KLD dhe parimi juridik null and void
Nga Ndriçim Kulla
Në argumentet që sjellin përfaqësuesit e qeverisë dhe të Kuvendit para Gjykatës Kushtetuese për çështje të ndryshme që gjykohen atje, përdoren jo pak koncepte juridike të terminologjisë juridike latine e në përgjithësi asaj ndërkombëtare. Shpesh ka ndodhur që Gjykata Kushtetuese t’i marrë parasysh këto argumente, me të drejtë. Dhe Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendime për çështje të rëndësishme, si pro qeverisë dhe mazhorancës parlamentare, ashtu dhe kundër tyre. Në disa raste, në argumentet që kanë sjellë qeveria dhe përfaqësuesit e Kuvendit, domethënë të mazhorancës së sotme parlamentare, në gjykimet në Gjykatën Kushtetuese, është përdorur edhe termi juridik null and void.
Një nga parimet më të rëndësishme juridike është parimi null and void, që do të thotë në shqip se kur një vendim nuk ka bazë ligjore, ai nuk ka efekte, pra është si të mos jetë marrë kurrë. Parimi null and void kërkon që gjërat të rikthehen në gjendjen e mëparshme. Ky parim njihet në të drejtën civile, ku palët detyrohen të rikthehen në gjendjen e mëparshme, atje ku ishin para një marrëdhënieje të caktuar juridike mes tyre. Në sferën institucionale parimi null and void është e domosdoshme që të zbatohet në rastin e vendimeve të gjykatës më të lartë në sistemin tonë gjyqësor, që është Gjykata Kushtetuese. Se kuptohet që një pjesë e madhe e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbeten të mangët sa i përket zbatimit të tyre, nëse zbatimi nuk bëhet sipas parimit null and void, pra nëse nuk korrigjohet e keqja që në origjinën e saj. Nuk mund të ketë shtet ligjor pa pasur një konsensus për parimet bazë. Ne mund të kemi opinione të kundërta politike që na ndajnë, por parimet duhet të na bashkojnë. Victor Hugo ka thënë: “Ndryshoni opinionet tuaja, por mbahuni te parimet tuaja. Ndryshoni gjethet, por mbani të paprekura rrënjët tuaja.”
Si shembull për një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka mbetur faktikisht i pazbatuar, është ai që ka të bëjë me bazën ligjore të shkarkimit të dy anëtarëve të KLD-së nga ana e Kuvendit, ose më saktë nga ana e mazhorancës së sotme parlamentare. Gjykata Kushtetuese e quajti të pabazuar ligjërisht vendimin e Kuvendit për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, njëri prej të cilëve ishte nënkryetari i KLD-së. Kështu, edhe vendimi i Parlamentit për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD është njëlloj sikur të mos jetë marrë kurrë. Gjithashtu edhe çdo vendim tjetër i Parlamentit i marrë mbi bazën e këtij vendimi. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka hyrë në fuqi, por nuk është zbatuar akoma. Si do të zbatohet ky vendim? Ky vendim do të mbetet me vlerë deklarative nëse zbatimi i tij nuk bëhet sipas parimit null and void. Sepse legjitimiteti i KLD-së do të jetë i cenuar nga zëvendësimi i dy anëtarëve të shkarkuar me dy të tjerë që i kanë fituar mandatet mbi bazën e një shkeljeje të rëndë ligjore, madje të një atentati ndaj Kushtetutës. Për këtë arsye duhen gjetur modalitetet që dy anëtarët e shkarkuar të KLD-së të kthehen në vendet e tyre në këtë institucion dhe njëri prej tyre në pozitën e nënkryetarit të KLD-së.
Mark Tuein ka thënë se: “Parimet nuk kanë forcë reale përveçse kur iu ushqehet kjo”. Parimet nuk janë bërë vetëm për t’u përdorur si stoli në fjalime, qoftë edhe para Gjykatës Kushtetuese. Parimi null and void është krijuar që drejtësia të mos mbetet e mangët, fjalë boshe, por të realizohet krejtësisht. Në rastin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për kontestet institucionale, zbatimi i parimit null and void është kusht sine qua non për t’u siguruar legjitimiteti i institucioneve. Veçanërisht shumë e rëndësishme është kjo gjë për një institucion delikat siç është KLD. Ky institucion është krijuar që të bëjë emërimet dhe shkarkimet në pushtetin gjyqësor, që të kontrollojë punën e tij. Pra, KLD ka si të thuash çelësat e legjitimitetit të pushtetit gjyqësor. Por KLD nuk mund ta ushtrojë këtë detyrë në qoftë se vetë ka një legjitimet të cenuar.
Mazhoranca e sotme parlamentare që kur erdhi në pushtet, para rreth dy vjetëve e vuri në shënjestër KLD-në si një institucion të cilin duhet ta merrte patjetër nën kontroll. Kjo tentativë bëhej gjoja në emër të reformave për përmirësimin e punës së sistemit gjyqësor, por qëllimi ishte që KLD të shndërrohej në një lloj drejtorie të Ministrisë së Drejtësisë. Megjithëse flitej për reformë me synim luftën kundër korrupsionit në gjykata, goditja e qeverisë përqendrohej te pjesa administrative e KLD-së, tek anëtarësia e saj jashtë sistemit gjyqësor dhe veçanërisht te nënkryetari, kur KLD kontrollohet nga shumica e anëtarëve të cilët janë gjyqtarë. Monteskje ka thënë: “Nuk ka tirani më të egër se ajo që krijohet nën mburojën e ligjit dhe në emër të drejtësisë”. Pikërisht një gjë e tillë kërkohet të arrihet në Shqipëri me anë të së ashtuquajturës reformë në drejtësi.
Gjykata Kushtetuese nuk e ka dhënë vendimin e mësipërm nisur nga ndonjë tendencë kundër qeverisë së sotme. Se po ashtu kjo gjykatë ka dhënë edhe vendime të rëndësishme, madje më të rëndësishme pro qeverisë. Këtu mjaft të përmendet një vendim tejet i rëndësishëm pro, i kohëve të fundit, që është ai për reformën administrative-territoriale, e cila u kundërshtua nga opozita në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim, në pjesën arsyetuese është i mbushur me shprehje të tilla, të terminologjisë juridike ndërkombëtare, megjithatë duket qartë se nuk ka arritur të argumentojë kushtetutshmërinë e shkrirjes së komunave si njësi administrative kushtetuese, me anë të një ligji të tillë, pa u bërë ndryshime në nenet përkatëse të Kushtetutës. Por megjithatë mbi bazën e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese do të mbahen zgjedhjet lokale të qershorit. Të dy vendimet e mësipërme janë të detyrueshme për t’u zbatuar, por faktikisht vetëm njëri prej tyre është zbatuar, ai që i leverdis qeverisë.
Abraham Linkoln ka thënë se: “Parimet e rëndësishme mundet dhe duhet të jenë të palëkundshme”. Ky është mentaliteti institucional i një burri të madh shteti. Për të tillë mentalitet institucional kemi nevojë ne sot. Mungesa e tij është arsyeja e shumë problemeve që kemi sa i përket funksionimit të institucioneve. Qëndrimi i Presidentit Nishani që nuk ka emëruar nënkryetarin e ri të KLD-së, vjen pikërisht nga vetëdija e palëkundshmërisë së parimeve për të cilën flet Linkoln. Presidenti është garant i zbatimit të Kushtetutës dhe si i tillë, ai ndjen përgjegjësi nëse merr një vendim që ka në origjinë një shkelje të Kushtetutës, të sanksionuar me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Dhe në këto rrethana Presidenti flet me mosveprimin e tij. Monteskje ka thënë: “Në fëmijërinë e shteteve, drejtuesit e tyre iu japin formë institucioneve. Më vonë institucionet iu japin formë drejtuesve të shteteve”. Sjellja e Presidentit Nishani i përket këtij modelit të dytë, pra kur sjellja e burrit të shtetit merr formë nga institucionet. Presidenti nuk ka aspak ndërmend të bëjë noterin e ndonjë drejtuesi shtetëror tjetër që kërkon t’u japë formë institucioneve, duke përfshirë edhe KLD-në, sipas dëshirave të tij. Në Shqipëri mendohet të ketë kaluar tanimë koha kur drejtuesit e lartë shtetërorë deformonin institucionet, se Shqipëria është tanimë vend kandidat i Bashkimit Europian. Kushdo që kërkon të bëjë të kundërtën, do të përballët me kundërshtimin institucional të Presidentit Nishani, jo me një qëndrim prej opozitari politik.
Kush kërkon që t’u japë formë institucioneve sipas dëshirave të tij, ndërton kështjella mbi rërë, fati i të cilave është i shkruar me parimin null and void.
Mapo