KESH: Garantojmë rezervë të mirë hidroenergjetike, eksport 440 MW në maj

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka siguruar një rezervë të konsiderueshme energjie si pasojë e situatës së favorshme hidrometeorologjike në pellgun ujëmbledhës të HEC-eve mbi lumin Drin në 4 muajt e fundit.

Burime të kompanisë bëjnë të ditur se grumbullimi i sasive të mëdha të prurjeve të ujrave në 3 rezervuarët e Kaskadës së HEC-eve mbi Drin, është administruar në mënyrë optimale për prodhimin maksimal të energjisë, duke mënjanuar shkarkimet e ujrave.

Në këtë situatë të mbarë hidroenergjetike, KESH ka prodhuar energji në hidrocentralet mbi Drin për të plotësuar nevojat e konsumatorëve tariforë, mbulimin e humbjeve në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe për eksportimin e pjesës tjetër të energjisë së prodhuar.

Për javën e parë të muajit maj, KESH-i i konfirmoi OSHEE-së sasinë e nevojshme të energjisë për muajin për klientët tariforë dhe mbulimin e humbjeve.

Gjithashtu KESH-i zhvilloi ankandin për shitje të tepricës së energjisë në kapacitetet 440MW, ku morrën pjesë 11 shoqëri tregtare të liçensuara.

Në ankand të 440 MW u shitën të ndarë në tre lote sipas profileve, me çmim nga 26.52 -28.40 euro/Mwh.

KESH ka treguar kujdes që përvec prodhimit të energjisë dhe eksportit, të administrojë rezervuarët e HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës në kuotat maksimale të lejuara për të pasur një rezervë hidrike, që të garantojë furnizimin me energji elektrike të vendit për periudhën që vijon.

SHKARKO APP