KiE: Pritet “Venecia”, por komisioni nuk është arbitër

Marco Leidekker, kreu i zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, në një intervistë për Top Channel thotë se reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë tjetër, atë të marrjes së një opinioni nga Komisioni i Venecias.

“Ajo që pritet të ndodhë sapo Komisioni i Venecias të marrë propozimet e komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, është caktimi i disa ekspertëve ligjorë të nivelit të lartë dhe me shumë përvojë në nivel ndërkombëtar, të cilët do të vlerësojnë propozimin përkundrejt ligjeve, standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira. Ata do të draftojnë një analizë ligjore që në gjuhën e komisionit quhet opinion. Më pas, kjo analizë do t’i dërgohet komisionit të posaçëm dhe Kuvendit për miratim. Pra, ajo që do të marrë Shqipëria nga Komisioni i Venecias është këshillim ligjor bazuar mbi propozimet e dërguara. Më lejoni të theksoj se Komisioni i Venecias që përbëhet nga ekspertë me autoritet, nuk është arbitër. Nuk është një organizëm që do të përcaktojë kush ka të drejtë e kush e ka gabim. Prandaj, ata nuk do të zëvendësojnë aspak proceset politike vendase. Në fund është gjithmonë vendimi i Shqipërisë dhe i politikanëve shqiptarë se çfarë është e përshtatshme apo jo për vendin”, shpjegon Leidekker.
 
Por sa kohë do t’i duhet Komisionit të Venecias për të formuluar opinionin mbi draftin e dërguar nga Shqipëria?

“Kohëzgjatja varet nga volumi i propozimeve që do të vijnë tek Komisioni i Venecias. Por, në një vlerësim tonin paraprak, do të ishte e mundur të kishim një opinion pas 6-7 javësh nga mbërritja e draftit”, tha kreu i zyrës së Këshillit të Europës.

Për rastet kur shqiptarët i drejtohen Gjykatës së Strasburgut në lidhje me problemet e pronave, kreu i zyrës së Këshillit të Europës thotë se qeveria shqiptare po mundohet të gjejë një zgjidhje: “Në një pjesë të madhe këto vendime janë marrë në fillim të viteve ‘90 apo edhe në fillim të viteve 2000 dhe ata nuk i kanë marrë asnjëherë përfitimet që u ka caktuar gjykata. Numri i këtyre rasteve është shumë i madh dhe shteti shqiptar është plotësisht i vetëdijshëm për përmasat e këtij problemi. Për këtë arsye qeveria shqiptare po përpiqet të gjejë një zgjidhje. Po përpiqet të vërë në lëvizje një mekanizëm i cili duhet ta zgjidhë këtë çështje. Ne kemi bërë një analizë të parë të propozimit që na ka ardhur nga qeveria dhe kemi ende disa pyetje në lidhje me të”.

Marco Leidekker për këtë çështje thotë se “Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, që është organizmi që monitoron zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, do të dalë me një vendim në dhjetor të këtij viti”.

/ Top Channel

SHKARKO APP