Klosi: Pensionet e padrejta, 3000 gjyqe e qindra ankesa çdo vit

Ministri i Mirëqënies Sociale e Rinisë, Blendi Klosi, ka bërë të ditur sot se çdo vit zhvillohen rreth 3 mijë gjyqe për pensione të lidhura në mënyrë të padrejtë, ndërsa në zyrat e Instituti të Sigurimeve Shoqërore depozitohen qindra ankesa nga qytetarët.

Këto fakte ai i ka pohuar teksa ka qenë i pranishëm në analizën e punës vjetore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke shtuar se 9% e pensioneve caktohen jashtë afateve ligjore, çka bën sipas tij që qytetarët të sorollaten zyrave.

“Kemi rreth 3000 gjyqe në vit e qindra ankesa për pensione të lidhura jashtë rregullave të përcaktuara nga ligji. Kjo duhet të na shqetësojë shumë e na tërheqë veshin për më shumë punë. 9% e pensioneve caktohen jashtë afateve ligjore çka bën që qytetarët të sorollaten zyrave e për këtë sjellin dhe ankesa” ka thënë Klosi.

Ministri ka shtuar më tej se ka pasur ankesa edhe për kompensimin e energjisë elektrike, ku deri tani janë shënuar rreth 900 ankesa e kjo çështje duhet zgjidhur sa më parë sipas tij.

Sa u takon kontribuesve vullnetarë, Klosi ka thënë se në total janë 718.000 kontribuues në vit, ose 28% më shumë krahasuar me vitin 2013, por ka shtuar se ka ende mosrealizim të ardhurash në disa qarqe në nivelin 70%.

Ndërkohë, sipas Astrit Hados, drejtori i ISSH, në vitin 2015 është ulur ndjeshëm numri i kontribuesve vullnetarë e për këtë ka dy arsye sipas tij, rritja e kontributit për fermerët dhe reforma e qeverisë për faljen e kamatë-vonesave për kontributet vullnetare.

SHKARKO APP