Karpushin-Vorpsi: Marrëdhëniet e miqësisë, themel për avancimin e raporteve dypalëshe

Ambasadori rus në vendin tonë, Aleksandër Karpushin ka zhvilluar një takim me Prefektin e Qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi. Gjatë bisedës u evidentua interesi reciprok i palëve për t’i çuar përpara lidhjet ekonomiko-tregtare midis dy vendeve, përfshirë edhe në nivelin ndërrajonal.

U diskutua mbi hapat konkretë që duhen ndërmarrë për të thithur investimet ruse në infrastrukturën turistike, bujqësinë dhe sektorë të tjerë në Qarkun Tiranë, sidomos në zonën bregdetare.

Nga ana e tij, ambasadori i Rusisë e njohu z. Vorpsi me planet për të zhvilluar pas një ndërprerjeje 7-vjeçare sesionin e radhës të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për tregtinë, bashkëpunimin ekonomik dhe tekniko-shkencor. Gjithashtu, Karpushin theksoi edhe domosdoshmërinë për të mbajtur në Tiranë në kuadër të Komisionit një forum biznesi, ku sipërmarrësit e dy vendeve mund të gjenin pika të përbashkëta e të kontaktonin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Nga ana e tij, Prefekti u shpreh i interesuar për të vendosur kontakte të qëndrueshme komunikimi dhe dialogu midis Ambasadës Ruse dhe bashkive, që bëjnë pjesë në Qarkun Tiranë. Bashkëbiseduesit ndanë gjithashtu bindjen se marrëdhëniet tradicionale të miqësisë që ekzistojnë midis dy popujve, rus dhe shqiptar, duhet të shërbejnë si një themel i fortë për avancimin e mëtejshëm të të gjithë spektrit të raporteve dypalëshe.

U nënvizua që pikërisht falë kësaj dashamirësie të ndërsjellë, tashmë me ritme mjaft të larta po ecën përpara edhe bashkëpunimi Rusi-Shqipëri në fushën e kulturës dhe arsimit.

 

SHKARKO APP