
Kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla ka zbuluar afatin kur PS do të shpallë kandidatin për kryetar të Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet e ardhshme vendore. I ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Koha Jonë-Debat”, me moderator Nikoll Lesin, Balla deklaroi se kandidati socialist për kryeqytetin do të bëhet publik mes datave 20 dhe 25 mars 2027. I pyetur nëse Partia Socialiste do të ndjekë modelin e zgjedhjeve paraprake, pra me primare, të propozuar nga deputeti Erion Braçe, Balla ishte i prerë. ”Nuk do të ketë primare për asnjë bashki”, deklaroi Balla, duke bërë të qartë se përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet përmes një procesi të brendshëm të partisë. Sa i përket Tiranës, ai tha se PS-ja po zhvillon sondazhet dhe verifikimet për profilin e kandidaturës, pa zbuluar emra konkretë.
Pjesë nga debati
Lesi: PD, pra opozita pak a shumë e kanë gjetur kandidatin për bashkinë e Tiranës, po PS pse është kaq vonë? Apo është elementi Erion Braçe, që ju sakaton?
Balla: Ja të them unë ty, që atë që të kanë thënë, nuk kanë për ta pas kandidat!
Lesi: Ilir Alimehmetin?
Balla: As atë nuk kanë për ta pasur kandidat. Dje Presidenti i Republikës, doli dhe ftoi partitë politike për konsultim.
Lesi: PD tha ”Nuk shkoj”.
Balla: Unë uroj që PD të marrë pjesë në zgjedhje.
Lesi: Do të marrin pjesë, edhe pse ty nuk të intereson…
Balla: Më intereson, sepse sot që flasim bashkë, PD është në ditën e saj më të zezë, më keq sesa ka qenë në vitin e tyre më të zi. PS edhe në këto zgjedhje, bën të njëjtin proces që ka bërë në këto 20 vitet e fundit. Që ne kemi bërë një diskutim të gjatë, në Kryesinë e partisë dhe kemi miratuar një plan sesi do të përzgjedhim edhe përbërjen e Këshillave Bashkiakë, dhe këto ditë do ta bëjmë publike, për këdo që ka dëshirë të jetë me PS në Këshillin Bashkiakë.
Lesi: Do shkoni siç ka kërkuar Erion Braçe, me Primare? Po apo jo?
Balla: Po Erioni ka sjellë disa propozime.
Lesi: Do shkojë në Primare, sipas Erionit?
Balla: Ne kemi bërë 1 herë të vetme gjatë historisë sonë Primare në PS. Një anëtar, një votë në vitin 2007. Eksperienca nuk ka qenë pozitive, sepse në atë kohë kishin 384 Njësi dhe nuk na rezultoi që të ishte e mirë, por do të bëjmë një proces përzgjedhës. Ju përmendët Erionin, Ogerta, janë kandidatë shumë të mirë.
Lesi: Nga shoqëria civile do ketë?
Balla: Partia Socialiste gjithmonë mbetet e hapur, sepse në fund të fundit, mos harro asnjëherë që kur Edi Rama u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës, nuk ishte anëtar i PS-së. Edi Rama erdhi si ministër i Kulturës, por nuk ishte anëtar i PS-së.
Lesi: Pra që në këto zgjedhje, ju do të shkoni drejt një kandidate për kryebashkiak për Tiranën nga shoqëria civile?
Balla: Ne do të bëjmë të gjithë procesit tonë përzgjedhës për 46 bashki. Në Kamëz është e sigurtë do të rikandidojë Rakip Suli.
Lesi: Mos me rrëshqit nëpër rrethe, vijmë në Tiranë, kush do të jetë kandidati për kryebashkiak?
Balla: PS është duke bërë sondazhet e veta, verifikimet për profilin e kandidaturës.
Lesi: Kur do ta shpallni kandidatin?
Balla: Zyrtarisht kandidati do të shpallet mes datës 20-25 Mars 2027.
Lesi: Në Tiranë nuk do të ketë Primare?
Balla: Nuk do të ketë Primare për asnjë bashki.
Lesi: Pra Erion Braçe quhet i djegur?!
Balla: Nuk e thashë atë….
