Kaosi kosovar, nevojë reale për një qeveri teknicienësh
Nga Ben Andoni- Në dukje kaosi i Kosovës nuk ka as edhe një lidhje të vetme me situatën që po kalon Shqipëria, por në thelb Kosova dhe Shqipëria lidhen ngushtë me stabilitetin e tyre dhe atë të rajonit. Ashtu si Kosova edhe Shqipëria ka shenjat e para të një destabiliteti dhe kjo vjen nga varfëria ekonomike së pari dhe së dyti nga loja e pandershme e faktorit politik, ku Parlamenti ngadalë po rrëshqet në një mjedis, ku ligjet shpesh bëhen pa një asistencë të dy palëve.
Kosova përbri saj, po shkon gjithnjë e më larg. Falë mandatit të dështuar të një presidenteje kukull dhe pa asnjë prestigj, veç tagrit institucional, ajo nuk po mundet të gjejë një udhë qetësie në kalvarin e madh të problemeve kosovare. Më tej akoma, ironia e mëtonjësit të poltronit presidencial Hashim Thaçi ndaj protestuesve të Opozitës duket se i ka hedhur edhe më shumë benzinë zjarrit. Inati i të dy palëve në Kosovë nuk di të ndalet dhe tashti ka arritur e ka dalë krejt jashtë kontrolli. Gazi lotsjellës, prania e policëve në kuvend, mbledhja e firmave të presidentit, gjyqi kundër opozitarëve tregojnë se Kosova s’ka më busull. Dhe, për ironi duket se edhe gjuha e të huajve po i përshtatet krejt mjedisit. Ambasadori amerikan dhe ai britanik, dy vendeve kryesore sponsorizuese të pavarësisë, nuk ndalen në deklaratat e tyre, madje edhe duke gabuar taktin në qëndrimin si palë. Aqsa edhe pse paradoksalisht, ndaj atij amerikan u inincua dhe një peticion kundër.
Larg këtyre, ajo që të shkon ndërmend për kthimin në normalitet është se të dy palët duhet të ishin më të ndershme në qëndrimet e tyre: qeveria në paaftësinë për t’u përfaqësuar me transparencë, opozita për mjetet e dhunshme që po përdor. Është më se e vërtetë që për të ardhur në pushtet duhet respektuar mandati kushtetues, por në rastin e Kosovës është shkuar aq larg saqë vetëm zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një zgjidhje imediate. Por, kujdes këtu: që të ketë zgjedhje të tjera duhet një Ligj i ri Zgjedhor dhe në këtë përplasje që është në Kosovë, askush nuk e ka menduar si planin B, reformën në këtë Ligj jetik. Habitshëm, opozita do të futet në zgjedhje po me të njëjtin ligj.
Presidentja e Kosovës, paçka rezervave që kanë me sa duket të gjithë, do të duhej edhe njëherë të bënte një sforco të fundit për t’i ulur palët, duke shfrytëzuar dhe ndërkombëtarët në arritjen e një akordi për krijimin e një qeverie teknike, që do të përgatiste zgjedhjet, por edhe zgjedhjen e presidentit prej popullit. Teksa të gjithë palët, si shenjë të vullnetit të mirë, duhet të ulnin gjakrat me një ngrirje të vendimeve të Asosacionit dhe Demarkacionit, e në apel duhet të dalë nevoja e një kushtetute të re, sepse aktualja ka nevojë të riparohet. Por të gjithë këtë punë duhet ta bënin teknicienët dhe jo politikanët, që e kanë përcjellë në këtë nivel Kosovën si edhe kolegët e tyre, shtetin e saj Amë, Shqipërinë. Është e vetmja mënyrë e qetësisë dhe jo zgjidhja e sforcuar e Thaçit president, që me sa duket do të ndodhë me forcën e kartonit, e më dobësinë e logjikës. (Java)