Keni të drejtë të xhindoseni me Arditin
Nga Ilir Levonja-
Ndofta në këtë rrokopi vitesh. Në këtë katrahurë, përplasjesh. Rrahjesh, grabitjesh, pengjesh, vrasjesh. Zona influencash. Me prijësa patriarkalë. Me arkitektë që e kthyen vendin në gazermë makinash të vjetra. Treg të rrobave të përdoruara. Treg trotuaresh. Arenë të smokut…Treg të seksit, drogës, organeve njerëzore. Treg të hormoneve me shumicë. Treg të informalitetit. Atdheun e zbrazur…, me përqindjen më të lartë, familjesh. Të lidhura me eksodet e maleve, ujrave, mauneve, kontrabandistëve. Në këtë vend ku njerëzit jetojnë për inat të njëri-tjetrit. Ku të gjithë flasin në emër të demokracisë dhe pikërisht demokraci nuk duan.
Në këtë vend ku të gjithë flasin për patriotizëm dhe patriotë nuk janë. Në këtë vend ku të gjithë magjepsen pas përgjegjësisë civile në Perëndim. Dhe e ëndërrojnë Perëndimin, ndërkohë ku për një grusht para qyl, i hapen dysh orientalizmit. Në këtë vend ku, siç tha edhe ai poeti…, lakrës i heqin të përbrendshmet dhe i vendosin mend. Në këtë vend kampion të urrejtjes për shoku-shokun. Në këtë vend ku të gjithë flasin në emër të popullit. Dhe të gjithë vdesin që t’ia fusin popullit. Në këtë vend ku të gjithë qajnë për të gjithë. Edhe pse e kanë vrarë vet njëri-tjetrin.
Keni të drejtë të shkumoseni me Arditin. Ndofta ishte, është, nga ata të pakët showmen që qëndronte dhe përpiqet të qëndrojë midis. Më i lakmuari dhe më i xhelozuari. Ndërkohë më i adhuruari, modeli, apo eksperti që çuditërisht pak duan t’i ngjajnë. Pasi e kërkojnë suksesin përmes kanaleve politike.
Ose ndofta është dhe çështje talenti. Kutadish? Ndaj keni të drejtë të irritoheni me ‘të.
Megjithëse sportivisht, me kostum sportiv, prag pranvere. Me atë lirizmin e tij. I ndërfutur në jetën e atyre që marrin jetë. Sigurisht që është një firo. Firo e madhe…., por tashmë në këtë vendin tonë. Firot e mëdha janë bërë normale. Normale tek e përditshmja. Ne nuk habitemi më, nuk na dhëmb më, nuk na i ndjen fare për vrasjen e përditshme. Megjithatë na tmerron firoja artistike e një njeriu simbol i skenës sonë.
Keni të drejtë sepse, është një nga ato momente, në kuptim më të gjërë të fjalës. Kur tek një shoqëri, plas si sythët e rinj, si pranvera që kemi në derë. Edhe ndjesia e indinjatës shoqërore. Për çfarë dhe çfarë nuk është e drejtë ose e padrejtë në një shoqëri. Sa mirë sikur ndjesi të tilla, të ishin më të përditshme. Për një pranverë. Dhe për një jetë me ‘të. Më të përgjegjshme sigurisht.