Këshilli Kombëtar i PD mblidhet më 27 Gusht, ja çfarë pritet të ndodh
Partia Demokratike do të mbledhë më 27 gusht, në orën 18:00, Këshillin Kombëtar, në një takim ku pritet të përcaktohen hapat e ardhshëm për organizimin e brendshëm të forcës kryesore të opozitës. Në qendër të mbledhjes do të jetë prezantimi dhe miratimi i platformës për modernizimin e strukturave të partisë dhe zhvillimin e infrastrukturës dixhitale.
Takimi vjen pak javë pas zgjedhjeve të 15 korrikut për strukturat drejtuese të PD-së. Edhe pse procesi u shoqërua me deklarata për rinovimin e partisë, në drejtimin e saj vijojnë të jenë figura të njohura. Flamur Noka u konfirmua Sekretar i Përgjithshëm, ndërsa Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj morën postet e nënkryetarëve. Klevis Balliu u zgjodh Sekretar Organizativ.
Procesi i zgjedhjeve të brendshme nuk kaloi pa debate. Disa demokratë e kontestuan mënyrën se si u zhvillua gara. Ndër zërat kritikë ishte edhe Ilirjana Kuçana, e cila deklaroi se në PD duhet luftuar ajo që e cilësoi si “fenomen të mulizmit”. Në të njëjtën kohë, drejtuesit e PD-së kanë nisur të artikulojnë edhe objektivat për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Në selinë blu fokusi duket se është edhe te riorganizimi i partisë. Mbledhja e 27 gushtit pritet të tregojë nëse platforma e modernizimit do të sjellë ndryshime konkrete në mënyrën e funksionimit të strukturave dhe komunikimit të PD-së.
KOHA JONË SONDAZH

