Kevitan: Profili i një futboll-klubi europian (Foto)
Ndoshta nuk është rastësore që futbolli ka lindur në Angli, por që i ka pasur fillesat dhe është rritur nga futbolli i rrugicave dhe lagjeve të Londrës, Mançesterit apo Liverpulit, sepse po të njëjtën rrugë ndoqi edhe Brazili që i ndryshoi “shtëpinë” atij. Me ndrojtje por i sigurt, po guxoj të them se edhe FK Kevitani ka shumë “Angli” dhe “Brazil” brenda, sepse ka një eksperience të tillë, teksa do të imitonte në kushtet moderne atë që anglezët e bënë para më shumë se 100 vjetësh, për ta çuar futbollin deri këtu. Tek ish- futbollisti i Partizanit dhe Dajtit, Artan Singa pasioni nuk do shuhej por do të qëndronte latent për të shpërthyer në rastin më të parë, të kthimit në Shqipëri. Nga emigrimi i tij atë që do ta sillte me një frymë do të ishte ajo e organizimit dhe “imitimit” të futbollit të lagjeve, sikur në Anglinë e atëhershme, por jo më pak edhe në këtë të tanishmen,duke e ngritur këtu, atë, deri në nivel kombëtar. Betonizimi i gjithkundshëm do t’ja “transferonte” fushat e lagjeve apo rrugicat në kalçeto. Është identike…, kështu do të kishin për të vepruar edhe fëmijët anglez nëse do t’u ishin betonuar sheshet ku luanin. Iniciativat e mëdha, kanë dalë nga momente të sinqerta. Themeluesit e këtij futboll-klubi, kritizeri dhe piktori i shquar Abaz Hado, pasionanti Adrian Dibra si dhe profesori Mark Vataj me shumë guxim do të nisnin këtë rrugëtim në një auto-stradën që duhet të kalojnë shumë xhungla për të shkuar te suksesi. Menaxheri nismëtar Singa teksa i shihte çunat që vërdalloseshin do t’i mblidhte për t’i organizuar fillimisht në kalçeto dhe pastaj në fushën e madhe. E nëse Kevitanin do ta identifikonim me një talent futbolli, atëherë besoni se shumë shpejt do të kemi një “Messi” apo “Ronaldo”, në ekip. Nuk është ndonjë “qok” euforik, por një e vërtetë që së paku deri tani askush nuk gjen një detaj ta kundërshtoj. Le të shpresojmë tek çudia Kevitan sepse futbolli ynë hallemadh ka shumë nevojë për ‘kevitana’. Ky është Kevitani, futboll-klubi që po bënë histori edhe pse me një eksperiencë të një moshe që nuk e ka arritur atë “motake”. Futbolli jonë do të ishte fatlumë nëse do të kishte pak “artanë” kaq pasionant për futbollin. Ndërsa Fk Kevitani paska lindur me këmishë teksa e ka një dhe të vetmin e tillë. Nuk është ndonjë pasanik që nuk ka ku t’i harxhojë të ardhurat, por një emigrant nga ata që na kanë nderuar në vendin e emigrimit me punë dhe ndershmëri. Dëshira për të bërë mirë dhe pasioni për futbollin ka gjetur njeriun pasionant në vendin dhe kohën e duhur. Janë statistikat tregues real, po pse jo, ato edhe të “trembin” me gjithë ato suksese brenda edhe pse ende rruga është në mes-rruge të këtij kampionati. Nëse këto do t’i shohim ftohtë numrat, padyshim ky do të përbënte një rast që kund nuk ka mundësi të ketë pasur një shembull analog. Pa mbushur 1 vit nga formimi i tij dhe tashmë ka krijuar staturën e një klubi model jo vetëm për kategorinë e tij, por edhe për atë elitare. Plot 11 fitore në 11 ndeshje përbëjnë një rast në ato që Gines i shënon në librin e tij, por ajo që e bënë të pakonkurrueshëm këtë rekord është se këto rezultate kanë një dialektikë harmonike që nuk të lenë vend për ndonjë dyshim. Plot 76 gola të shënuar në 11 ndeshje shënohen në ranglistën klasifikuese të fazës së parë të vendit të parë, çka do të thotë afërsisht 7 gola mesatarisht, ndërsa për ata të pësuar, presja dhjetore e kërkon më të kualifikuar lexuesin, 0,37 gola. Dikush mund të thotë se janë rezultate të Kategorisë së Tretë. Por kam besimin t’ju them se përsëri kemi për të shkruar kështu mbas një viti, por ndryshimi do të jetë për një kategori më sipër. Por rezultatet janë më pak të rëndësishmet në këtë sukses, sepse ajo që i bënë të veçantë është vizioni dhe organizimi evropian i një nisme që padyshim ka sjellë risi në futbollin tonë kombëtar. I nisur me ambicie të qarta dhe me ecuri shkallë – shkalë nga niveli dysheme Kevitani, po nis një erë të re në futbollin shqiptar. Me një president që do ta dëshironte cilido ekip superior padyshim edhe rezultatet do të jenë prezente – Ky është vetëm një fillim objektivi sepse – Rruga e Kevitanit ende nuk ka filluar – do të shprehej presidenti Singa, i cili ka mundur të ndërthurë njerëzoren me futbollin në një grup që, pse jo, duke u “rritur” mediatikisht do të sjelli “eksod” futbollistësh, identik me atë sikur europianët të eksodojnë në Kosovë dhe jo e kundërta. Me një disiplinë të likuidimit financiarë të korrektesës gjermane cilido futbollistë i kujtdo ekipi të kategorive të mësipërme do ta rishikonte edhe njëherë pozicionin e tij në ekipin ku militon. Tashmë ngjitja një kategori më sipër është një formalitet që pret respektimin e kohës për t’u kurorëzuar zyrtarisht. Humanizmi i presidentit Singa qëndron se ka ditur të menaxhojë aftësitë e atyre futbollistëve të lagjes që u është bërë padrejtësi në vlerësimin e profesionalizmit. Gjithsesi me thjeshtësinë olimpike që e karakterizon presidenti thotë se: – “Kevitan do të ruajë trendin e sukseseve duke e nisur shkallë- shkallë “crescendon” e suksesit. Do të ecim duke qëndruar me këmbë në tokë shkallë- shkallë. Qëllimi është që përpos se të bëjmë futboll të bukur dhe rezultativ, të rikthejmë edhe ata futbollistë,kryesisht të lagjes, që u është “ngrënë” haka duke i dhënë mundësinë e riaktivizimit. Për momentin jemi përqendruar tek ekipi i parë dhe njëherazi kemi hedhur hapat e para të organizimit të “Akademisë Kevitan”, duke marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar U 17 dhe U 19. Tani jemi të sistemuar në ambiente të mira me qera. Të gjitha “bateritë” i kemi drejtuar nga gjetja e mundësitë së ndërtimit të një kompleksi bashkëkohor. Mendoj se përpos organizimit suksesi vjen sepse u kemi dhënë
futbollistëve rastin për të ndëshkuar “padrejtësinë” e mungesës së mikut në selektim. Është kjo forca që i ka bërë këta futbollistë që të japin zemrën për këtë mundësi të dytë që të riafirmohen vlerat e mohuara. Gjithsesi ajo që kërkojmë të realizojmë është që furnizuesja e ekipit të jetë akademia, në të cilën do të kenë përparësi sportistët e lagjes, por jo vetëm”. Padyshim pjesa e luanit të suksesit është harmonia e grupit e ndërthurur me profesionalizmin në fushë, por suksesi do ishte i vështirë dhe pse jo i munguar pa profesorin arsimtarin dhe trajnerin e shquar Mark Vataj. Eksperienca e një edukatori që ka ditur të ndërthur harmonikisht profesionalizmin me sjelljen e moralshme të sportistëve ka qenë një vlerë e shtuar për Fk Kevitanin i cili numëron në 11 ndeshje vetëm 4 kartonë të verdhë dhe këta të marrë nga gjuajtja e topit instiktivisht mbas rënies së bilbilit të gjyqtarit. Në grupin kampion nuk janë emra të spikatur sepse nuk ju është dhënë mundësia për të gdhendur emrin në eksperiencën e tyre sepse kjo eksperiencë u fik që në nisje, por janë emra që kanë vitalitetin për ta ringjallur veten për të treguar cilësitë e mohuara. Kështu kapiteni Malaj e kryeson këtë listë jo vetëm si një nga më të mirët, e ekipit por një nga portierët më të mirë të vendit që ka pësuar vetëm 4 gola në 11 ndeshje, mbrojtësit Muça, Vataj, Hajdari, Gjikolaj. Talenti fantazist Soni Mziu i cili mundet të jetë edhe golashënuesi më i mirë i gjithë futbollit tokësor,me 44 golat e shënuar në 11 ndeshjet e fazës së parë, mesfushorët Hyseni, Pjetri, Mehmeti,apo sulmuesit e asaj makinerie të shënimit të 76 golave sikur Saliaj, Farruku, Marku, Islami. Por ajo që befason në këtë ekip kaq të ri është se, në saj të paraqitjeve të tij ka mundur të formatojë edhe futbollistin me nr 12, atë të tifozerisë, e cila e ka bazën kryesisht nga lagja “Don Bosko” aty ku ka edhe ambientet FK Kevitan.
Kaq për këtë fazë, por shumë për futbollin e së ardhmes …
Ilir J. Hoxha
Vlerësimi i një emigranti
Emigranti nga Italia, Astrit Mero, që ndoqi një nga takimet më të rëndësishme të FK Kevitanit me Bulqizën kur e pyetën sesi të duket ekipi u shpreh në italisht: “La Scuadra dei Ragazzi del quartiere… Miracolo Kevitan” që do të thotë “skuadra e djemve të lagjes…mrekullia Kevitan”