
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ka komentuar përjashtimin e Elisa Spiropalit edhe nga grupi parlamentar socialist, duke theksuar se vendimmarrja lidhet me prioritetet politike të PS-së. Sipas Klosit, Partia Socialiste duhet të përqendrohet në dy objektiva kryesore, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe përgatitjet për garën elektorale që pritet të zhvillohet pas pesë muajsh.
“Vendimi ka të bëjë me vullnetin e forcës sonë politike për të qenë të fokusuar në dy momente shumë të rëndësishme që kemi përpara. Kryesorja është integrimi në BE dhe ky duhet të jetë fokusi i gjithë debatit dhe punës. Më pas, edhe gara elektorale që kemi pas 5 muajsh”, deklaroi Klosi në ”A2cnn”.
Ai nënvizoi se vendimet për largimin nga forumet drejtuese janë marrë në përputhje me statutin e Partisë Socialiste dhe kompetencat e Asamblesë Kombëtare. Sa i përket diskutimeve të zhvilluara brenda strukturave të PS-së, Klosi shmangu dhënien e detajeve, duke argumentuar se debatet e brendshme nuk duhet të zhvendosin vëmendjen nga qeverisja e vendit.
“Përsa i përket debatit tonë të brendshëm, ka qenë një debat i cili u zhvillua me dyer të mbyllura, pasi kemi vendosur që të qeverisim Shqipërinë dhe jo t’i afrojmë qytetarëve shqiptarë se çfarë mendojmë ne brenda për njëri-tjetrin”, u shpreh Klosi.
