Kina po konvertohet, frikë nga vala e krishtërimit
Brenda 15 viteve të ardhshme, Kina mund të bëhet kombi me numrin më të madh të krishterëve në botë, duke ia kaluar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brazilit dhe Meksikës. Vendi simbol i ateizmit shtetëror, që vetëm në fund të viteve ’80 i dha fund persekutimeve me sfond fetar të iniciuara nga Mao Ce Duni, druhet tashmë se rilindja e besimit në një Zot, mund të zbusë besnikërinë ndaj partisë, duke minuar kësisoj stabilitetin e autoritarizmit shtetëror.
Në shenjestrën e presidentit vendas Xi Jinping, është në veçanti krishterimi, feja që sipas Pekinit frymëzon më në tërësi vlerat e Perëndimit, duke filluar nga ato demokratike. Çensura komuniste, na pengon të kemi të dhëna të besueshme, mbi rritjen e numrit të protestantëve dhe katolikëve, që edhe nëse nuk njihen nga organizatat kineze të drejtuara nga partia, mbeten të persekutuara dhe të detyruara të ushtrojnë besimin e tyre në fshehtësi.
Megjithatë, sociologu Fenggang Jang, autor i studimeve të shumta mbi historinë e feve në Kinë, llogarit se duke filluar nga viti 2030, të krishterët kinezë mund të kapin shifrën e 250 milionë personave, në krahasim me 61 milionë, që ishin në 1949-ën, vitin e triumfit të revolucionit komunist. Në 6 dekada, pavarësisht armiqësisë politike, edhe katolikët zyrtarisht janë 3-fishuar, nga 3 në 9 milionë, dy herë me shumë sesa norma e rritjes kombëtare të popullsisë.
Ndërsa Pekini i deklaron sërish luftë “besimeve të huaja”, Kisha zbulon se në të vërtetë katolikët kinezë mund jenë afërsisht 20 milionë, dhe se protestantët në vitin 2025 mund të arrijnë në 160 milionë persona. Një bum i vërtetë, duke pasur parasysh laicizmin në rritje në Evropë dhe SHBA, çka justifikon edhe këmbanat e alarmit, që muajt e fundit po bien në Qytetin e Ndaluar.
Udhëheqja e kuqe, ka ndjekur me vëmendje të madhe vizitën e dyfishtë të Papa Françeskut në Azi, fillimisht në Korenë e Jugut, më pas në Sri Lanka dhe Filipine në harkun kohor të vetëm 6 muajve. Në të dyja udhëtimet, për herë të parë, Papa mori leje për të fluturuar në Kinë dhe dërgoi bekimin e tij për popullin kinez, pa marrë megjithatë asnjë përgjigje nga Pekini.
Diplomatët po punojnë në prapaskenë për rilidhjen e marrëdhënieve diplomatike, zyrtarisht të ndërprera në vitin 1951. Sinjalet e hapjes, alternohen shpeshherë me ndalesa, por perspektiva e kristianizimit të Kinës, paraqet pengesa të reja për një dialog, që Vatikani e konsideron vendimtar.
Në fund të janarit, administrata shtetërore për çështjet fetare, që në emër të partisë kontrollon çdo aspekt të feve që njihen në vend, tha se ishte e gatshme të shuguronte peshkopë të rinj, pa marrë autorizimin e papës.
Urdhri i fundit daton në vitin 2012, dhe prej atëhere negociatat u orientuan mbi mundësinë, që Pekini të zgjedhë vetë peshkopët, por brenda një listë emrash të propozuara nga Roma.
Nisma e Xi Jinpingut, duket se është frymëzuar nga 3 objektiva:për të parandaluar një takim ndërmjet Papa Françeskut dhe Dalai Lamës, që ndërkohë dështoi në minutën e fundit dhjetorin e shkuar; të detyrojë Vatikanin të distancohet politikisht nga Tajvani dhe Hong Kongu, duke njohur vetëm autoritetet e Republikës së Kinës; dhe së treti të ngadalësojë sa më shumë që të jetë e mundur konvertimin e kinezëve në fenë e krishterë, në mënyrë që ky proces të jetë i kontrolluar.
Makthi i Pekinit, që zotohet të ringjallë Budizmin dhe Konfucianizmin si “fe tradicionale dhe patriotike”, është lidhja e fortë mes feve dhe vlerave politike të Perëndimit. Urbanizimi, shtimi i klasës së mesme, studimi i shumë të rinjve jashtë vendit, bumi i konsumit dhe interneti, kërcënojnë ideologjinë unike të shtetit socialist.
Për miliona të rinj kinezë jakë-bardhë (njerëz të mirëarsimuar që punojnë në administratën publike apo private), tashmë turistë të apasionuar pas Evropës, përqafimi i besimit të krishterë është shpesh diçka në modë, një shfaqje snobizmi apo një formë më pak e rrezikshme e kundërshtimit ndaj regjimit. Për këtë arsye, Pekini i vendosur ta transformojë budizmin në besimin themelor që do të vazhdojë të brumosë njerëzit, por dhe me armatosjen për të shtypur islamin në Xinjiang, muajt e fundit ka vendosur në të njëjtin plan përhapjen e feve perëndimore dhe vlerave demokratike, duke urdhëruar të “kontrollohen faqet e adhurimit të tepërt, dhe aktivitetet fetare shumë popullore”.
Xi Jinping, ka urdhëruar rindërtimin e manastireve budiste, të shkatërruara dikur nga Garda e Kuqe e Maos, duke e transformuar qytetin e lindjes së Konfucit, në një destinacion të detyruar pelegrinazhi dhe duke miratuar ndërkohë shkatërrimin e kishave dhe thyerjen e kryqeve.
Një dokument sekret i Byrosë Politike thekson se “një parti me 80 milionë anëtarë, mund të vihet në vështirësi nga një Kishë perëndimore me 250 milionë besimtarë” dhe se vjeshtën e shkuar katolikët, ishin mbështetësit më aktivë të revoltës studentore në Hong Kong, për më shumë demokraci.
Pranverën e vitit të kaluar, qeveria urdhëroi edhe zyrtarët lokalë për “të frenuar kultet fetare të importuara nga Perëndimi” dhe nxitur në vend të tyre “traditat kulturore më të kontrollueshme kineze”. Javën e kaluar, Ministria e Arsimit ndaloi tekstet universitare perëndimore, me pretendimin se “mësimi i vlerave perëndimore, nuk duhet të ketë ndonjë hapësirë më shumë në universitetet e kombit tonë”.
“Grushti”, që Pekini lëshon ndaj “kulturës së huaj”, është i njëjti që godet edhe “besimin e importuar fetar”, armiq që Xi Jinpingu i quan “kontrabandistë të ideve dhe vlerave demokratike, në më pak sesa një brez”. Pra hapjet kufizohen tek “kishat patriotike”, të nënshtruara ndaj partisë, ndërsa liria e adhurimit shihet gjithnjë e me tepër e kushtëzuar, nga rritja e ndikimit botëror të vendit. Një Kinë “jotolerante”, s‘mund të udhëheqë botën. Por edhe një Kinë “e minuar nga fetë, që kanë shenjuar historinë e Perëndimit” rrezikon të mos e bëjë këtë.
"La Repubblica"