KLSH, auditimi kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare
Ky ishte titulli i Konferencës së tretë vjetore shkencore, organizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ku morën pjesë rreth 120 përfaqësues nga bota akademike, nga profesorati i Universitetit të Tiranës; studiues e lëvrues të auditimit dhe financave publike; përfaqësues nga institucionet supreme të auditimit të Polonisë, Austrisë, Kroacisë, Turqisë, Kosovës dhe Malit të Zi; nga Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit e Komisionit Evropian(DG-Budget); përfaqësitë diplomatike në Shqipëri; shoqëria civile, si dhe auditues të KLSH-së. Teksa Konferencen e nderoi me praninë e tij në ditën e dytë edhe Presidenti Bujar Nishani, i cili e vlerësoi dinamikën e zhvillimit të auditimeve dhe kapaciteteve audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sikundër vlerësoi dhe përgatitjen nga KLSH-ja të një ligji të ri modern për auditimin publik në përputhje me standardet ndërkombëtare, teksa u shpreh i bindur që Parlamenti shqiptar ta miratoje këtë ligj së shpejti. Presidenti deklaroi se paraja publike nuk është prone e askujt, vetëm e shtetit shqiptar dhe askush të mos mendojë se mund të dalë mbi ligjin e mbi rregullshmërinë financiare të shtetit. Ai i nxiti institucionet të luftojnë në plan të parë korrupsionin, si Prokurorinë, ILDKP dhe KLSH, që të bashkëpunojnë me shumë me njëri-tjetrin. “Duhet një dinamikë e re në marrëdhëniet mes jush”, theksoi Nishani. Kurse në përshëndetjen e tij, ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, cilësoi se një institucion suprem auditimi publik i pavarur është shenje e funksionimit të demokracisë. Ai i vlerësoi si shumë premtuese rezultatet e deritanishme të arritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Teksa përmendi dhe punën në grupet e përbashkëta të hetimit me Prokurorinë, ILDKP etj, ku në vitin 2012 KLSH-ja depozitoi 15 raste korruptive, në vitin 2013 25 raste dhe vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti 29 raste. “Kjo tregon efektshmërinë e punës së këtij institucioni në luftën kundër korrupsionit”, theksoi ambasadori amerikan. Nga ana tjetër, deputeti i Parlamentit Evropian, Igor Sholtes, njëkohësisht edhe zv/kryetar i Komisionit te Buxhetit ne PE, deklaroi se nuk ka pse të ekzistoje një institucion suprem auditimi, në rast se atij nuk i garantohet qasje e pakufizuar në informacion dhe dokumente të nevojshme për të kryer auditimin. “Nuk ka kuptim ta kesh një institucion të tillë sa për forme, vetëm pse ai duhet të ekzistojë”, u shpreh Sholtes. Më tej, ai vlerësoi progresin e bërë nga KLSH në rritjen e kapaciteteve të audituesve të tij, nëpërmjet trajnimeve dhe marrjes së eksperiencës nga SAI-t partnere. Për të vijuar më tej, këshilltari kryesor i Drejtorit të Përgjithshëm të DG-Budget dhe drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik ne Komisionin Evropian, Robert Gielisse cilësoi se Strategjia e re e Zgjerimit e Bashkimit Evropian e vendos në vijën e parë Qeverisjen Ekonomike dhe KLSH-ja si auditues i jashtëm publik është gur themeltari përmirësimit të qeverisjes.