Këmbët e Nënë Terezës, këmbët e deformuara nga lodhja dhe mundimet, këmbët që ecën mbi dhembje

Nga Albert Vataj

E kemi parë Nënë Terezën në një pafundësi fotosh, fytyra e saj e rrudhur nga përkushtimi, sytë që mbartnin një paqe të thellë dhe një dhimbje të heshtur, duart e saj të vogla që përqafonin të braktisurit si të ishin fëmijët e saj. E kemi parë në altarët e bamirësisë, në podiumet e Nobelit, pranë personaliteteve botërore, si një grua shtatshkurtër që mati botën jo me trupin, por me shpirtin e mirësisë.
Por kurrë nuk kemi parë këmbët e saj.
Po, këmbët e saj, të zbathura, të lodhura, të përvuajtura. Ato që nuk u fotografuan, por që mbartin në heshtje historinë e një kalvari të gjatë. Këmbët që ecën nëpër rrugët e Kalkutës, nëpër lagjet e harresës, nëpër dhimbjet e njerëzimit. Këmbët që nuk kërkuan pushim, por vazhduan të ecin drejt misionit të saj të shenjtë, të jetë pranë atyre që nuk kishin askënd.
Në to është gdhendur rruga e shenjtërimit, jo si triumf, por si sakrificë. Janë këmbët që mbartën peshën e botës, pa u ankuar, pa u ndalur, pa u dukur. Ato nuk kërkuan lavdi, por shërbesë. Nuk kërkuan skenë, por tokë ku të ecin për të ndihmuar.
Në to, historia nuk është shkruar me bojë, por me plagë që nuk u trajtuan dhe nuk u shëruan kurrë.
Në një botë ku madhështia shpesh matet me pushtet e pasuri, këmbët e Nënë Terezës flasin me një gjuhë tjetër, atë të përulësisë që nuk kërkon lavdi, por shërbim. Të deformuara nga vitet e ecjes në rrugët e Kalkutës, pa rehati, pa mbrojtje, ato nuk janë shenja të sëmundjes, por dëshmi të dashurisë së palodhur.
Çdo gisht i shtrembëruar, çdo nyje e lodhur, është një rrëfim i heshtur i një jete të përkushtuar ndaj të harruarve, të sëmurëve, të braktisurve. Ajo nuk kërkoi trajtim për veten, nuk u ankua për dhimbjen, sepse dhimbja ishte vendi ku ajo takonte Zotin, dhe ku dashuria merrte formë njerëzore.
Këmbët e saj nuk ecën mbi qilima, por mbi pluhur e vuajtje. Ato nuk u ndalën kurrë, edhe kur trupi i saj kërkonte pushim. Ishin këmbë që bartën mëshirën, që u gjunjëzuan pranë të vdekurve, që u ngjitën shkallëve të spitaleve pa emër, që trokitën në dyert e zemrave të mbyllura.
Në to nuk ka asgjë për t’u fshehur, përkundrazi, ka gjithçka për t’u kujtuar. Sepse në deformimin e tyre, shohim bukurinë e një shpirti që zgjodhi të vuajë për të tjerët, që zgjodhi të ecë jo për veten, por për të ata tw cilwve u kishte ndaluar fati, fikur dritat dhe thyer qielli.
Këmbët e Nënë Terezës janë një testament i gjallë i kësaj dashurie. Dhe në heshtjen e tyre, ato na thërrasin të ecim edhe ne, jo drejt lavdisë, por drejt njeriut.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?