Kërkimi i vështirë i të pushkatuarve të komunizmit
Viktimat e persekutimit politik nga ekzekutimet me ose pa gjyq, shumë të tjerë të vdekur në burgjet apo kampet e diktaturës, por edhe ata që kanë mbetur të vdekur gjatë torturave në hetuesi ose spitale psikiatrike, janë groposur në varre kolektive apo janë vrarë dhe varrosur pa shenja në kufi, gjatë tentativave për arratisje. Mu këta do jenë objekti i këtyre hulumtimeve, që duhet thënë se për t’i identifikuar me AND-në e tyre do u kërkohet plot 1500USD. Por ky institucion do jetë dhe subjekti përgjegjës që do merret edhe me dëshmitë reale audiovizive, por edhe me shumë gjëra të tjera, që lidhen me të mbijetuarit nga diktatura, ku në fund do të hartohet një dokumentacion i plotë mbi të zhdukurit, të ekzekutuarit dhe të vdekurit në burgjet e komunizmit, qendrat e internimit dhe torturës.
Nga Ben Andoni
Ne duam t’i gjejmë, por problemi është se shumica e të vrarëve dhe të zhdukurve në komunizëm u janë ndërruar varret, kurse ata që i kanë vrarë, jo vetëm kanë vdekur, por një pjesë e tyre nuk mbajnë mënd vendet e ekzekutimit. Me këto fjalë, Kurt Kola, një nga funksionarët e vjetër të të përndjekurve ia bëri të qartë panelit, që organizoi pak ditë më parë zv/ministria e Çështjeve Sociale Genta Sula me strukturën ndërkombëtare të ICMP-së. Përballë tij, i biri, Bilal Kola, tashmë si një nga funksionarët kryesorë të të përndjekurve u shpreh optimist se procesi ka nisur dhe se në Komitetin e të Përndjekurve është ngritur një zyrë. Kjo zyrë me një përgjegjës dhe dy specialistë, që do merret enkas për gjetjen e të Zhdukurve të Komunizmit, u ngrit me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Si pjesë e Institutit të ish-Përndjekurve Politikë, kjo strukturë, do trajtojë të gjitha kërkesat që do të vijnë nga familjet e persekutuara, familjarët e të cilëve janë zhdukur gjatë diktaturës. Një strukturë që mëton të rregullojë atë që s’është bërë për 25 vjet me rradhë nga aktorët e ndryshëm, që më shumë janë marrë me akuza dhe kundër-akuza.
Viktimat e persekutimit politik nga ekzekutimet me ose pa gjyq, shumë të tjerë të vdekur në burgjet apo kampet e diktaturës, por edhe ata që kanë mbetur të vdekur gjatë torturave në hetuesi ose spitale psikiatrike, janë groposur në varre kolektive apo janë vrarë dhe varrosur pa shenja në kufi, gjatë tentativave për arratisje. Mu këta do jenë objekti i këtyre hulumtimeve, që duhet thënë se për t’i identifikuar me AND-në e tyre do u kërkohet plot 1500USD. Por ky institucion do jetë dhe subjekti përgjegjës që do merret edhe me dëshmitë reale audiovizive, por edhe me shumë gjëra të tjera, që lidhen me të mbijetuarit nga diktatura, ku në fund do të hartohet një dokumentacion i plotë mbi të zhdukurit, të ekzekutuarit dhe të vdekurit në burgjet e komunizmit, qendrat e internimit dhe torturës.
Deri më tani, në afërsi të Dajtit janë identifikuar plot 13 kufoma, që megjithë zhurmën politike që u bë deri më tash, nuk janë identifikuar sot e kësaj dite, por që ka treguar edhe konfuzionin tonë në këtë proces. “Është me rëndësi të veçantë që autoritetet Shqiptare të fillojnë me krijimin e regjistrit qendror të të gjithë personave, të cilët u zhdukën gjatë regjimit komunist. Kjo do të mundësonte krijimin e lidhjeve në mes të personit të zhdukur dhe familjes respektive, e cila me pastaj do të ndihmonte në fazën e dytë – mbledhjen e mostrave referentë të gjakut nga anëtaret e familjeve”, shprehet Matthew Holliday udhëheqës i Programeve për Ballkanin Perëndimore në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.
Bashkëpunimi
Veç instancave me këtë rast dhe që ky proces të shënojë sukses, duhet që të mblidhet dhe të kërkohet mirëkuptimi, dëshmia dhe bashkëpunimi i ish-zyrtarëve të regjimit komunist. Në arkiva të ndryshme janë të shënuara vendet e ekzekutimit, paçka se në disa raste Shërbimi i SIGURIMIT thuhet se ia ka ndërruar vendet e varrimit për interesat e saj. Shqipëria sipas hartës së ekzekutimeve të bërë nga z. Agim Musta rezulton sot se përfshin gati 6000 njerëz të zhdukur. Mu në këtë hap ka hyrë në lojë, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur, që falë përvojës së fundit në Bosnjë, ka ofruar ndihmesën teknike dhe ekspertizën mjekësore për autoritetet shqiptare, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Çështjeve Sociale.
Që kur u themelua në vitin 1996, ICMP ka pasur një rol udhëheqës në ndihmën për identifikimin e më shumë se 70% të personave të zhdukur nga rreth 40.000 sa ishte në fillim numri i personave të zhdukur nga konfliktet në ish Jugosllavi. Në mes tjerash, ICMP është pionere e përdorimit të efektshëm të ADN-së për të identifikuar personat e zhdukur. Në vitin 2003, duke reflektuar sukseset e jashtëzakonshme të organizatës në implementimin e detyrave në Ballkanin Perëndimor dhe duke marr parasysh natyrën globale të çështjes, , qeveritë përkrahëse zgjeruan mandatin e ICMP përtej kufijve të vendeve të ish Jugosllavisë, përfshirë edhe rastet e viktimave të fatkeqësive, sipas z. Holliday.
Deri më tani përpjekja (nëse ka ekzistuar) e palës shqiptare ka rezultuar në një nul. Të mos harrojmë se që prej vitit 1991, autoritetet shqiptare kanë miratuar më shumë se 24 akte ligjore në lidhje me viktimat e ish-regjimit, por pothuaj s’është bërë gjë për viktimat e komunizmit dhe identifikimin e tyre. Kësaj duhet t’i shtohet mungesa e informacionit dhe mos qasja serioze që e bën problemin shumë të vështirë. Që për fat, në vitet e fundit është marrë në dore nga vetë familjarët, të cilat kanë mbetur të zhgënjyer nga gënjeshtrat e deri më tanishme të politikanëve të dy krahëve. Përfshirja në këtë rast e këtij institucioni kaq prestigjioz i bën autoritetet shqiptare që në një farë mënyrë të lajnë duart dhe të tregojnë se realisht po fillojnë një punë të madhe, paçka se ende realisht s’dinë se ku do shkojnë.
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Humbur, ashtu siç ka premtuar, mund të japë ndihmesën e tij teknike në këtë mes, por jo në një boshllëk dhe në një atmosferë mungese të vullnetit të mirë dhe të bashkëpunimit serioz nga autoritetet përkatëse, siç ka qenë deri më tani në Shqipëri. Ky institucion ngul këmbë për një vullnet politik serioz dhe për bashkëpunimin e aktorëve në të gjitha nivelet qeveritare të Shqipërisë, nëqoftëse autoritetet shqiptare me të vërtetë janë të vendosura në këtë proces. Në fakt, të mjaftonte fakti të të rrije para tyre, atë ditë, që të kuptoje seriozisht sesa të pashkëputur ishin nga e kaluara, të gjithë aktorët, që flisnin për të persekutuarit, që tashmë kërkojnë thjesht një varr.
"Krijoni regjistrin qendror të të humburve!"
Matthew Holliday, Drejtues i Programeve për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur flet për “JAVA”, lidhur me procesin e saponisur në vend të identifikimit të të humburve nga komunizmi…Sa i mundur është si proces?!
Matthew Holliday i është dashur shumë që të bindë shqiptarët sepse fillimi i këtij procesi të madh do jetë i mundimshëm dhe se më shumë se çdo gjë tjetër, kërkon vullnet dhe përpjekje të gjithë institucioneve. Kjo është e para dhe e fundit. Por, pala shqiptare në takim, veç Ministrisë së Çështjeve Sociale është endur sërish në hallakatje dhe përfolje dhe kuptohet anatemë për komunizmin…Holliday është munduar të shpjegojë qartësisht përvojën e Bosnjës dhe të vendeve ku operon institucioni i tij, por nga ana tjetër ka bërë thirrje që puna duhet të fillojë pa bërë fjalë, por duke vepruar…Burri i ri thjesht i ka dëgjuar indiferent patetizmat e shqiptarëve dhe kur i ka ardhur koha të riflasë u ka përsëritur me pika gjërat që duhet të bëjnë: Krijimi i një regjistri dhe regjistrimi i të afërmve, prej të cilëve do të identifikohen…
Ka shumë histori tani që lidhen me zhdukjet e detyruara dhe rastet e personave të humbura nga e gjithë bota. Shqipëria është një nga ato dhe ju e keni ngjarjen direkt nga Tirana me humbjet në komunizëm. Si e shikoni mundësinë e fillimit të procesit në Shqipëri?
“ICMP-ja e vizitoi Tiranën me ftesë të Qeverisë shqiptare – Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Qëllimi i vizitës ishte shqyrtimi i mundësive që ICMP-ja të ndihmojë Shqipërinë në identifikimin e përafërsisht 6.000 personave të zhdukur gjatë periudhës së regjimit komunist. Gjatë vizitës, delegacioni i ICMP u takua me përfaqësues të qeverisë shqiptare, Institutin e ish të Përndjekurve Politikë, përfaqësuesit e prokurorisë dhe përfaqësuesit e Institutit të Mjekësisë Ligjore. ICMP-ja kuptoi se ka një vullnet politik që kjo çështje të ecë përpara. Është me rëndësi të veçantë që autoritetet Shqiptare të fillojnë me krijimin e regjistrit qendror të të gjithë personave, të cilët u zhdukën gjatë regjimit komunist. Kjo do të mundësonte krijimin e lidhjeve në mes të personit të zhdukur dhe familjes respektive, e cila me pastaj do të ndihmonte në fazën e dytë – mbledhjen e mostrave referentë të gjakut nga anëtaret e familjeve. ICMP është i ndërgjegjshëm që 13 persona të zhvarrosur në afërsi të malit Dajt në vitin 2010 janë akoma të paidentifkuar dhe mbahen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Ky do të mund të shërbente si rast testi për një projekt-pilot. Megjithatë duhet theksuar se nuk ka një “zgjidhje të shpejtë” për këtë çështje; ky është një proces i cili përshin shumë institucione dhe metoda jashtëzakonisht komplekse shkencore. Për të filluar procesin autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë fondet e nevojshme për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur, përfshirë edhe identifikimin me ADN. Kjo do të tregonte qartë se ka një vullnet politik për të trajtuar çështjen dhe do të demonstronte pronësi të qartë të procesit”.
Deri më tani problemi i personave të zhdukur është trajtuar si një çështje humanitare apo si një çështje emergjence në luftë. ICMP-ja ka një status të ri, që do të thotë se do jetë një organizim me një sfidë globale. A mund të na sqaroni statusin e ri të organizimit tuaj?
“Më 15 dhjetor 2015, në Bruksel, Ministrat e Jashtëm të Holandës, Mbretërisë së Bashkuar, Suedisë, Belgjikës dhe Luksemburgut nënshkruan marrëveshjen kornizë, e cila i mundëson status të ri ligjor Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Që kur u themelua në vitin 1996, ICMP ka pasur një rol udhëheqës në ndihmën për identifikimin e më shumë se 70% të personave të zhdukur nga rreth 40.000 sa ishte në fillim numri i personave të zhdukur nga konfliktet në ish Jugosllavi. Në mes tjerash, ICMP është pionere e përdorimit të efektshëm të ADN-së për të identifikuar personat e zhdukur. Në vitin 2003, duke reflektuar sukseset e jashtëzakonshme të organizatës në implementimin e detyrave në Ballkanin Perëndimor dhe duke marr parasysh natyrën globale të çështjes, , qeveritë përkrahëse zgjeruan mandatin e ICMP përtej kufijve të vendeve të ish Jugosllavisë, përfshirë edhe rastet e viktimave të fatkeqësive. ICMP është aktive në të gjithë botën tani duke punuar me qeveritë, organizatat e shoqërisë civile, institucionet e drejtësisë, agjencitë ndërkombëtare dhe të tjerët për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur si rezultat i konflikteve të armatosura, shkeljeve e të drejtave të njeriut, fatkeqësive, krimit të organizuar dhe shkaqeve tjera. Është organizata e vetme ndërkombëtare e dedikuar vetëm për ketë çështje. Megjithatë, statusi ligjor ndërkombëtar i tij buronte nga marrëveshjet e arritura me qeveritë e Ballkanit Perëndimor, si dhe organizatave ndërkombëtare si IOM dhe Interpoli. Marrëveshja Kornize e nënshkruar në dhjetor e bën ICMP-në, organizatë ndërkombëtare edhe formalisht me një sistem të brendshëm qeverisjeje dhe kapacitete ndërkombëtare. Ofron gjithashtu edhe strukturën e re organizative përfshirë edhe Bordin e Komisionerëve, si organin kryesore, Konferencën e palëve nënshkruese dhe ekzekutivin e udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm. Ky ndryshim i statusit të ICMP vjen në kohën kur fenomeni i zhdukjes në shekullin 21 bëhet shumë i dukshëm. Për shumë dekada, çështja është trajtuar nga perspektiva humanitare ose si çështje ndihmë-shpëtimi ose si çështje emergjente luftë, por është e qartë tani se kjo çështje është një sfide globale dhe kërkon përgjigje të përbashkët globale. Duke pasuar Marrëveshjen Kornizë ICMP pozicionohet për të dhënë kontribut efektiv dhe të qëndrueshëm ndaj kësaj përgjigje”.