Klosi: Duam të largojmë sistemin e gënjeshtrave në tregun e punës

 

 

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi është takuar në Gjermani me përfaqësues të diasporës, qeverisë e landeve gjermane. Bashkëpunimi paraqitet i domosdoshëm në shumë segmente, thotë ai.

 

Deutsche Welle: Cilat ishin qëllimet e vizitës suaj në Gjermani?

Blendi Klosi: Vizita kishte disa qëllime. Së pari, më kanë ftuar shqiptarët e rajonit të Renanisë Veriore- Vestfalisë, ku kemi pasur disa aktivitete shumë interesante së bashku me përfaqësuesit e Ministrisë së Kosovës për Disaporë. Ne po përpiqemi të ndërtojmë ura të përbashkëta për të gjithë të rinjtë shqiptarë që jetojnë në diasporë. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Ministrinë e Kosovës për Diasporë, për ta trajtuar diasporën shqiptare në Europë si një të përbashkët. Në Europë gjenden me dhjetëra mijëra shqiptarë të integruar. Ata janë të integruar mirë dhe nuk mund të trajtohen si familje emigrantësh, por familje europiane. Përfitimi që do të marrin shtetet tona nuk mund të jetë kthimi i tyre, sepse kjo kërkon një proces shumë të gjatë. Por shpresojmë se ata do të jenë të gatshëm të ndihmojnë shtetin tonë dhe shtetin e Kosovës në projkektet e mëdha.

Ju keni pasur këto ditë takime në Tiranë edhe me ministrin e Kosovës për Diasporë, Valon Murati. Cilat janë pikërëndesat kryesore të këtij bashkëpunimi?

Blendi Klosi: Ne së bashku me ministrin Murati po ndërtojmë një platformë të përbashkët për mbulimin e rinisë në vendet e jashtme. Planifikojmë që vitin tjetër, në tre muajt e parë, të kemi një internship për të gjithë të rinjtë shqiptarë që kërkojnë të jenë pjesë e administratës publike shqiptare. Në verën e vitit 2016 duam të kemi edhe një shkollë vere, vetëm me përfaqësues të rinisë së diasporës. Me ministrin Murati kemi rënë dakord që këtë shkollë ta mbajmë herën e parë në Shqipëri. Pra do të kemi disa projekte të përbashkëta.

Ju keni nisur disa projekte të përbashkëta edhe me Gjermaninë. Si po zhvillohen ato?

Blendi Klosi: Me Gjermaninë kemi nisur një sër projektesh. Por ai kryesor është forcimi i edukimit profesional. Duam të kemi të rinj shqiptarë të kualifikuar në priofesionet më të ndryshme…

Cilat profesione ju duhen më së shumti?

Blendi Klosi: Profesione nga më të ndryshmet, por profesione të cilat të ndihmojnë të bësh punë të denjë. Shqipërisë i duhen sot profesione ku njerëzit të punojnë dhe nga ajo punë të jetojnë mirë. Problemi që ne sot kemi me Gjermaninë janë emigrantët e paligjshëm që largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Ata nuk kanë faj, sepse kërkojnë një jetë më të mirë, por ardhja në mënyrë ilegale i bën ata që të mos kenë sukses. Ne po përpiqemi që ata të kenë profesione të caktuara, jo për të ardhur në Evropë, por mbase për të ndërtuar jetën edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Por nëse vendosin të vijnë në Gjermani, duhet të vijnë në mënyrë korrekte dhe të kenë mundësi ndërtimi të një jete të denjë. Sot në Shqipëri kemi shembujt e parë, ku të rinjtë trajnohen në fushën e hotelerisë apo si inferimerë, të cilët kanë kontrata të rregullta në Gjermani. Pra ardhja ilegale ka zero shanse për të mbetur këtu. Ndërsa ardhja me rrugë legale u mundëson një jetë shumë të mirë në Gjermani.

Në Gjermani gjatë këtij viti kanë kërkuar deri në tetor azil rreth 45.000 shtetas të Shqipërisë si dhe rreth 35.000 nga Kosova. Pse ndodhi kjo valë kaq e madhe e azilkërkuesve nga Shqipëria?

Blendi Klosi: Askush nuk mund të akzojë njerëzit që kërkojnë një jetë më të mirë. Natyrisht që ata kanë zgjedhur një rrugë të gabuar, por ata nuk mund të akuzohen për këtë. Gjermania kërkon fuqi të kualifikuar punëtore Unë do të kem takime në Tiranë me përfaqësues të Gjermanisë, sepse Gjermanisë i mungon fuqi punëtore në 120 profesione të ndryshme. Kjo kërkesë e shtetit gjerman për fuqi të kualifikaur pune dhe shpresa për një jetë më të mirë, por edhe personat që e kanë promovuar gënjeshtrën për një jetë më të mirë përmes rrugëve ilegale (gjë që duhet të dëohet), kanë bërë që shumë njerëz të marrin rrugën dhe të vijnë në Gjermani. Por duhet ta kenë të qartë se nuk mund të vihet në Gjermani në rrugë ilegale. Kjo nuk është zgjidhja. Zgjidhja është nëpërmjet edukimit personal.

Përqindja e shtetasve të Shqipërisë që marrin azil në Gjermani është këtë vit 0,2%, ndërsa të Kosovës 0,4%. Jeni ju të gatshëm që t'i riathesoni këta njerëz të zhgënjyer kur të kthehen?

Blendi Klosi: Kjo pyetje nuk shtrohet fare, sepse Shqipëria dhe Kosova janë vendi dhe shtëpia e tyre. Jo vetëm për ata që janë gënjyer nga gënjeshtra e migracionit dhe punësimit, por edhe për njerëzit që kanë qenë nëpër burgje. Sa i përket planeve të qeverive, ne po përpiqemi që në Gjermani dhe vende të tjera të vijnë njerëz të kualifikuar.

Papunësia aktuale në Shqipëri është zyrtarisht 17,3 %. Çfarë po bëni ju si ministri për përmirësimin e gjendjes, që shqitparët të mos kenë fare nevojë të largohen nga vendi?

Blendi Klosi: Nxija e punësimit është projekti kryesor dhe krijimi i hapsirës për punë. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Ju e thatë me të drejtë se në Shqipëri ka një numër të konsiderueshëm të të papunësh. Ne aktualisht kemi rreth 150.000 njerëz që kërkojnë të punësohen, por njëkohësisht kemi rreth 28.000 vende të lira pune. Pra kemi problem me dakordimin e kërkesave për punë dhe kualifikime. Këtë gjendje e ka krijuar një dembelizëm i theksuar. Shqiptarët duhet të futen në sistemin e punësimit të denjë dhe jo të punojnë në të zezë. Ne duam që përmes sistemit të përgatitjes më të mirë profesionale të zbusim këto probleme. Ne kemi probleme të mëdhaja në vendin tonë dhe këtë duhet të pranojmë si qeveri. Por vetëm brenda dy muajsh legalizimi të vendeve të punës, kanë dalur nga varfëria rreth 100.000 shqiptarë që punonin në të zezë. Pra ne vërtetë kemi shifra të larta papunësie, por këto janë shifra që ndërtohen mbi një botë të gënjeshtrave. Ne duhet të kuptojmë se ku është e vërtetë dhe kjo vjen duke legalizuar tregun e punës dhe duke krijuar profesione që na duhen.

Shqipëria së bashku me Kosovën është një prej vendeve me gjendjen më të rëndë sociale në Europë. Por edhe ata që janë të punësuar marrin paga shumë të ulëta, ndër më të ulëtat në Europë. Çfarë masash po ndërmirrni ju për zbutjen e kësaj gjendjeje dhe në veçanti për përmirësimin e gjendjes së të rinjve, sepse dy të tretat e të rinjëve në Shqipëri janë të papunë?

Blendi Klosi: Po kthehem edhe një herë tek tema ime e dashur, sepse besoj se kemi mekanizma të mirë për të luftuar varfërinë në Shqipëri duke krijuar profesionet e duhura. Një problem i madh kemi edhe me vendet boshe. E vërtetë është që shqiptarët nuk mund të punojnë për një rrogë minimale prej 22.000 lekësh. Por nëse bëjnë një kualifikim profesional, paga e tyre do të rritet. Vetëm nëpërmjet të njerëzve të përgatitur dhe me njerëz që punojnë punë të pastër, mund të përmirësojmë gjendjen. Me sistemin e gënjeshtërt të diplomave në fakultete kemi krijuar një popullsi elitare, e cila e ka të pamundur të jetojë pa kaluar 35 vjeç.

SHKARKO APP