Kodheli dhe Gjici, takim me ushtarakët në lirim

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Kukësit, Mimi Kodheli dhe kandidati për deputet Safet Gjici, zhvilluan  një takim me ushtarakët në lirim dhe në rezervë në qytetin e Kukësit. Në fjalën e saj, Kodheli theksoi se, mes ushtarakëve në lirim dhe në rezervë ndihet si mes njerëzve që drejton përditë, si mes njerëzve të respektuar që e kanë shkelur Shqipërinë nga Vermoshi në Konsipol.

Por çfarë është e përbashkët për të gjithë, është se ju nuk jeni trajtuar nga asnjë qeveri ashtu siç duhet të trajtoheshit. Nuk ju është respektuar statusi dhe jeni larguar nga puna në vitet 1990, sikur të ishit njerëzit më të bezdisshëm”, u shpreh Kodheli, e cila foli edhe për rëndësinë që ka bashkëpunimi me këtë kategori ushtarakësh.

Fatura financiare që mbart trajtimi juaj deri në fund me statusin e ushtarakut është një faturë e jashtëzakonshme, që vinte nga një gabim i bërë i qëllimshëm, që ishte rrikthim i parave për një te ashtuquajtur pension të llogaritur gabim. Të paktën ne falëm këtë barrë që kishte çdo ekonomi familjare e juaja apo çdo portofol i juaji, me shpresën që ky është një fillim i mirë për të bërë gjëra më shumë për statusin e ushtarakut”, vuri në dukje Kodheli.

Duke ju kthyer dhe njëherë nostalgjisë së fëmijërisë, Kodheli u tregon të pranishmëve se gjyshi i saj ish-gjeneral, e ushqente çdo ditë me ndjenjën e atdhedashurisë.

Duke folur për rezultatet e qeverisë  në 4-vjet Kodheli nënvizoi se: “Ka qenë një energji, që nuk ka shkuar dëm në mendimin tim, sepse besojmë, që ne po mund të japim nga pushteti ynë, mund të ulemi me të gjitha kushtet në tryezë, për t’i sjellë Shqipërisë një zgjidhje edhe pse krizat kanë qenë artificiale”.

Një rëndësi të veçantë Kodheli i kushtoi zbatimit të Vetting-ut, ku theksoi se, kush ka abuzuar me paratë e shtetit të taksapaguesve shqiptarë, kush ka abuzuar me ligjin, kush ka abuzuar me moralin, që është mbase mbi çdo ligj të shkruar, duhet të paguajë dhe të largohet nga sistemi.  Kodheli i ka ftuar të gjithë të kalojnë me qetësi procesin e Vettingut.

Në lidhje me zhvillimin ekonomik të zonës, Kodheli bëri me dije se duhet të ndjekim traditat e vjetra, pasi shumë prej tyre edhe kanë humbur dhe duhet të shfrytëzojnë prodhimtarinë që rinia të mos ikë të punojë jashtë. Kodheli sugjeroj se tashmë duhet të punohen sixhadet tona të bukura dhe të vendoset mbi to emri “Made in Kukës”.

Përsa i përket rezultatit të pritshëm në zgjedhjet e 25 Qershorit, Kodheli nënvizoi se: “Ndofta këtë herë, mund të mbërrijmë një rezultat spektakolar, të kemi më shumë se një përfaqësues në Parlamentin  shqiptar, që do ta kemi, si përfaqësues të Qarkut të Kukësit, për të marrë më shumë investime, për të marrë më shumë mbështetje.”

Kodheli gjatë këtij takimi dëgjoi sugjerimet, ankesat  e ushtarakëve të liruar që lidhen me statusin e tyre dhe ligjin për ushtarakët.

Në fjalën e tij kandidati për deputet Safet Gjici theksoi se: “Ne do të bëjmë atë që askush nuk ka bërë për ju. Zonja Ministre është grua, por fjalët e ka më të forta se të burrave”. 

SHKARKO APP