Karburantet, dyshime por Oligopol, nisin hetimet nga Autoriteti i Konkurrencës

E ndërsa në botë çmimi i karburanteve bie, në Shqipëri nuk ndryshon, por kur ngrihet në tregun ndërkombëtar, ai menjëherë reflekton të njëjtën gjë në tregun vendas. Kjo ndodhni ato raste, kur kemi të bëjmë me një treg monopol ose oligopol, ndaj edhe Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e këtij fenomeni që rëndon mbi qytetarët dhe kosumatorët.  Debati për tregun e karburanteve pritet të marrë të tjera përmasa, në vazhdim. Autoriteti i Konkurrencës, me shumë gjasa, mund të marrë vendimin përfundimtar për hetimin e  nisur disa muaj më parë, më saktësisht në muajin maj të vitit 2014, mbi tregun e karburanteve, pas dyshimeve për shkelje të konkurrencës.  Afati i hetimit të thelluar, sipas vendimit të institucionit të konkurrencës, ka qenë tre muaj dhe ka mbaruar prej kohësh. Ekspertët e këtij institucioni kanë përgatitur dhe raportin përkatës dhe tashmë ka mbetur që Autoriteti të shprehet zyrtarisht. Një nga pikat më të nxehta të vendimit mund të jetë ajo për shfuqizimin e udhëzimit me numër 17, të Ministrisë së Financave. Në vitin 2008, për ta bërë më të lehtë mbledhjen e të ardhurave nga taksat e karburanteve, Ministria e Financave nxori një udhëzim, i cili ka reduktuar konkurrencën në treg duke i shndërruar të gjitha pikat e pakicës në agjentë të kompanive të mëdha. Udhëzimi u heq mundësinë pikave të pakicës që të konkurrojnë me çmim, pasi ai përcaktohet nga kompanitë importuese. Ky udhëzim ka shkaktuar jo pak debat edhe brenda vetë ministrisë.  Përtej udhëzimit, ajo që mbetet për t’u parë është cilat do të jenë masat e tjera të Autoritetit. Jo-zyrtarisht mësohet se ka diskutime edhe për masa ndëshkuese ndaj disa kompanive që operojnë në treg, për abuzim me pozitën dominuese kolektive.  Kohët e fundit tregu i karburanteve është shndërruar në një temë të nxehtë debati jo vetëm politik, për çmimet e naftës në tregun e brendshëm. Në publik ka pasur opinione të ndryshme se tregu shqiptar nuk reflekton rënien e çmimit të naftës. A janë taksat e larta shkaku apo në treg ka edhe abuzime? Për t’i dhënë përgjigje kësaj dhe dilemave të tjera, Autoritetit të Konkurrencës  duhet të dalë me një vendim zyrtar, mbi këtë çështje.  

SHKARKO APP