KLSH dhe ndryshimi, sfida dhe arritje
Albana Gjinopulli, Sali Agaj
"Ne vetë duhet të bëhemi ndryshimi që dëshirojmë." – Gandhi
Ndryshimi vlerësohet si një nga sfidat më të rëndësishme të menaxhimit në shekullin e 21-të dhe aftësia për të menaxhuar atë konsiderohet si një përbërës i rëndësishëm i aftësisë së organizatës për të konkurruar me sukses. Disa nga faktorët kryesorë që nxisin ndryshimin në institucione publike/organizata private janë: një përgjigje më e shpejtë ndaj nevojave, inovacionit, teknologjisë, riorganizimit, etj.
* Lëvizja përpara në një mjedis në ndryshim
Auditimi i sektorit publik nga KLSh ka një ndikim pozitiv në besimin e shoqërisë sepse përqendrohet në ruajtjen dhe përdorimin sa më të mirë të burimeve publike. Pasi rezultatet e auditimit janë bërë publike, qytetarët kanë mundësi t’i kërkojnë llogari administratës publike lidhur me përdorimin e këtyre burimeve. Në këtë mënyrë KLSh promovon efikasitetin, përgjegjshmërisë, efektshmërinë dhe transparencën e administratës.
KLSH e pavarur, efektive dhe të besueshme është një komponent thelbësor në një sistem demokratik, ku llogaridhënia, transparenca dhe integriteti janë pjesë e domosdoshme e një demokracie të qëndrueshme.
Duke vepruar në emër të interesave të publikut, KLSh ka ndërmarrë hapa që t’i përgjigjet siç duhet sfidave të kërkuara nga qytetarët, pritshmërive të përfaqësuesve të popullit dhe risqeve të ndryshimeve të mjedisit ku ushtrojnë aktivitetin subjektet e auditimit, duke mbetur gjithnjë një institucion model për të gjithë sektorin publik (Standardet Ndërkombëtare të Auditimit – ISSAI 12). Për këtë, në përmbushjen e misionit KLSh ka një rol specifik “t’i thotë të vërtetën pushtetit dhe t’ju thotë të vërtetën qytetarëve”, duke ndikuar pozitivisht në qeverisjen demokratike në rang vendi, siç do të thoshte profesori i njohur suedez i shkencave politike, Olof Peterson "Kur demokracia funksionon si një proces i vazhdueshëm të mësuari, outputi i sotëm bëhet inputi i së nesërmes."
Përpjekjet për të arritur standarte më të larta të përgjegjshmërisë i japin KLSH-së, autoritetin moral që të vlerësojë pritshmëritë në subjektet e audituara. Veprimtaria e KLSH-së tregon se ky institucion punon fort për tá kthyer përgjegjshmërinë në një nga tiparet e tij më të theksuara, këto përpjekje e bëjnë një hallkë kryesore në zinxhirin e përgjegjshmërisë publike; dobishmëria e punës së institucionit për vitin 2014, provon se për çdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSH-së janë kërkuar për t’u zhdëmtuar 38 leke ose dy herë më shumë se në vitet 2010 – 2011 të marra sëbashku.
Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ofron një kuadër mbështetës për institucionet audituese për të nxitur zhvillimin dhe shkëmbimin e njohurive, përmirësimin e auditimit qeveritar në të gjithë botën dhe rritjen e kapaciteteve profesionale. KLSH është anëtar i kësaj organizate që nga viti 1984, por sot pozita dhe
pjesëmarrja është rritur ndjeshëm duke kontribuar me inpute në këtë organizatë dhe po ashtu me vënien në jetë të praktikave më të mira të vendeve anëtare.
Përqasja e veprimtarisë së auditimit në tërësi, me praktikat më të mira të institucioneve homologe të auditimit, i ka shërbyer krijimit dhe zhvillimit të metodologjive të auditimit duke reflektuar standardet ndërkombëtare të auditimit. Në se në të kaluarën kjo përgjegjësi kaq e rëndësishme, nuk ishte e adresuar saktë, ndë`rsa tashmë është krijuar departament i veçantë për politikat e auditimit, përgjegjësia e të cilit është kërkimi shkencor dhe zhvillimi i institucionit bazuar në standardet ndërkombëtare.
Rritja e profesionalizmit të stafit është parë si një mjet i rëndësishëm për të realizuar sfidat me të cilat përballet institucioni. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe vendosja e një standardi për trajnimin e vazhdueshëm profesional të stafit e shoqëruar kjo me testimin e njohurive të fituara nga trajnimi. Vendosja e normës së trajnimit mesatarisht prej 80 orë trajnimi në vit e diferencuar për stafin ekzistues dhe të ri e ka orientuar gjithë stafin drejt përditësimit të njohurive në lidhje me auditimin dhe disiplinat e tjera të fushës së ekonomisë dhe financave.
Lufta kundër korrupsionit, në të cilën KLSH dhe institucionet e tjera shtetërore duhet të angazhohen si dhe pritshmëritë e opinionit të gjerë publik në lidhje me punën e KLSh-së në këtë drejtim, kanë parashtruar kërkesën e kryerjes së kësaj lufte në vazhdimësi, pa kompromis dhe ndaj çdo institucioni apo nëpunësi të infektuar prej virusit të korrupsionit. Numri i kallëzimeve penale të denoncuara në organin e prokurorisë gjatë harkut kohor te tre viteve 2012-2014 është rreth 2.2 herë më shumë se kallëzimet penale të kryera në katër vitet së bashku 2008-2011 ndërsa numri i personave të kallëzuar penalisht rezulton rreth 2.7 here më i lartë; gjatë vitit 2014 treguesi i propozimit të rekomandimeve është me i madh në të gjitha llojet e tyre duke propozuar në total 882 rekomandime me shumë se në vitin 2013.
KLSH si nxitës i ndryshimit ka kontribuar në mënyrë domethënëse në drejtim të përmirësimeve që mund të bëhen në kuadrin ligjor, duke identifikuar rastet kur dobësitë dhe shmangiet janë shkaktuar si rezultat i paqartësive apo kompleksitetit të kuadrit ligjor, ku vetëm gjatë vitit 2014 janë rekomanduar gjithsej 88 propozime për ndryshim/përmirësim legjislacioni.
* Strategjia, programet dhe kuadri për të sjellë ndryshim
Ndryshimi është përgjigja e Organizatës ndaj kërcënimeve ose shanseve dhe zbatohet në kontekstin e Strategjisë së zhvillimit të saj. Zbatimi i ndryshimeve është një çështje e rëndësishme në ambjentin e sotëm që ndryshon vazhdimisht, të organizatave publike dhe jopublike. Ndryshimi është kthyer në një konstante për organizatat, në mënyrë që të jenë të sukseshme në realizimin e programeve dhe objektivave.
Hartimi i një vizioni drejton dhe nxit anëtarët e organizatës gjatë ndryshimit; organizata ka nevojë edhe për një plan që të tregojë se çfarë të bëjë, si dhe kur. Një vizion më i mirë e ndryshim më i suksesshëm sigurohet kur shumë njerëz kontribojnë në këtë drejtim.
Për të realizuar këto ndryshime në strategjinë e KLSH-së janë përfshirë elementet kyç: kultura e përmirësimit të vazhdueshëm; investimi i kohës dhe burimeve të nevojshme për të zhvilluar kapacitetin në mënyrë profesionale dhe organizative, lufta kundër korrupsionit dhe shtimi i vëmendjes për auditimin e performancës, si një mjet për të shtuar vlerën e parave publike.
Përgjegjshmëria e përdorimit të fondeve publike është një gurthemeli për institucionet kombëtare që janë përgjegjëse për mbikqyrjen e shpenzimeve publike dhe ky këndvështrim e vendos Kontrollin e lartë të Shtetit në krye të auditimit publik në vend. Me një profil të ri, KLSH luan një rol të rëndësishëm në vlerësimin, analizën dhe shprehjen e opinionit se kontrollet funksionojnë në mënyrë efektive, se ku janë identifikuar dobësitë, shkeljet dhe shpërdorimet, por mbi të gjitha në dhënien e sugjerimeve dhe rekomandimeve se si institucionet publike të performojnë më mirë duke kontribuar në një masë të rëndësishme në mirëfunksionimin e qeverisjes së mirë në vend.
Ligji i ri, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, është një reflektim sa pozitiv aq dhe inovator i Standardeve Ndërkombëtare të fushës dhe i hap rrugë përkrahjes së rolit modern të auditimit, krijon mundësi të merren vendime të dobishme që i shërbejnë jo vetëm së tashmes, por e bëjnë KLSH të prezantohet me një tipar të ri si një institucion largpamës, që shikon qartë të sotmen dhe në ndryshimin që duhet për të ardhmen.
Iniciativa për zhvillim ka ardhur nga vetë KLSH dhe kjo në vetvete është një shfaqje e qartë e angazhimit të menaxhimit të lartë institucional, Kryetarit të KLSH, z. Bujar Leskaj. Objektivat më të rëndësishme janë mishëruar në Strategjinë e Zhvillimit që ka filluar të zbatohet prej vitit 2013 dhe do të shtrihet në vitet e ardhshëm deri në 2019. E hartuar me pjesëmarrjen e SIGMAs Strategjia e Zhvillimit 2013-2017 i ka shërbyer KLSH – së, si një bazë e shkëlqyer për vendosjen e prioriteteve, alokimin e drejtë e të përshtatshëm të burimeve duke synuar gjithnjë arritjen e objektivave dhe menaxhimin e risqeve që sjellin sfidat e njohura e të panjohura të zhvillimit dhe progresit. Objektivat strategjikë të KLSH janë pasqyrim i objektivave të INTOSAI-t, në zhvillimin e një institucioni suprem të audimit publik në mjedisin shqiptar.
Nevoja e subjekteve publike për t’u audituar po bëhet gjithnjë e më e madhe, por shumë më tepër theksohet sfida për cilësi në auditim. Qasje të reja pritet të prezantohen ndërkohë që ambienti është gjithnjë e më i ndryshueshëm. Pikëpyetje të reja vendosen para KLSH-së, si institucioni më i lartë auditues në vend, duke u kthyer në sfidë për institucionin i cili tashmë synon të zhvillojë më tej arritjet, të rrisë besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë.
Raporti i Progresit të Shqipërisë i Komisionit Europian i Tetorit të vitit 2014 ka nënvizuar se: “Kontrolli i Lartë i Shtetit ka miratuar Planin e Zhvillimit Strategjik për vitet 2013-2017. Amendimet në Ligjin për Kontrollin e Lartë të Shtetit janë plotësisht në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI)…..Nevojitet që kapacitetet e KLSH të fuqizohen më tej në mënyrë që të arrihet mbulim i plotë i auditimeve…..”
Ndër zhvillimet strategjike në vend, që ndikojnë edhe në veprimtarinë e KLSH-së theksojmë:
* Procesi i integrimit të vendit tonë do të shoqërohet me shtimin e financimeve të BE për Shqipërinë. Kjo kërkon burime shtesë auditimi, por edhe nivel të lartë te njohurive mbi auditimin e fondeve të BE;
* Ligji për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin, kërkon një qasje të re të auditimit nga KLSH, duke u fokusuar në përgjegjshmërinë menaxheriale të drejtuesve te subjekteve publike.
* KLSH do të ndjekë veprimtarinë e strukturave të Auditimit të Brendshëm në përputhje me standardet, në mbështetje të veprimtarisë dhe sigurimit të pavarësisë së tij. Rëndësia e
zhvillimit të këtij sistemi është e trefishtë, sepse kur ai është cilësor ndikon në përmirësimin e menaxhimit të subjekteve të audituara, kursen drejtpërsëdrejti burimet e auditimit të KLSH dhe bëhet faktor në parandalimin e korrupsionit;
* Bazuar në programet e Ekzekutivit, parashikohen privatizime strategjike, të cilat janë të ndjeshme politikisht, por edhe bartin risqe të konsiderueshme, me ndikime të rëndësishme edhe në Buxhetin e Shtetit; do të ketë zhvillime të mëtejshme edhe në partneritetin publik/privat, prandaj KLSh-së i duhet të ndjekë hap pas hapi këtë proces, në mënyre që të informoje Kuvendin në kohën e duhur për parregullsitë eventuale.
* Ashtu si në vendet e tjera anëtare apo kandidate të BE – së në drejtim të qeverisjes elektronike, kanë ndodhur dhe pritet të ndodhin ndryshime të rëndësishme në ofrimin e shërbimeve publike dhe komunikimin me qytetarët. Zhvillime të tilla si prokurimet elektronike, shërbimi elektronik on line në tatime dhe në dogana si dhe informatizimi i sistemit të thesarit kërkojnë një qasje të re të auditimit nga ana e KLSH-së për të mbuluar me auditim këto veprimtari dhe në zbatim të Ligjit të ri organik të ushtrojë auditime profesionale të sistemeve të teknologjisë së informacionit të subjekteve publike.
* Progresi i ulët në luftën kundër korrupsionit në vendin tonë dikton nevojën e një angazhimi me të madh të KLSH-së, duke u fokusuar në analizën e risqeve dhe të dobësive të sistemeve të kontrollit të brendshëm të organeve, institucioneve, agjensive, enteve, nd/jeve publike, etj.
Qendrueshmëria në ecurinë e KLSh-së do të sjellë rezultate më të mira në përmirësimin e qeverisjes kombëtare, në sinergji dhe bashkëpunim të plotë me qytetarin, Kuvendin, shoqatat profesionale dhe shoqërinë civile.
Kontrolli i Lartë i Shtetit