Koçiu inspekton masat për menaxhimin e fluksit në Portin e Durrësit gjatë festave

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një vizitë inspektuese në Portin e Durrësit, ku u njoh nga afër me masat e ndërmarra për menaxhimin e fluksit të lëvizjeve gjatë periudhës së festave të fundvitit. Gjatë inspektimit, ministrja u shoqërua nga Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, si dhe nga Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu.

Koçiu theksoi se Porti i Durrësit mbetet pika kryesore e hyrje-daljeve detare në vend, duke përballuar fluksin më të lartë të udhëtarëve, veçanërisht në këtë periudhë. Ajo vuri në dukje se garantimi i sigurisë publike, por edhe lehtësimi i procedurave për qytetarët, janë prioritete kryesore të institucioneve përgjegjëse.

Ministrja informoi se strukturat e Policisë së Shtetit janë në gatishmëri të shtuar, me rritje të pranisë fizike në pikat kufitare, si dhe me mundësinë e hapjes së sporteleve shtesë, në varësi të fluksit. “Situatat janë dinamike dhe ne veprojmë duke marrë parasysh flukset dhe lëvizshmërinë. Ka një koordinim të plotë ndërinstitucional mes Policisë së Shtetit, Doganës Shqiptare dhe Autoritetit Portual, me qëllim që shërbimi ndaj qytetarëve të jetë sa më i shpejtë dhe efikas”, u shpreh Koçiu.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë kuadër, ministrja nënvizoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke bërë të ditur se gjatë fundjavës ka zhvilluar biseda me homologun nga Kosova për bashkërendimin e punës në pikat kufitare tokësore. Ky bashkëpunim shtrihet gjithashtu me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me synim përshpejtimin e procedurave në të dy anët e kufirit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Koçiu bëri me dije gjithashtu se Porti i Durrësit dhe ai i Sarandës do të përfitojnë nga një investim i rëndësishëm në fillim të vitit të ardhshëm, përmes instalimit të portave elektronike hyrje-dalje (e-Gate), që do të përmirësojnë ndjeshëm qarkullimin dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Duke u ndalur te sfidat e qarkullimit rrugor në qytete si Durrësi dhe Tirana, ministrja siguroi se të gjitha autoritetet janë në gatishmëri të plotë për t’u garantuar qytetarëve festa të qeta dhe të sigurta.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?