Keda Kaceli: Genova Kuq e Zi, shqiptarët dhanë leksion qytetarie

 të përmbytur nga shirat e ditëve të fundit. E ndërsa atmosfera në stadiumin e Genovas shfaqej si kurrë më parë e mahnitshme dhe stadiumi gumëzhinte nga ovacionet e flamujt kuq e zi, diku në një cep të stadiumit modestish qëndronte edhe një shqiptare me emrin Keda Kaceli (drejtore e revistës italiane “Buongiorno Italia”), e cila bashkë me ish-portierin e famshëm italian, Stefano Taçoni janë kujdesur deri në detaje për promon dhe mirëfunksionimin e eventit. “Kjo është hera e parë që Shqipëria jep një vlerë simbolike kaq të lartë humanitare. Krenare për sa ndodhi dhe për vlerat e qytetarisë sonë të shpalosura aq bukur në stadiumin “Ferraris”, apo “Marassi”. Dëshiroja me shpirt që gjithçka të shkonte mirë. E ashtu shkoi!”, shprehet njëra nga nismëtaret e apelit të iniciativës “Non c’è fango che tenga” lidhur me ndeshjen Shqipëri-Itali. Ajo rrëfen për “Koha Jonë” emocionet e mbrëmjes së 18 nëntorit në stadiumin e Genovas, shembullin e qytetarisë që shqiptarët treguan, si dhe detaje mbi letrën që bashkëpunëtori i saj, Stefano Tacconi i dërgoi presidentit të UEFA-s, Michel Platini lidhur me dështimin e ndeshjes Shqipëri-Beograd.  

 

 

Para dy ditësh Shqipëria u bë kryefjalë jo vetëm e Italisë në qarqet e futbollit. Çfarë shije la në sytë e sportdashësve e italianëve në përgjithësi ky takim miqësor?

E gjithë Italia ka mbetur jashtë mase e impresionuar nga pjesëmarrja e jashtëzakonshme e shqiptarëve të Italisë në ndeshjen miqësoren, Itali-Shqipëri. Të gjitha mediat të nesërmen, si ato të shkruarat dhe ato vizive, pasqyronin me emocion të gjallë, mënyrën tej mase të qytetëruar me të cilën tifozët shqiptarë përcollën ato dy orë kur topi rrotullohej në fushën e blertë, por edhe kur gjatë gjithë kohës mbi tribuna këndohej e duartrokitej pandalshëm loja, fair play e futbollistëve dhe protagonistët: një festë midis azzurre-ve dhe kuq e zinjve.

 

Kur jeni njohur me ish-futbollistin Stefano Tacconi dhe si e priti ai ftesën për t’iu bashkuar nismës humanitare, “Non c’è fango che tenga” për miqësoren e fundit Itali-Shqipëri?

Stefano Tacconi është miku im prej vitesh. Ai është Ambasador i Paqes i Qendrës së Paqes së Asizit, qyteti i Shën Franceskut. Është pikërisht kjo Qendër që ka qenë nismëtare për Rrugën e Paqes mbrapa Universitetit tek Liqeni artificial i Tiranës, e cila është inauguruar disa vite më parë dhe ku unze gjithashtu kam qenë dhe jam aktiviste e saj prej shumë kohësh. Sapo morëm vesh që miqësorja e parashikuar do luhej tashmë në Genova, pikërisht në mënyrë që shitja e biletave të shkonte për rindërtimin e qytetit të ulur në gjunjë për shkak të reshjeve të forta që shkaktuan përmbytjet e njohura tashmë, biseduam dhe vendosëm të ndërmerrnim një nismë solidariteti për t’iu bashkangjitur prurjes së ndihmave, ku, duke bërë diçka të rëndësishme do të dilnin në pah vlerat e bujarisë shqiptare dhe kombëtare që na karakterizojnë ne shqiptarëve. I telefonova dhe e ftova të bëheshim pjesë sëbashku, unë nga revista “Buongiorno Italia”, ai si yll futbolli, zëri i një iniciative që quhet “Non c’è fango che tenga”, pra “Balta nuk na ndal” me bluzat e kishës françeskane, S. Margherita në Marassi, Genova (qendra e ndihmës e organizuar nga At Leonardo Lia ka realizuar t-shirt që edhe Papa Francesco-s tashmë miku më i madh për ne shqiptarët e ka marre këtë bluzë dhe ka kërkuar të tjera për të ndihmuar Genovën, si dhe personazhe të tjerë që i janë bashkuar apelit). Si drejtore e revistës “Buongiorno Italia”, u bëra nismëtare e kësaj thirrjeje, pasi për herë të parë do ishim ne shqiptarët që do ndihmonim popullin italian në vështirësi dhe në një farë mënyre do shkëmbenim me mirënjohjen tonë dhe humanizëm, atë solidaritet që është shfaqur nga italianët për ne sa herë ka qenë nevoja. Stefano direkt pranoi me shumë dëshirë dhe kështu ne bëmë një video të shkurtër, ku u bënim thirrje të gjithë shqiptarëve për pjesëmarrje masive, si dhe të bashkoheshin me ne e të vinin të merrnin bluzat, të cilat për këtë eveniment të rëndësishëm do firmoseshin posaçërisht për tifozët shqiptare nga kampioni i famshëm, Stefano Tacconi. Shumë shqiptarë erdhën në takimin e organizuar dhe kjo u pasqyrua edhe në TgCom. Një kontribut modest, por shumë domethënës dhe ndjej të falenderoj të gjithë miqtë shqiptarë që u bashkuan me ne.

 

Emocionet që përjetuat gjatë kohës që transmetohej ndeshja?

Nuk ishte pare akoma një zjarr dhe pasion i tillë mbi tribuna, ku kryefjala e çdo brohorime ishte vetë festa e futbollit. Unë isha në stadium në tribunën qendrore me Stefano Tacconin, zv. drejtorin e revistës sime, “Buongiorno Italia”, pjesë të redaksisë dhe së bashku me miqtë e mi. Nuk më kanë zënë sytë deri më sot një shfaqje të tillë tifozllëku për dy skuadra njëkohësisht. Ne të gjithë jemi kaq të mirëintegruar në Itali dhe në ndeshje të tjera shpesh jemi tifozët e saj, por kësaj radhe ishim me Shqipërinë tonë, pasi ishte hera e parë që ajo luante një ndeshje të rëndësishme dhe hera e parë me një vlerë simbolike kaq të lartë humanitare. Krenare për sa ndodhi dhe për vlerat e qytetarisë sonë të shpalosura aq bukur në stadiumin “Ferraris”, apo “Marassi”, siç quhet lagjia ku gjendet.

 

U surprizuan organizatorët e ndeshjes nga tifozeria shqiptare, e prisnit një pjesëmarrje të tillë?

Nuk besoj se pritej kaq pjesëmarrje e ngrohtë, por u pa qartë sesi futbolli vërtetë ndërton ura miqësie. Shkas kjo ndeshje e bukur miqësore për të treguar sa shumë kanë ndryshuar gjërat dhe çfarë integriteti etik kanë përvetësuar emigrantët shqiptarë me integrimin e tyre në shtresat shoqërore europiane. Sot me pak se kurrë jemi emigrantë, sot më shumë se kurrë jemi qytetarë të botës së lirë. Kudo në stadium pamë flamuj dopio të të dyja skuadrave. Fytyra të lyera me ngjyrat e kombëtares shqiptare mbi njërën faqe dhe atë italiane në tjetrën. Vetë ne shqiptarët e treguam me sloganet tona me pankartat dhe tabelat e shumta, ku fjalët e thjeshta të zemrës ishin, “Dashuri për Shqipërinë, Respekt për Italinë”.

 

Ishte pikërisht kjo ndeshje që e bindi Tacconin, të shkruante një letër të hapur për kreun e UEFA-s, Michel Platini, me të cilin ka luajtur dikur tek Juventus?

Që me të hyrë në Genova kur pamë lumenjtë e tifozëve që kishin mbushur rrugët e qytetit duke zëvendësuar tashmë llavën e baltës që e kish karakterizuar për ditë me radhë, që kur pamë ngjyrat kuq e zi që kishin ndryshuar faqen e qytetit me ato dhjetëra mijëra flamuj kombëtarë, që kur ishim tek kisha dhe pjesëmarrja shqiptare qe e padiskutueshme dhe e përzemërt, që kur u takuam me shumë tifozë të tjerë pa hyrë në stadium për të ndjekur ndeshjen e derisa dolëm dhe u kthyem, fjalët e tij ishin të jashtëzakonshme. Ne u takuam edhe me trajnerin e Kombëtares sonë, Gianni de Biasi, i cili mori dhe ai bluzën “Non c’è fango che tenga” dhe iu bashkua me ne apelit për Genovën. Nuk mund ta imagjinoni habinë dhe kënaqësinë mbi fytyrën e Stefanos kur u kënduan himnet e skuadrave dhe kur pas ndeshjes u ulëm për darkë ai tha disa herë këto fjalë: “Prej kohësh nuk më kishin zënë sytë një bashkëpunim dhe bashkëveprim të tillë për një nismë humanitare dhe sa jam bërë kaq, pas qindra mijëra ndeshjesh që kam lozur e kam parë, hera e parë kjo, ku shoh një stadium që është tifoz si me skuadrën e zemrës, ashtu dhe me atë të jetës. Momenti më i bukur kur i gjithë stadiumi këndoi të dy himnet duke i shoqëruar me duartrokitje në sinkron. Slogani kryesor i miqësores ishte “Italia – Albania derby di casa mia”. Realisht tifozët shqiptarë më mrekulluan me qytetarinë dhe vëllazërinë për skuadrën dhe tifozët italianë dhe nesër do i shkruaj një letër të hapur mikut tim, Michel Platini për t’i thënë ‘hap sytë mik, shiko çfarë njerëzish janë në të vërtetë, mos bjer pre e makinacioneve të ulëta të politikës dashakeqe” dhe të nesërmen e bëri vërtetë.

Letra tashme është nisur dhe nesër mbërrin edhe mbi tavolinën e punës së Presidentit të UEFA-s. T’ju them të drejtën u mahnita sa nuk më dukej e vërtetë, m’u duk vërtetë një mrekulli. Kjo është një ndihmë e madhe për vendlindjen tonë. Kjo është detyra e ambasadorit dhe Stefano është një ambasador Paqeje i mirëfilltë dhe më shumë më tepër se aq, një mik i vërtetë i yni dhe i gjithë Shqipërisë.

 

Besoni se Shqipëria dha një leksion paqeje në miqësoren e fundit me Italinë, duke i treguar Europës se ishte viktimë e racizmit dhe dhunës dhe se nuk ka lidhje me to, pas ndeshjes së Beogradit, më 14 tetor?

Sigurisht që po. Titujt e shumtë të gazetave italiane dhe europiane ishin pikërisht: “Një leksion qytetërimi nga shqiptaret”. Unë mund të them se Genova kuq e zi, ishte një festë ngjyrash edhe këngësh. Tifozllëk i pastër dhe paqësor, një shfaqje për t’i treguar botës se dhunën në Beograd, ishim ne që e pësuam. Që padrejtësia na u bë neve si tifozë dhe sportdashës dhe mbi te gjitha, që kombëtarja u ndëshkua pa të drejtë dhe jo ndershmërisht.

 

Cili është imazhi i vërtetë i Shqipërisë në sytë e italianëve, pavarësisht pamjeve që dhuroi ndeshja miqësore dhe besoni se la ndonjë mesazh ky takim?

Vitet e fundit ka ndryshuar shumë ideja që italianët kanë patur në fund të viteve ‘90 për shqiptarët. Ata e kanë vënë re më së miri se komuniteti shqiptar është mbase komuniteti më i integruar në shtresat shoqërore të përditshmërisë në të gjitha fushat profesionale, si ato të biznesit dhe ato artistike. Dhe pikërisht, ky takim la mesazhe shumë të rëndësishme miqësie, vlerash dhe uniteti vëllazëror. Sikurse vëllezërit që ndihmojnë njëri-tjetrin, kur njëri gjendet në nevojë, tjetri vrapon në ndihmë të tij, kështu edhe popujt tanë i shtrijnë dorën njëri-tjetrit, të sigurtë se ndihma është e sigurt dhe bujare.

 

Keda Kaceli tashmë është bërë një emër i njohur, sidomos në fushën e letrave. Kujtojmë këtu botimin në italisht të veprës së At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”. Përtej kësaj ndeshjeje, ku ju kontribuuat si një nga nismëtaret e iniciativës “Non c’è fango che tenga”, do presim diçka tjetër nga ju? Çfarë konkretisht?

Ju falenderoj për konsideratën. Në këtë eveniment, kam bërë atë që çdo shqiptar i mirë duhej të bëjë. Thjesht u bëra zëri i shumë miqve që dhanë kontributin e tyre. Organizuam ndihmat, por jo të ardhurat. Kishte tre mënyra për të dhënë ndihmë. Pjesëmarrja në ndeshje, blerja e bluzave dhe dërgesat me anë të Iban-it që është lënë ditë me radhë në televizionet shqiptare, kryesisht nga Agon Channel, i cili qe televizioni që e pasqyroi hap pas hapi nismën tonë dhe ndjej t’i falënderoj publikisht. Shumë qytetarë italianë na kanë falendëruar e përgëzuar. Gjithashtu At’Lia na përcolli falënderimet e tij. Eshtë bukur kur jep një kontribut që shërben për të ndihmuar. Më bëre të buzëqesh. Unë nuk e di çfarë do mund të prisni nga unë, por realisht mua nuk më duket se kam bërë ndonjë gjë shumë të madhe. Jam një vajzë e thjeshtë që bëj me dashuri çdo gjë që bëj dhe këmbëngul që çdo nismë të ndërmarrë ta përfundoj me sukses.

 

Ju ndihmoni shumë, po juve a ju ka dhënë dikush “dorë” për të ecur përpara në karrierën tuaj në Itali?

Me ndihmon mbështetja e familjes dhe e miqve. Më ndihmon fuqia e tyre, e cila shton fuqinë time në rrugën që kam ndërmarrë. Sigurisht, më ndihmon stafi i mirë që kam dhe më shtyn të realizojmë më së miri nismat tona. Më ndihmon besimi i dashamirësve dhe dashuria e tyre. Unë nuk e quaj ndihmë kontributin që jap për kauzat, në të cilat besoj, por detyrë. Ishte detyrë morale përfundimi i botimit të librit të At Zef Pllumit tim të dashur, i cili së shpejti del në ribotim, është detyrë morale të merrem me problemet e vendit tim. Padrejtësia që na u bë në sytë e botës në ndeshjen me Serbinë duhej shlyer e nuk mund të rrija duarkryq. Cila mënyrë më e mirë, sesa kjo shuplake morale që mori kushdo që nuk i do të mirën Shqipërisë e shqiptarëve, me këtë shfaqje të lartë solidariteti që u treguam të zotët të realizonim. Me miq të mirë, puna të duket kënaqësi dhe frutet e saj të shijojnë më shumë. Punet e mira bëhen me shokë e miq të mirë.

 

Duket sikur ju keni lidhje të forta me personalitete të famshëm italianë dhe gjendeni gjithmonë në vendin e duhur, në kohën e duhur, me personat e duhur. Na flisni pak për veten tuaj dhe sakrificën për të depërtuar në qarqet më të larta shtetërore dhe jo vetëm në Itali?

Thjesht punoj shumë. Koha ikën shpejt, shumë shpejt. Shpesh më është dashur të pres shumë, por investimi i punës dhe i pritjes ia ka vlejtur barra qeranë. Kur je i huaj të duhet të punosh dyfish, ndaj dhe sadisfaksioni është shpesh i dyfishtë, por nuk ke kohë t’i gëzohesh shumë, ai kalon shpejt, pasi të përfshin ngjarja e radhës. Ja për shembull, sot po përfundoj detajet e konferencës që do organizojmë në Romë dhe përfitoj nga rasti t’ju ftoj edhe juve si gazetë që të merrni pjesë. “Buongiorno Italia” po bëhet çdo ditë e më shumë, një zë i fuqishëm dhe jam krenare që e drejtoj atë. Ajo është krijesë e imja dhe e bashkëpunëtorëve të mi, të cilët këto dite po merren me pikat e konferencës dhe punë të tjera. Detajet sigurisht, do jua dërgoj ditët e ardhshme.

SHKARKO APP