KE: Tregu rajonal i energjisë, është i dominuar nga serbët

Numri 2 i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Buschle vlerëson kapacitetet e Shqipërisë në sektorin energjetik, si një vend që ka potencialin për t'u shndërruar në aset të rëndësishëm të tregut rajonal. Por që për shkak të mënyrës se si është menaxhuar dhe një modeli tregu të monopolizuar, ka nevojë për ndërhyrje urgjente, për të bërë të mundur shëndoshjen e sektorit.

“Kur qeveria mori sektorin energjetik, ai ishte 'në flakë'. Humbjet po rriteshin gjithnjë e më shumë, ndërsa arkëtimet po uleshin ndjeshëm. Kjo nuk ishte e qëndrueshme në plan afatshkurtër, afatmesëm, as afatgjatë. Masat që duhet të vijojnë përfshijnë ndaljen e vjedhjes së energjisë elektrike. Kjo kërkon edhe që konsumatorët të paguajnë detyrimet, në të kundërt sektori do të vazhdojë të lëngojë”, u shpreh Buschle. Paralelisht me këto masa, sipas numrit 2 të sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, qeveria duhet të nisë sa më shpejt reformën e tregut, duke i dhënë fund monopolit të shtetit dhe vendosur në kushtet e konkurencës së lirë gjenerimin dhe furnizimin e energjisë. Kjo nënkupton sipas tij, një ndarje mes infrastrukturës, që është transmetimi dhe shpërndarja, dhe aktiviteti tregtar apo furnizimit me energji, ku konsumatorët janë të lirë të zgjedhin në mesin e asaj çfarë ofron tregu. “Aktualisht, po operojmë nën një sistem të monopolizuar ku kompanitë shtetërore kontrollojnë cdo gjë, nga nivelet më të larta, ku importi i energjisë nuk bëhet në mënyrë transparente e deri tek shitësit me pakicë, ku konsumatorët nuk kanë zgjedhje mes furnizuesve. Furnizues të rinj mund të hyjnë në treg, ata mund të ofrojnë kushte më tërheqëse dhe kjo mund të realizohet duke ulur kontrollin e qeverisë dhe rregullatorit mbi çmimin”, tha gjithashtu Buschle.  Për ta vënë theksin mes të tjerash edhe tek forcimi i rolit të rregullatorit, që nën efektet e ligjit të ri nuk duhet vetëm të ndjekë zhvillimet e tregut, por të garantojë transparencë maksimale e të sigurojë mbrojtjen e konsumatorëve. Në këtë pikë, Buschle u ndal edhe tek shqetësimet lidhur me një dominancë të mundshme të kompanive serbe në tregun rajonal energjetik.  “Ka një numër të limituar kompanish në rajon e shumë prej tyre rezultojnë të jenë serbe. Nuk dua të drejtoj gishtin tek askush, por kemi patur shqetësime lidhur me mungesën e transparencës në këtë sektor. Nuk bëhet fjalë vetëm për shitësit e energjisë por edhe për blerësit, kompani lokale që kanë interes të mbajnë situatën sic është. Ky është një shembull ku Enti Rregullator i Energjisë apo Autoriteti i Konkurrencës duhet të ndërhyjë për të parë nëse kjo pjesë e tregut ku Shqipëria është shumë vulnerabël është organizuar në mënyrë transparente, jo që individë të caktuar të nxjerrin përfitime por që të realizohet një marrëveshje më e mirë në interes të konsumatorit”, theksoi Buschle.

 

SHKARKO APP