhimi, vetë roli i Këshillit Mbikëqyrës dhe vetë roli i Guvernatorit. Në fund të fundit autokracia përkthehet në vendimmarrje. Vendimmarrja kalon në këtë këshill dhe gjithçka duhet të jetë kolegjiale. Këshilli Mbikëqyrës dhe Guvernatori duhet të jenë të orientuar në një vendimmarrje kolegjiale, profesionale e gjykuar dhe jo autokratike e imponuar nga një guvernator. Kjo është në vija të përgjithshme ajo që gjykoj se duhet të ndodhë në shmangien e autokracisë në Këshillin Mbikëqyrës.
Në lidhje me masat dhe lehtësirat që duhet t’u ofrohen operatorëve dhe bankave, Sejko shton se se Banka e Shqipërisë në funksionin e saj si bankë qendrore një nga rolet dhe objektivat kryesore ka edhe mbikëqyrjen bankare nëpërmjet kooperimit, ndërhyrjes dhe bashkëpunimit me bankat e nivelit të dytë. Banka e Shqipërisë duhet të shikojë qartë se cilat janë politikat dhe strategjitë e vetë bankave të nivelit të dytë, të bankave komerciale në funksion të financimit, të suportimit të ekonomisë dhe të sektorëve të caktuar të industrisë. Gjithmonë duke suportuar bankat e nivelit të dytë.
Nga ana tjetër banka duke parë që edhe kreditimi ka pasur një nivel jo të pritshëm të ritmeve të rritjes së tij, duhet të shihen mundësitë e zhvillimit të tregjeve sekondare, pasi bankat me sa kemi parë i mbajnë letrat e tyre me vlerë deri në maturitet. Duhen parë mundësi të tilla që bankat të arrijnë të kenë një treg më të zhvilluar të shitblerjes së letrave me vlerë ose të fondeve midis tyre. Kjo do të ndikonte në nxitjen e kreditimit dhe në uljen e deficitit buxhetor.
Është shumë i rëndësishëm një element tjetër, kjo duhet parë afatgjatë se ndoshta është elementi më i vështirë, zhvillimi i tregjeve të kapitalit. Banka qendrore duhet të ketë një rol në involvimin e saj në drejtimi të zhvillimit të tregjeve të kapitalit, ku ka një rol kyç Ministria e Financave dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, pasi ajo është rregullatori kryesor, por edhe Banka e Shqipërisë ka rolin e saj në këtë aspekt. Nëse tregjet e kapitalit dhe tregjet sekondare do të ishin më të zhvilluara për bankën qendrore nuk do të ishte kaq e vështirë nxitja e kreditimit në ekonomi.
Këto janë elemente që kërkojnë kohën e tyre, reforma strukturore shumë herë më të thella, kërkojnë mbi të gjitha një formalizim të ekonomisë, që nuk është e thjesht, është e vështirë, pro ka filluar dhe është në rrugën e duhur. Në këtë aspekt edhe banka qendrore duke u koordinuar me politikat e saj me politikat e qeverisë do të japë një impakt pozitiv. Rëndësi ka që të jenë strategji të qarta që të ketë orientime të qarta dhe të ecet në rrugën e duhur. Hap pas hapi pastaj gjithçka do të realizohet.
“Unë nuk kam qenë pjesë e stafit të bankës së Shqipërisë vitet e fundit që të kem një informacion më të detajuar për të gjykuar dhe për të vlerësuar rolin e këshillit mbikëqyrës në detaje, por nga informacioni publik i marrë nga mediat është vënë re që edhe këshilli mbikëqyrës nuk ka kryer rolin dhe funksionet e tij aq sa duhet”, pohon Sejko.
Këshilli mbikëqyrës është organi më i lartë që studion, miraton, vlerëson misionin dhe strategjitë e Bankës së Shqipërisë për zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë. Në radhë të parë unë do të gjykoja që në ngjarjen e ndodhur përgjegjësia kryesore i takon ekzekutivit të Bankës së Shqipërisë, hallkave dhe strukturave ekzekutive, por edhe Këshilli Mbikëqyrës ka rolin dhe përgjegjësinë e tij në ngjarjen e ndodhur, pa diskutim, pasi gjithçka raportohet në Këshillin Mbikëqyrës.
Vjedhja e thesarit, faji i kontrollit
Lidhur me vjedhjen e thesarit, të konstatuar në verë të viit të kaluar, Sejko thotë se “në mënyrë të detajuar nuk mund të ndaj dhe të them ekzaktësisht përgjegjësinë pasi nuk është se kam kryer ndonjë funksion kontrolli dhe nuk kam një informacion të saktë . “Nuk dua të flas ose të jap një opinion të bazuar pa pasur informacionin e plotë. Ajo që do të thosha është se përgjegjësia kryesore është e strukturave të kontrollit të brendshëm, është një dështim i strukturave të kontrollit të brendshëm në ngjarjen e ndodhur, ku hyn edhe menaxhimi i Bankës së Shqipërisë”.
Strukturat e kontrollit të brendshëm kanë nevojë për menaxhim, duke filluar nga burimet njerëzore, nga drejtorët e departamenteve, nga departamentet e caktuara për të mbajtur nën kontroll vlera monetare të mëdha, siç ishte thesari i shteti. Eshtë departamenti i kontrollit të brendshëm, departamenti i thesarit, departamenti i sigurisë dhe të gjitha departamentet e tjera përgjegjëse që, me sa u pa dhe u kuptua, kanë qenë jashtë funksionimit, nuk kanë bërë punën e tyre, por Këshilli Mbikëqyrës duhet të ketë një lidhje më të afërt me Bankën e Shqipërisë.
Roli kryesor i Këshillit Mbikëqyrës, sipas Sejkos, është të vlerësojë politikat dhe strategjitë, por nuk duhet të jetë në ajër, duhet të jetë më i duhet të jetë më i lidhur me bazën, pra duhet të ketë një informacion më të plotë, duhet të gjykojë se çfarë ndodh dhe duhet të ndërhyjë atëherë kur duhet. Po ashtu është krijuar edhe Komiteti i Kontrollit me anëtarë nga Këshilli Mbikëqyrës, në mënyrë që të shmanget kjo shkëputje e Këshillit Mbikëqyrës, të ketë një informacion më të plotë dhe të luajë rolin e tij si përmirësues i sistemeve të kontrollit të brendshëm”.
Fitimi nuk është prioritet i BSH por duhet kujdes me shpenzimet
Lidhur me rënien e fitimeve të Bankës së Shqipërisë vitet e fundit, Sejko thotë se Banka e Shqipërisë nuk është një institucion që ka për qëllim primar fitimin, siç mund të jenë bankat e nivelit të dytë, ajo ka si qëllim primar, të përcaktuar me ligj dhe me Kushtetutë, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe tashmë do të ketë edhe zhvillimin strukturor për rritjen e stabilitetit financiar. Por, ai shton se sigurisht, nga njëra anë nuk është qëllim primar fitimi, por nga ana tjetër duhet të ketë një kontroll, një përgjegjshmëri dhe një menaxhim sa më të mirë që të mos ketë shpërdorime.
“Ne e dimë që banka qendrore ka bërë disa investime, këto janë parë publikisht, që kanë lidhje me godinën e re. Për hir të së vërtetës, këto investime duhet të ishin bërë pa diskutim, sigurisht jo në ato përmasa, por nuk mund ta gjykoj në këtë moment, sepse Banka kishte nevojë për një godinë të rikonstruktuar dhe model, pasi godina e bankës qendrore para se të bëhej ristrukturimi ka qenë në kushte të mjerueshme. Unë kam punuar në ato zyra, ajo çdo gjë mund të ishte, por vetëm bankë qendrore nuk ishte, madje ishte larg standardeve të ministrive të tjera. Pra, shpenzimet e bëra për godinën, por edhe shpenzime të tjera kanë bërë që të ketë një nivel të caktuar për disa investime të caktuara. A duhet të kishte qenë i kontrolluar ky nivel? Unë gjykoj se duhet të kishte qenë më i kontrolluar nga shifrat që kam dëgjuar”, pohon Sejko.
Ai shton se fakt është që këto shpenzime dhe këto investime tashmë janë kryer, pra nuk është se do të ketë më investime të tjera të niveleve kaq të larta. Besoj se impakti në bilancin dhe pasqyrën e të ardhurave e të shpenzimeve të Bankës së Shqipërisë ka qenë nga kryerja e këtyre investimeve kaq të larta. Këto kanë ndikuar dhe në një rënie të lartë të fitimit të Bankës së Shqipërisë. “Besoj se në vitet e ardhshme këto investime nuk do të kryhen dhe me një menaxhim shumë më të kujdesshëm e shumë më të kontrolluar të shpenzimeve të kryera të Bankës së Shqipërisë do të ketë pa diskutim një rikthim të fitimit të Bankës së Shqipërisë. Për këtë jam shumë i bindur që do të vijë, por gjithmonë kërkon kontroll, kujdes dhe nuk duhet të ketë shpërdorim. Banka e Shqipërisë nuk është pjesë e buxhetit të shtetit, sepse ka buxhetin e saj, por kjo nuk do të thotë se të shpenzohen para pa kriter. Pa diskutim paratë duhet të shpenzohen me kriter”.
Blerja e “Dajtit”, artificë pasi qeveria kishte nevojë për fonde
Blerja e hotel “Dajtit” dihet se është bërë në një moment që qeveria ka pasur nevojë për fonde si pasojë e deficitit buxhetor dhe është gjetur kjo artificë. Por nga ana tjetër vetë Banka Qendrore ka qenë në fazën e ristrukturimit të godinave dhe ambienteve dhe ka gjykuar se i duhej një ambient shtesë, thotë Sejko.
“Për të qenë i sinqertë, nuk mund të jap një opinion të saktë nëse hotel “Dajti” është i vlefshëm për të akomoduar stafin e Bankës së Shqipërisë apo është i tepërt. Në rast se hotel “Dajti” do të ishte i vlefshëm për të akomoduar stafin e Bankës së Shqipërisë, si dhe departamentet në funksion të Bankës së Shqipërisë, atëherë kjo është për t’u riparë. Pavarësisht nga çmimi, nëse ka qenë i duhuri apo jo, 30 milionë euro, me sa mbaj mend, po e gjykoj vetëm si godinë, në pamje të parë duket si ambient i tepërt, por këtë nuk mund ta gjykoj dot tani. Në pamje të parë të krijon përshtypjen e një ambienti të tepërt, pasi Banka e Shqipërisë ka një godinë qendrore që është bërë shumë e bukur, unë e pashë kur vajta për të takuar Këshillin Mbikëqyrës dhe u impresionova, është bërë një punë shumë e mirë, sepse mbaja mend zyrat e Bankës së Shqipërisë kur kam punuar aty, ndërkohë që kjo ishte tjetër gjë. Ishte bërë një kombinim shumë i bukur i klasikes me modernen.
“Monitor”