Klevis Balliu rikthehet te “Astiri” pas lirimit nga gjykata

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu pak orë pas lirimit nga gjykata është kthyer sërish te “Astiri”, duke iu bashkuar protestës së banorëve.

Mësditën e sotme Gjykata e Tiranës dha masën “detyrim paraqitje” për akuzat: “Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, të cilat Balliu nuk i ka pranuar.

Klevis Balliu u arrestua dy ditë më parë nga policia e Tiranës së bashku me 3 persona të tjerë, pasi ishte në mbështetje të banorëve të Unazës së Re, të cilët kishin dalë për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama që do të vizitonte një biznes në zone. Ish-deputeti demokrat u përplas gjatë protestës me efektivët blu, kur këta të fundit filluan të shoqëronin banorët që kishin bllokuar rrugën. Balliu u shoqërua me furgonin e policisë për t’u dërguar në Komisariatin 6 dhe më pas në drejtorinë e policisë së Tiranës ku iu komunikua arrestimi.

SHKARKO APP