Këta varrmihës të funksionimit të jetës sonë institucionale

 

Është e kuptueshme që në planet e para të ekraneve televizive të dalin deputetë,  vendimmarrës dhe politikanë, si përfaqësues të drejtpërdrejtë të popullit, të mandatuar nga elektorati por edhe nga anëtarët e partive për të mbajtur në linja të qarta interesat themelore të dy krahëve të spektrit. Gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve e gjysmë që kultivohet pluralizmi partiak, kemi parë një ripërtëritje të pandërprerë të trupës sonë legjislative në Kuvend aq sa ky ndërrim kaq i dendur i ligjvënësve tanë edhe më shumë se 4 vjet, të krijon bindjen se këtu tek ne ende nuk janë gjetur mjetet dhe etika për të krijuar elita parlamentare, të afta pas një çerek shekulli t’i përgjigjen në afat lulëzimit të brishtë të demokracisë. Fatkeqësisht, Shqipëria nuk po prodhon ende atë shtresë shtetarësh të racës, që duhet të jenë imazhi i barasvlershëm i lartësisë qytetëruese të Europës. Siç duket, ndër pasojat më të vërteta të prapambetjes që na la komunizmi duhet të konsiderojmë rrënimin e çdo baze për përgatitjen e një kaste të lartë nëpunësish me kulturë administrate dhe ndjenja përgjegjshmërie, që duhej të ishte pararoja e ndriçimit të qytetërimit perëndimor në institucionet tona qeverisëse.

 

Kur krahason qoftë edhe pa as më të voglën dëshirë veprën elitare të parlamentarëve shqiptarë të gjysmës së parë të shek. XX me atë të parlamentarëve të sotëm, një hidhërim të pushton pa e ftuar çdo qelizë të mendjes sonë kritike, duke e zhytur veten në një pesimizëm kronik për udhëkryqin e shqiptarëve, ku përplasen trafiku i modernizmit bashkëkohor të globalizimit me ecjen kuturu të botës sonë arkaike të trashëguar nga e kaluara .

 

Është e natyrshme që atrofizimi mendor i të “zgjedhurve të popullit” të ketë sjellë, si një rrjet i stërholluar i kapilarëve të gjakut në organizëm, një shthurje totale të  një pjese të konsiderueshme të organikës së nomenklaturës sonë të lartë, që sot përbën një thurim tepër të ndërlikuar institucionesh të shumta, të varura nga pushteti ekzekutiv ose edhe nga pushteti i pavarur, por që në raport me përkushtimin ndaj detyrës së dhënë nga ligji, karakterizohet nga një emërues i përbashkët, neglizhimi ndaj detyrës shtetërore dhe detyrimit ndaj shtetasve. Neglizhim në kuptimin më superior të fjalës, që do të thotë injorim i plotë në çdo shkallë ankimimi qoftë edhe i kërkesave më minimale të qytetarëve.

 

Në çdo hallkë të qeverisjes sonë qendrore, në ministri apo dikastere, shumica dërrmuese e nëpunësve, që janë rekrutuar jo pak mbi baza militantizmi, vegjetojnë mbi postin e tyre me psikologjinë apo mentalitetin zotërues të “përkohshmërisë së detyruar të qëndrimit spontan në detyrën e caktuar”, gjë që presupozon se as që ia vlen që të sakrifikohesh qoftë edhe një grimë për hallet dhe mallet e këtij publiku të padenjë sipas tyre, të cilin ata as që e përfytyrojnë se mund t’i shërbejnë si duhet. Në këtë bllokim të dukshëm dhe të ndjeshëm nga gjithsecili nga çdo drejtim për mbarëvajtjen e makinerisë së duhur administrative për një shtet, secili analist realist i ngjarjeve të përditshme të Shqipërisë, apo çdo studiues sado modest i ecurisë së proceseve demokratike tek ne, pa shumë vështirësi, me një vështrim hulumtues si në një prerje laboratori do pikaste sado zbehtë shenjat e para të një degjenerimi shtetëror, nga ai lloj zvetënimi zyrtar që ka paraprirë histori zhvillimesh botërore, si rënia e pashmangshme e Perandorisë Romake, Bizantine, Osmane etj. Thënë shkurt dhe shkoqur, dikton krisjen e ngrehinës sonë administrative që ka një tabelë kushtetuese që emërtohet “Republika e Shqipërisë”. Sado patetike që të duket kjo thënie deklarative e shprehur kaq thatë, pa as më të voglin kujdes, ajo është në vetvete po aq e vërtetë sa është edhe drita e diellit. Kjo problematikë në shumë prej enteve më të larta shqiptare nuk ka lindur në një ditë dhe as është maturuar në një vit të vetëm, por së fundmi është trashur sa po vazhdoi kështu, mundet që të zmadhohet e të na zërë brenda me rrapëllimën e hatashme të shkatërrimit.

 

Fizionomia morale e shumicës së zyrtarëve tanë të strukur në këtë administratë sot i përngjason panoramës së zymtë të një hordhie memurësh dhe teveqelësh, që të gjithë orarin e punës ia kushtojnë kryerjes së problemeve personale. Tek shumica  prej tyre nuk dëgjohet as zilja më e vogël e fantazisë së krijimit në punë, as rrahja më e vogël e përgjegjshmërisë ndaj detyrës, e atij nervi njerëzor që karakterizon çdo masë  kombëtariste të shekullit. Secili prej atyre është në realitet mishërim i vanitetit kozmopolitan, që mund të përshkojë në të vërtetë edhe shumë sivëllezër të tyre në botë, por duhet dënuar me vdekje, nga qëllimi ynë i përbashkët aktual,   dhe nga morali i përjetshëm i disa gjenerata atdhetarësh tanë, që flijuan për ndërtimin e institucioneve të këtij shteti, me gjithçka që patën dhe me shpresën fisnike se “një ditë Shqipëria e tyre e dashur do të bëhej, madje një shtet europian dhe me administratë europiane.

 

Mbarë territori që na bashkon ne në njësi të vetme si komb unik është i mbjellë me të rënë në luftëra të ndryshme, por që të gjithë ata i bashkonte ajo ëndrra e bardhë për të parë një ditë atdheun e begatë! Në kontrast të fuqishëm elektrizues me këtë armatë martirësh qëndron tabori i shpartalluar i këtyre lloj zyrtarëve në të gjitha nivelet e administratës sonë, që mund të konsiderohen si varrmihës të funksionimit të jetës sonë të organizuar institucionale. Këta rrëmihës të ansamblit të mrekullueshëm të aspiratave kombëtare gërmojnë në çdo aspekt të investimit tonë të përbashkët për mbarëvajtje, duke sajuar me fantazi keqdashëse pengesa të tëra ndaj devocionit shtetëror, që troket me këmbëngulje stoike në dyert e progresit drejt së ardhmes europiane. Këta demonë të zyrave të të çdo partie po e frenojnë ardhjen e Perëndimit. Ata sabotojnë me një pasion frenetik çdo tentativë tonën për integrim, që hedh sado me ndrojtje hapin në autostradën e Bashkimit Europian. Këta janë të pranishëm gjithandej në mjediset tona të korruptuara duke u maskuar me një veshje gjoja novatore por aspak të re, të cilët me petkat e tyre pseudoreformatore, por në fakt regresive dhe antiemancipuese, janë radhitur në një front të gjerë kundra dëshirave të publikut tonë.

Gjithsesi, Shqipëria ka dhuntinë e bekuar që në çdo fazë kritike të peripecive të saj  të gjejë rrugën e prosperitetit pas çdo përmbytjeje asgjësuese të faktorëve që e frenojnë, dhe unë jam i bindur katërcipërisht që në këtë start të ri të zemrës së saj, ajo do ecë përpara në rrugën e demokracisë dhe të përsosjes së institucioneve të veta.

Ndriçim Kulla

"MAPO"

SHKARKO APP