KE konfirmon rritjen tonë ekonomike: 1.8% në 2014-n
Komisioni Evropian pranon rritjen ekonomike të vendit tonë gjatë vitit të kaluar, 2014. Njësoj si autoritetet shqiptare, edhe institucioni i lartë evropian ka konfirmuar se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje gjatë vitit që lamë pas. Konkretisht, fjala është për raportin e tremujorit të katërt të Komisionit Europiane për vendet kandidate dhe potenciale kandidate për në Bashkimin Evropian, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Sipas tij, rritja ekonomike në vitin 2014 ka qenë rreth 1.8%, shifër pozitive kjo në fakt, edhe pse më e ulët se parashikimi i qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare prej 2%. Gjithashtu konfirmohet se Shqipëria priet të ketë pasur rritjen më të ulët, në raport me vendet e tjera, përveç Serbisë, ekonomia e të cilës është reduktuar me 2% në 2014-n. Teksa Maqedonia vlerësohet të jetë rritur 3.9%, Mali i Zi me 2% dhe Turqia 2.8%. Kujtojmë se në raportin që botohet çdo tre muaj, analizohen ekonomitë e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjë Hercegovinës, Turqisë dhe Islandës. Dhe për Shqipërinë, raporti vlerëson rikthimin e rritjes ekonomike në tremujorin e tretë me 3.3% me bazë vjetore, e udhëhequr nga tregtia e shërbimet, ndërtimi dhe më pak industria. Sipas raportit, të dhënat, të mbështetura nga treguesit e tregtisë me pakicë, konfirmojnë se fuqizimi i konsumit privat vazhdon dhe ka një ndikim të ndjeshëm në përshpejtimin e rritjes. Raporti vlerëson edhe faktin se pavarësisht se kredia është gjallëruar, niveli i huave me probleme (NPL) është rritur më tej. Në tremujorin e tretë, NPL-të përbënin 24.9% të huave totale, në rritje nga 24.1 % në tremujorin e mëparshëm. Kjo sugjeron se procesi në vazhdim i kthimit të detyrimeve të prapambetura nuk ka pasur një ndikim të ndjeshëm dhe kërkohen më shumë përpjekje për të pastruar bilancet e bankave në një mënyrë të qëndrueshme. Raporti vlerëson rritjen e të ardhurave buxhetore, me 12.6% me bazë vjetore për 11-mujorin, megjithëse 0.7% më pak se plani i rishikuar, por thekson se ulja e deficitit buxhetor ka ardhur më të shumti nga rënia e shpenzimeve për investime.